'Kartelet e drogës fituan tendera publikë', Hoxhaj: Një grup ndërtoi shkolla, ja si gënjen BSH

19:06, 12/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në studion e Task Force, gazetari Julian Hoxhaj u shpreh se një skemë alarmante e pastrimit të parave të krimit të organizuar po funksionon prej vitesh në Shqipëri.

'Grupi kriminal, i përfshirë në trafikun e drogës, krijon kompani, fiton dhjetëra tendera publikë dhe më pas merr edhe leje ndërtimi për kulla e resorte, duke u shndërruar në biznesmenë të ligjshëm me mbështetjen e qeverisë.' -u shpreh ai

Hoxhaj denoncoi se kjo praktikë përfshin projekte publike si rindërtimi i shkollave, ku grupet kriminale përdorin paratë e tenderit për të pastruar fitimet e paligjshme. Ai thekson se Banka e Shqipërisë gënjen publikun kur pretendon se bum-i turistik përkthehet në mirëqenie për qytetarët, pasi paratë e drogës dhe kontratat e favorizuara mbeten në xhepat e pakicës.

'Ky është vetëm një aspekt i një sistemi të kalbur, ku koncensionet e sterilizimit, check-up-it, inceneratorët, tuneli i Llogarasë dhe Aeroporti i Vlorës tregojnë se miliarda euro shkojnë në mënyrë të dyshimtë, ndërkohë që qytetarët paguajnë pasojat. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se tenderat publikë dhe lejet e ndërtimit po përdoren për pastrimin e parave të trafikut të drogës.'- theksoi Hoxhaj

Pjesë nga deklarata:

Pra, koncensionet kanë qenë gara ku kanë marrë pjesë disa operatorë. Ne kemi dy shembuj konkretë: sterilizimi dhe check-up. Janë të dy nën hetim. Sterilizimi është në gjykim, ndërkohë që check-up është nën hetim. Pra, janë të dyja gara ku operatorët u paracaktuan nga qeveria.

Kompania për shembull e check-up-it, që mori koncensionin, u krijua vetëm në periudhën kur u dha koncensioni, ndërkohë që koncensioni dhe procedura ishin shpallur një vit më parë. Por unë dua të them diçka tjetër. Kjo qeveri shpiku disa forma, po themi, të prokurimit publik. Po shpiku çdo ditë, dhe 2015-ta e tregon që iku nga negocimet dhe shkoi te procedurat e kufizuara. Një nga skandalet më të mëdha, për shembull, që ne s’jemi marrë, ndoshta do të merremi më vonë, është projekti Smart City.

Qeveria ka lidhur një kontratë me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai nuk është prokurim publik. Pra, janë ngritur shumë pikëpyetje për çështjen e sigurisë së të dhënave të shqiptarëve.

Pra, kjo qeveri ka dhënë miliarda, po them euro, deri më sot, nëpërmjet formave të cilat në përgjithësi kanë rezultuar deri më sot të antiligjshme. Unë po përmend për shembull që kam zgjedhur 10 raste kryesore: kam marrë në total rrugët që janë prokuruar gjatë, të cilat janë shembuj që ne i kemi trajtuar në emision. Vlera e tyre shkon mbi 1.1 miliardë euro dhe shumica janë nën hetim sot.

Kemi pastaj koncensionin e sterilizimit, check-up-in, inceneratorët, tunelin e Llogarasë që e përmendëm, aeroportin e Vlorës që gjithashtu është dhënë. Është një koncension i dhënë pa, që qytetarët shqiptarë do ta paguajnë mungesën e fitimit ndaj koncensionarit. Kemi pafund portin e Durrësit, e përmendëm, tigrat e famshëm të energjisë që ne paguajmë sot. Pra, këto janë procedura që nuk kanë pasur transparencë. Por dua të ndalem te një element tjetër: dy shpikjet më të rëndësishme, skemat 5D dhe prokurimet publike të kontrolluara nga grupet mafioze.

Po pra, ne e zbuluam ose u zbulua nga politika dhe nga media skema 5D dhe 5B, ndërsa SPAK na ka zbuluar edhe një skemë tjetër. Kontrollin e tenderave publik nga grupet kriminale, jo vetëm të AKSHI-t. Po them, shiko, kemi rastin e fundit: janë goditur disa grupe kriminale në Shqipëri. Çfarë kanë bërë ato? Pasi trafikonin tonelata droge, qoftë në Elbasan, qoftë në Tiranë, apo në qytete të tjera, kanë krijuar kompani. Rasti i fundit na rezultoi që një grup i goditur nga SPAK kishte marrë 50 tendera publikë. Kishin ndërtuar shkolla në Tiranë.

Për shembull, kemi rastin e Elbasanit që dilte në përgjimet e SPAK, ku grupet kriminale thoshin se do të çonin drejtorë atje për të marrë tendera dhe nuk kishin pse të merreshin më me diçka tjetër. Kjo është skema më problematike që ekziston te prokurimet publike: qeveria, me dijeni të plotë, pasi u jepte tenderat që këta të pastronin paratë e trafikut të drogës, u ka firmosur në shumë raste edhe leje ndërtimi. Pra, këta merrnin paratë e drogës, i pastronin nëpërmjet prokurimeve publike dhe më pas merrnin leje ndërtimi për kulla dhe resorte. Fotovoltaikët, tashmë edhe me paketën e maleve, do të ndodhë e njëjta gjë. Pra, i pastronin në mënyrë të tillë që në fund të gjithë kësaj historie të dalin biznesmenë të pastër.

Nga ana tjetër, çfarë ndodh? Na del Banka e Shqipërisë dhe thotë se kemi bum turistik. Unë nuk shoh mungesë turistësh, por nuk shoh as si ky bum turistik përkthehet në mirëqenie për qytetarët shqiptarë që po ikin çdo ditë. Është e pamundur të bëj lidhjen, sepse faktet nuk më tregojnë që çfarë thotë Banka e Shqipërisë – pra, që bum turistik po rrit çmimet e Airbnb-së apo të apartamenteve – të përkthehet në mirëqenie për qytetarët shqiptarë që po ikin çdo ditë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco