Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 15-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Nimoni: Ngërçi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, rezultat i kalkulimeve politike...

20:50, 28/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve me Armela Ferko në Syri TV, Fisnik Nimoni, analist politik, foli mbi ngërçin e krijuar për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si vazhdimësi të krizës politike që ka nisur prej më shumë se një viti.

Ai u shpreh se bllokada aktuale lidhet me mungesën e vullnetit për kompromis dhe me përpjekjet e shumicës qeverisëse për të siguruar një president të kontrollueshëm politikisht.

Sipas tij, në këtë proces po tentohet të procedohet edhe pa kuorumin e nevojshëm kushtetues, gjë që mund të çojë në kontestime në Gjykatën Kushtetuese. Nimoni theksoi se kjo qasje shihet si taktikë për fitim kohe dhe për shtyrjen e procesit zgjedhor.

Ai shtoi se një skenar i tillë mund të zhvendosë edhe afatet zgjedhore dhe të ndikojë në balancat politike, veçanërisht në raport me mbështetjen nga diaspora. Në fund, ai paralajmëroi se mungesa e kompromisit po e thellon krizën institucionale dhe rrezikon stabilitetin kushtetues të vendit.

Pjesë nga deklarata:

Edhe në ngjitjen e kaluar e pata sqaruar pse është ngërç dhe pse nuk po zgjidhet presidenti. Pikërisht për shkak se shumica, në këtë rast Kurti, po do një president që potencialisht e ka edhe në kontroll. Edhe në qoftë se nuk është i partisë së vet, duhet patjetër të jetë dikush që mund ta kontrollojë ai dhe të jetë i nënshtruar ndaj tij.

Këtë e vërteton më së miri periudha kur Vjosa ka qenë presidente. Ndoshta vitet e para ka qenë në vijë të komunikimit të drejtë me Kurtin. Nuk po them që ka qenë në kontroll të Kurtit, por e ka mbajtur anën e Kurtit. Ka qenë në rregull dhe ka qenë ndër lavdatat e Kurtit. E ka lavdëruar si presidente dhe si përfaqësuese.

Por në momentin që ajo ndryshoi, në momentin që pati takime, sidomos me presidentin Trump, dhe kur fitoi një popullaritet shtesë jashtë pozicionit që e kishte me Vetëvendosjen, kjo filloi t’i pengojë Kurtit.

Me gjasë, Kurti ka shpresuar në një president popullor, madje edhe në një figurë si dikush nga familja Jashari, siç është përmendur kohë pas kohe. Deri te kjo shpresë nuk ka pasur lëvizje as vullnet nga Kurti për të negociuar me askënd për këtë punë. Në momentin që mori përgjigje nga familja Jashari se nuk implikohet politikisht në asnjë variant, ai filloi ta ndryshojë qasjen. Vjosës ia vuri me dije se nuk do të ketë përkrahjen e Vetëvendosjes. Ia vuri me dije dhe kërkoi numrat nëse do vetë, por nuk po bindet se duhet të ketë kompromis politik.

Në fakt, mendoj se ky është shkaktari pse as sonte nuk do të ketë president, të paktën kushtetues.

Për shkak se është një tendencë që të zgjidhet një president sa për të krijuar precedent për një proces kushtetues më pas, dhe një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për të fituar kohë.

Kurti po i thotë LDK-së që 15 nënshkrimet e tyre të dorëzohen për Vjosën. Nuk ka problem, por nuk mund të garantohet që do t’i votohet Vjosa, dhe potencialisht po kërkohet sigurimi i kuorumit prej 80 personash, ndërsa pastaj në votim të fshehtë fiton kandidati i propozuar nga Vetëvendosja, në këtë rast doktoresha.

Pse mund të kemi një president jo kushtetues sonte para orës 24:00, është për shkak se më 5 mars, kur ka nisur procesi për presidentin, seanca fillestare, e njëjta kryesuese e Kuvendit, e njëjta përbërje politike dhe e njëjta qeveri e patën mbyllur seancën për shkak të mungesës së kuorumit. U tha se nuk mund të hapet procesi pa 80 deputetë në sallë dhe rrjedhimisht nuk u nxor dekreti i presidentes që shpërndante Kuvendin.

Nga deklaratat e djeshme, qoftë të kryeministrit, qoftë të zëvendëskryeministrit dhe vetë kryeparlamentares, po thuhet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që deputetët të jenë prezentë në sallë dhe të votojnë. Po tentohet të merret një detaj i vogël për të kaluar në votim dhe më pas opozita të bëjë nënshkrime dhe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për kontestim.

Është e dëmshme të përmbyset rendi kushtetues dhe shumë e rrezikshme për vendin. Prej që është në politikë, vetë Albini duket se nuk e di saktë ku po synon të shkojë. Ka hyrë në një proces që e konsideron antikushtetues dhe që i shërben vetëm për të fituar 30 ose 40 ditë shtesë, duke e zhvendosur potencialisht datën e zgjedhjeve nga 7 qershori në mesin e korrikut. Ai mendon se ende e ka përkrahjen më të madhe te diaspora, e cila mund t’i japë sërish mbështetje të madhe.

Kurti e di që fuqia e Vjosës ka ndikim në rezultatin e tij dhe përplasja me të mund t’i sjellë problem në rënie. Ai do të jetë sërish i pari dhe do të ketë shumicën, por jo më 51%. Është e dëmshme kur me 51% nuk arrihet kompromis për zgjedhjen e presidentit. Po bëhet lojë taktike politike dhe po konsumohet afati, duke i dhënë mesazh qytetarit se po provohet, por nuk ka vullnet nga opozita.

Mendoj se edhe në orën 23:00 seanca do të ketë epilog të njëjtë si më parë. Pas thirrjes së kryeparlamentares për pjesëmarrje, nëse nuk ka kuorum, ajo do të vazhdojë procedimin e votimit si më parë dhe do të shpallet presidenti me 63 apo 64 vota.

Jam i bindur se opozita nuk do të jetë prezent në sallë dhe kuorumi nuk do të arrihet. Përgjigja është e qartë.

Fitimi i kohës nga ana e Kurtit e zgjat krizën politike. Pra kemi krizë politike nëse nuk zgjidhet presidenti dhe shkohet në zgjedhje, por kemi krizë edhe në këtë formë, siç po përmend Fisniku, duke shkuar drejt Gjykatës Kushtetuese dhe duke fituar kohë.

Në realitet, kriza politike është vazhdimësi prej 9 shkurtit të vitit të kaluar. Na ka përcjellë krizë e madhe, por nëse dëgjohet deklarata e djeshme e kryeministrit, ai thotë se kemi qeveri funksionale dhe ushtruese të detyrës së presidentes deri më 6 tetor, duke dhënë sinjal se nuk ka krizë institucionale.

Kjo është formë kërcënimi dhe shantazhi. Politikisht mund të ketë taktika, por shkelja e kushtetutës është shumë e rëndë për Republikën.

Më herët ka pasur reagime nga zyra e BE-së në Prishtinë që kërkuan mosshkelje të rendit kushtetues dhe konsensus, ose në të kundërtën kalim te sovrani dhe shpërndarje e parlamentit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco