Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme, pasi qeveria ‘Kurti 3’, me vetëm 76 ditë në detyrë dhe përkundër një fitoreje bindëse në zgjedhjet e fundit, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
E ftuar në SYRI TV me Eneida Ndocin, gazetarja nga Kosova, Albion Zhitia, u shpreh se paaftësia për të zgjedhur kreun e shtetit vjen pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje siguroi 51% të votave popullore, një mandat i qartë për të qeverisur.
Gjithashtu Zhitia theksoi se, sfida kryesore mbetej zgjedhja e presidentit, një situatë e komplikuar nga ftohja e raportuar më herët e marrëdhënieve mes kryeministrit Albin Kurti dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani. Opozita duket se e shfrytëzoi këtë ngërç për të çuar vendin në zgjedhje të reja.
Një tjetër skenar i partive opozitare është shpresa te kthimi i mundshëm i ish-krerëve të UÇK-së nga gjykimi në Hagë mund të ndryshojë dinamikat politike në disfavor të Kurtit në zgjedhjet e ardhshme.
Intervista:
Zhitia: Mirëmëngjes edhe për juve dhe ju përshëndesim nga Prishtina, siç e the Kosova është zgjuar me një lajm se do të shkojmë në zgjedhje dhe data përafërsisht do të jetë 7 qershori. Pra, kemi 76 ditë qeverisje ‘Kurti 3’ dhe nuk arrijmë të zgjedhim një president, përkundër që në zgjedhjet e dhjetorit Kurti arriti të triumfojë 51% të elektoratit kosovar, duke marrë kështu besimin e tyre për të drejtuar këtë qeveri, por që qysh në krye të herës, momenti kur është zgjedhur dhe ka triumfuar Kurti, e kemi paralajmëruar këtë situatë, sepse sfida e Kurtit ka qenë pikërisht zgjedhja e presidentit. E duke pasur parasysh marrëdhëniet që Osmani dhe Kurti muajve të fundit nuk i kishin shumë të mira dhe që tashmë ishin distancuar, pak a shumë është parë një skenar i tillë. Mirëpo, të gjithë kanë menduar që ndoshta do të kemi një rrugëzgjidhje mes partive opozitare dhe Kurtit, por siç duket opozita e ka shfrytëzuar rastin e tyre ashtu siç ndodhi për një vit të tërë dhe vendosi që të shkojmë në zgjedhje duke pasur parasysh që tashmë jemi edhe në një proces tjetër atë në Gjykatën e Hagës dhe shpresat e partive opozitare janë që ish-krerët e UÇK-së të rikthehen në Kosovë dhe pikërisht t'i japin një goditje finale ndaj Kurtit që të paktën të mos ketë rezultatin e dhjetorit të 2025-ës.
Ndoci: Çfarë do të thotë kjo Albiona për opozitën që nuk arriti dot të të kishte një lloj qasje, le të themi, marrëveshje me me Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse vazhdimisht Albin Kurti ka shpalosur në tryezën e diskutimit disa variante konkrete, qoftë për vendin e postit të kryetares së Kuvendit, apo edhe të tjera marrëveshje, por që me sa duket nuk janë marrë parasysh dhe janë cilësuar shpeshherë jo serioze nga palët politike.
Zhitia: Janë cilësuar të tilla sepse para skadimit të afatit të mandatit të zonjës Osmani, në bisedimet mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që bënin në vazhdimësi me Albin Kurtin, të dyjat nuk është që kanë folur rreth propozimeve të tilla të ofruara nga Kurti. Koncentrimi ka qenë tek një emër konsensual. Në Partinë Demokratike janë përmendur emra, kurse në takimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, po flasim gjithmonë para skadimit të afatit të mandatit të zonjës Osmani, nuk janë përmendur emra konkret se kush duhet të jetë president, duke qenë se LDK-ja tashmë publikisht kishte treguar mbështetjen për mandatimin e zonjës Osmani për edhe një mandat tjetër si presidente e Kosovës. Në anën tjetër, Partia Demokratike e kishte dhënë vizën e kuqe zonjës Osmani që nuk do ta mbështesë. Andaj Kurti duke pasur parasysh që tashmë kemi një LDK e cila nëse i bashkohet Vetëvendosjes do ta zgjidhnin pa pikë problemi zgjedhjen e presidentit dhe zonja Osmani do të vazhdonte mandatin e saj të dytë, atëherë Vetëvendosja luajti një lojë tjetër, duke mos dhënë asnjë emër në takimet me LDK-në, duke folur thjesht për një emër konsensual e duke u parafrazuar, duke aluduar me një emër nga familja Jashari. Në anën tjetër, në takimin me Bedri Hamzën, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe për Syri Televizion vetë shefi i grupit parlamentar Arian Tahiri, ka pasur biseda për emra konkret, përfshirë Murat Jasharin, përfshirë Andin Hotin, i cili në fakt ka treguar që ka qenë vetë Kurti diku pas mesnatës me një mesazh në ËhatsApp, e ka pyetur Bedri Hamzën nëse është si emër i përshtatshëm për president, duke qenë se është djali i Ukshin Hotit. Kjo ka qenë nga PDK-ja si një goditje për shkak se jo pse a është apo jo Andin Hoti i përshtatshëm për president, por mënyra dhe qasja e Kurtit jo serioze karshi Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë që kjo e fundit të mos vazhdojë më tutje negociatat me Kurtin dhe pastaj të plasojmë kështu, të vijmë deri në këtë suazë ku jemi në një ushtrues të detyrës së presidentes, në këtë rast që është Albulena Haxhiu dhe pikërisht është pritur që të ketë një reflektim nga ana e Kurtit. Në anën tjetër Kurti sado që shkonte në negociata me LDK-në, pas takimit me Abdixhikun vazhdonte të thoshte se na duhen të paktën mbi 80 vota, do të thotë ai aludonte në 84 vota, me atë synimin që Lidhja Demokratike e Kosovës të sillte edhe një parti tjetër opozitare, qoftë AAK-në apo PDK-në, por nuk thoshte dhe nuk kishte gatishmëri për të mbështetur emrin e zonjës Osmani. Ai aludonte në emra të tjerë konsensualë.
© SYRI.net