Në datat 29-30 prill 2026, në Zagreb do të zhvillohet Forumi i International Democrat Union 2026, një nga aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare që mbledh liderë politikë, vendimmarrës dhe përfaqësues të partive të qendrës së djathtë nga e gjithë bota.
Forumi synon të adresojë sfidat aktuale globale, të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të promovojë vlerat e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës.
Në fokus të agjendës do të jetë edhe një nga panelet kryesore kushtuar Ballkanit Perëndimor, me temë “Kufiri i Harruar: Ballkani Perëndimor dhe Premtimi i Papërmbushur i Europës”. Në këtë panel do të marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili pritet të trajtojë zhvillimet politike në rajon, sfidat e demokracisë dhe procesin e integrimit europian.
Forumi i IDU 2026 pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për diskutim dhe koordinim politik mbi çështjet kryesore që prekin rajonin dhe më gjerë, me theks të veçantë në të ardhmen euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor.
© SYRI.net