‘Ka një tension territorial në Shqipëri’/ Boçi në Fier: Qytetarët kërkojnë më shumë përfaqësim dhe pushtet real vendor

‘Ka një tension territorial në Shqipëri’/ Boçi në Fier: Qytetarët kërkojnë më shumë përfaqësim dhe pushtet real vendor

20:48, 12/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas më shumë se dy orësh diskutime me qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe organizata të shoqërisë civile në Fier, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale e mbylli dëgjesën me fjalët e bashkëkryetarëve të komisionit.

Në fjalën përmbyllëse, bashkëkryetari i Komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, deklaroi se në Shqipëri ekziston sot një “tension territorial”, i krijuar nga mungesa e përfaqësimit, largimi i shërbimeve nga qytetarët dhe dobësimi i pushtetit vendor pas reformës së vitit 2014.

Boçi theksoi se reforma territoriale nuk mund të shihet vetëm si një ndarje harte, por si një reformë administrative që duhet të shoqërohet me funksione të qarta, autonomi financiare dhe demokraci të brendshme për pushtetin vendor.

Sipas tij, shumë prej detyrave që sot diskutohen në kuadër të reformës janë në fakt përgjegjësi të qeverisë, e cila sipas strategjisë së saj 2023–2030 kishte premtuar decentralizim real dhe forcim të pushtetit vendor, por nuk e ka realizuar atë.

Në fjalën e tij, Boçi vuri theksin tek roli i qarqeve, duke argumentuar se ato duhet të forcohen dhe të kenë kompetenca reale për të ndihmuar bashkitë dhe për të rregulluar marrëdhëniet ndërbashkiake. Ai tha se Partia Demokratike është e prirur drejt forcimit të qarqeve apo transformimit të tyre në rajone funksionale.

Duke komentuar debatet mbi hartën territoriale, Boçi kundërshtoi idenë e përfshirjes së bashkive të vogla brenda bashkive të mëdha, duke mbrojtur identitetin historik, kulturor dhe ekonomik të zonave si Patosi, Roskoveci, Mallakastra apo Konispoli.

Ai deklaroi se territori nuk është vetëm çështje administrative, por pjesë e identitetit dhe jetës së qytetarëve. Sipas tij, rritja e territorit të bashkive ka sjellë rritje të distancës me shërbimet dhe diskriminim mes qytetarëve që jetojnë brenda të njëjtës bashki.

Boçi iu referua edhe standardeve europiane, duke theksuar se Bashkimi Europian ka një mesatare prej rreth 6 mijë banorësh për njësi vendore, ndërsa në Shqipëri bashki të mëdha si Fieri apo Elbasani kanë dhjetëra mijëra banorë dhe sipërfaqe shumë të mëdha, çka sipas tij krijon probleme reale në ofrimin e shërbimeve.

Ai ngriti shqetësime edhe për mungesën e kompetencave të pushtetit vendor në çështje të rëndësishme si menaxhimi i mbetjeve apo planifikimi urban, duke marrë si shembull inceneratorin e Fierit, për të cilin tha se bashkia nuk ka pothuajse asnjë kompetencë reale.

Në përfundim, Boçi deklaroi se Partia Demokratike nuk kërkon kthimin tek modeli me 330 njësi vendore, por një reformë që merr në konsideratë kërkesat e komuniteteve dhe nevojën për më shumë përfaqësim, shërbime dhe pushtet real lokal.

Fjala e plotë:

Kjo është një reformë territoriale, por edhe administrative. Ajo duhet të shoqërohet me shërbime më të mira dhe për këtë arsye po ndërtohet. Por duhet t’i themi të vërtetën qytetarëve: këto janë detyra të qeverisë dhe jo të Komisionit të Reformës Territoriale, sepse vetë qeveria, në planin strategjik 2023–2030, ka përcaktuar qartë që deri në vitin 2030 do t’i jepte pushtetit vendor funksione të qarta, autonomi dhe demokraci të brendshme. Dhe këtë nuk e ka realizuar.

Ne nuk mund të bëjmë një komision, në bashkëpunim me mazhorancën, për të kryer detyrat e qeverisë. Por biem dakord që kjo reformë nuk është thjesht territoriale, sepse prek funksionet dhe mënyrën si ushtrohet pushteti vendor.

Qarku është një funksion shumë i rëndësishëm i pushtetit vendor dhe sot është i kufizuar sepse nuk ka kompetenca reale. Ai është kthyer në një strukturë administrative pikërisht nga mungesa e kompetencave. Por qarku duhet të jetë i fortë, sepse me kompetencat e tij mund të ndihmojë bashkitë në kapacitete dhe zhvillim.

Qarku është rregullator i marrëdhënieve ndërbashkiake dhe i marrëdhënieve mes bashkive. Në asnjë vend të Europës nuk kemi bashki identike. Ka diferenca, por niveli i dytë i pushtetit apo bashkëpunimi ndërbashkiak e balancon këtë. Ne si Parti Demokratike jemi të prirur që të forcojmë qarqet apo t’i shndërrojmë ato në rajone.

Kur vijmë tek territori, sfida nuk është thjesht të shtojmë bashki. Nuk është çështje fitoreje për PD apo humbjeje për PS. Neve na është hedhur një “dorezë” për shkak të alternativave të hedhura nga PS, që synojnë përfshirjen e bashkive të vogla tek ato të mëdha.

Unë nuk dua të përdor argumente nga njerëz të afërt me PD, por argumentet e vetë socialistëve që mbrojtën Patosin, Roskovecin, Mallakastrën apo Konispolin. Këto janë identitete kulturore, historike dhe ekonomike që duhet të mbrohen.

Për ne nuk ka rëndësi sa e madhe është një bashki. Kam dëgjuar që Patosi është një bashki e vogël, por e suksesshme, dhe këtë e thatë ju vetë si përfaqësues të bashkisë. Po kështu, nuk ka rëndësi sa e madhe është Mallakastra, nëse nuk arrin të ofrojë shërbime për të gjithë qytetarët.

Ne nuk duhet të lejojmë absorbimin e këtyre identiteteve. Territori është shumë i rëndësishëm për karakterin dhe jetën e njeriut. Heqja e territorit është si të zhbësh një dimension të identitetit të tij.

Çfarë të keqe ka të respektojmë këto identitete territoriale? Njerëzit i kërkojnë këto gjëra në Fier, Elbasan, Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë.

Nëse rrisim territorin e bashkive, ne rrisim edhe distancën me shërbimet. Dhe kjo nuk është vetëm distancë virtuale, por reale. Është distancë me shërbimet që qytetarët marrin çdo ditë.

Sipas standardeve të Bashkimit Europian, shërbimet urbane duhet të jenë në një distancë 20–25 kilometra nga qytetarët. Po kështu, BE ka një mesatare prej rreth 6 mijë banorësh për njësi vendore. Ndërsa Fieri ka rreth 40 mijë banorë dhe Elbasani arrinte deri në 60 mijë banorë për bashki.

Pse duhet të shkojmë drejt këtyre numrave kur me këto sipërfaqe krijohet diskriminim në shërbime dhe në cilësinë e jetës brenda të njëjtës bashki?

Në Fier ka problem serioz edhe me kompetencat e pushtetit vendor. Për shembull, inceneratori ka gllabëruar miliona euro dhe bashkia nuk ka asnjë kompetencë reale mbi të. Edhe ligji i ri për mbetjet, i sapomiratuar, nuk u jep kompetenca bashkive.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ligjin për planifikimin urban. Ka mungesë vullneti politik për decentralizim real dhe ne si opozitë nuk e kemi këtë në dorë. Por ne duam t’i japim më shumë pushtet pushtetit vendor dhe ky është vullneti ynë.

Ne konsiderojmë të drejta kërkesat insistuese të komuniteteve dhe nevojën për të optimizuar numrin e njësive vendore. Vetë rajonet që kërkon Europa do të ndihmonin në thithjen e fondeve të kohezionit.

Mjafton të shohim Kroacinë, që ka mbi 550 njësi vendore dhe ka përfituar miliarda euro nga fondet e kohezionit. Sigurisht që duhen kapacitete njerëzore.

Problemi është se bashkitë kanë rritur numrin e punonjësve, por çfarë kapacitetesh kanë marrë? A ka funksionuar akademia e specializuar për pushtetin vendor? Këto janë çështje reale.

Edhe kur kapacitetet mungojnë, bashkëpunimi ndërbashkiak është thelbësor. Shumë projekte mund të realizohen përmes bashkëpunimit mes bashkive.

Sfida jonë është të përmbushim nevojat e qytetarëve. Nuk është sfidë kthimi tek 330 njësitë vendore. Këtë duhet ta harrojmë.

Ne si opozitë dhe si Parti Demokratike kërkojmë që të konsiderohet kërkesa e qytetarit për më shumë shërbime dhe për pushtet real lokal, ku qytetari të ndiejë se është zot i territorit dhe vendit të tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco