'Pa studim dhe pa pyetur qytetarët’, Malltezi: E ardhmja e projektit në Durrës një ‘tafti bafti’, idiotësi e madhe

08:59, 27/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Projekti i shumëdebatuar në portin e Durrësit cilësohet si një “budallallëk përtej imagjinatës” nga ekspertët, të cilët ngrenë alarmin për dështim në tre elementë thelbësorë: mungesën e një procesi transparent, mungesën e një projekti teknik të mirëfilltë dhe shmangien e plotë të konsultimit publik.

Sipas analizës së Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në PD Jamarbër Malltezi që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv, qeveria ka dështuar të ndjekë procedurat ligjore, duke vendosur në mënyrë arbitrare t'ia japë projektin kompanisë Alabbar, pa zhvilluar një tender të rregullt dhe pa marrë parasysh rregulloret në fuqi. Më problematike akoma është mungesa totale e dëgjesave publike. Ky proces, dikur normal dhe i domosdoshëm për projekte të tilla, duket se është harruar plotësisht prej më shumë se një dekade, duke bërë që vendimet të merren në mënyrë autoritare, “ashtu siç e do Sulltani”, pa asnjë llogaridhënie.

Kjo mungesë planifikimi është cilësuar si një “idiotësi e madhe”, e cila mund të ishte shmangur lehtësisht nëse do të ishte zhvilluar një dëgjesë publike, ku intelektualët dhe pedagogët e Durrësit do të kishin paralajmëruar për rreziqet e ndërtimit në një zonë të tillë delikate.

Si pasojë, investimi i qindra qytetarëve, përfshirë shumë shqiptarë të diasporës, tashmë konsiderohet një “tafti bafti” – një lojë fati me një të ardhme të paqartë.

Flavio Qarri: Seriozisht kam një kuriozitet tani, e kam personale këtë për ju. Kur patë investigimin e Piranja-ve, pas gjithë asaj beteje që opozita, inxhinierët, njerëzit e shqetësuar për mjedisin, për trashëgiminë, për vjedhjen e llahtarshme që u bë aty, çfarë menduat?

Po ju a kishte marrë mendja që do kishin bërë aq budallik sa as mos të ndërtonin tamam?

Jamarbër Malltezi: Ishte përtej imagjinatës si budallallëk. Po të kemi parasysh që kjo qeveri ka filluar urrejtjen ndaj Durrësit qysh me atë projektin e Velierës së famshme, që sa herë bie shi, ajo mbushet bëhet si pishinë. Dhe atëherë, aso kohe, qytetarët e Durrësit u ngritën duke e kundërshtuar. Por qeveria ishte e vendosur t'i vidhte ato para edhe domethënë nuk i pyeti fare. Tani sa herë bie shi ajo kthehet në pishinë, e njëjta gjë është.

Për fat të keq e njëjta gjë po na ndodh edhe këtu. Qeveria vendos që të vjedhë ca para dhe, e para, nuk pyet për procesin, e dyta, nuk bën projekt teknik të mirëfilltë, e treta nuk bën dëgjesa publike. Pra në të treja elementët qeveria ka dështuar. Të kemi parasysh, lidhur me sa i përket procesit, qeveria ndau që do ja japi Alabarit dhe s'pyeti fare për procedura, s'pyeti fare që ka MSA që e detyron të bëjë tender, po thjesht e bëri me një, ofertë, direkt me Alabarin. Lidhi gomarin aty te Alabari dhe s'pyeti.

Së dyti, nga pikëpamja teknike. Nga pikëpamja teknike nuk bëri asnjë projekt teknik të mirëfilltë. Nuk mori asnjë,  nga këto, Fakulteti i Gjeologjisë që të shikonte dhe të shikonte të gjithë, domethënë jo vetëm gjeologjinë statike, po edhe dinamike, edhe fenomenet e lëngëzimit të rërave që ndodhin. Sa më e madhe pesha, aq më tepër lëngëzon rrëra dhe zhytet njësia, struktura.

Dhe së treti, nuk bëri fare dëgjesa publike, zero. Po të kemi parasysh, është harruar koncepti i dëgjesës publike në Shqipëri. Gjatë para shumë e shumë vitesh, të kemi parasysh që dëgjesa publike ishte një proces normal, në të cilin të dilnin disa aspekte, të cilat mirë ishte që të merreshin parasysh. Pra, në rast se në Durrës do kish pasur një dëgjesë të mirëfilltë publike dhe do kishe thënë që do ndërtohet këtu ku janë batllat. Batllat janë ajo zona me leshterik e Durrësit, që domethënë është krijuar nga, nga aluvionet dhe nga leshterikët. Kaq është, nuk ka shkëmb amë aty. Dhe do thonin, do ndërtojmë këtu njësi 10-katëshe, po menjëherë do kishin dalë disa pedagogë të Durrësit, do kishin dalë disa intelektualë dhe do thonin, o shiko, bëni studime të mirëfillta se nuk e realizoni dot me ndërtime të zakonshme siç bëhen në Tiranë, t'i bëni aty te batllat. Nuk e bëni dot. Minimumi fare.

Kështu që kjo do kishte shmangur një idiotsi të madhe që kanë bërë. Po pikërisht ngaqë nuk kishin bërë procesin e rregullt, këto shmangën edhe dëgjesat me publikun. Dëgjesat kanë qenë procedurë normale. Po të kemi parasysh qoftë për Devollin, në Gramsh e Moglicë janë bërë me dhjetëra dëgjesa publike. Po të kemi parasysh për TAP-in, në çdo komunë, në çdo fshat ka pasur dëgjesa publike. Ndërkohë ka mbi 10 vjet që dëgjesa publike është harruar fare si koncept. Pse? Sepse e ndan Sulltani ku e do, e ndan me kë e do, e ndan me sa para e do, dhe gjithë të tjerët mbyllni gojën, të gjithë të tjerët shikoni vetëm fasadën, asgjë tjetër. Qesharake.

Flavio Qarri: Po mirë, një sekondë tani. E para njëherë, ne kemi një ide pak a shumë të qartë se kush bleu te, Durrës Marina projekti. Por përveç çunave që e përdorën për një qëllim të caktuar, ka dhe plot, shqiptarë të diasporës, njerëz që kanë menduar se aty do të kishte diçka me vlerë, që kanë blerë. Çfarë ndodh me këto para, Malltezi?

Jamarbër Malltezi: Gjasat, gjasat janë që këto para janë bërë si tafti bafti tani? Domethënë, me këtë që pamë në, në emisionin tuaj, paratë janë tafti bafti, nuk i dihet se çfarë ndodh. Po të kemi parasysh, domethënë kostoja për ta riparuar atë do dali shumë herë më e lartë. Inxhinieri e tha, kur ndërtohet në rërë duhen pilota të jenë shumë e shumë e shumë kate të thella, sepse duhet të mbajnë një strukturë ranore shumë të madhe. Po të kemi parasysh, për shembull, në rast se do shkonim më tutje, poshtë në jug të Golemit, te Mali i Robit, ngaqë u ndërtuan disa ndërtesa tetë-nëntë kate andej, çfarë ndodhi? Ndodhi lëngëzimi i rërave. Lëngëzimi i rërave solli që të dukej sikur deti po i afrohej më tepër. Dhe çfarë bënë? Bën pontile për të bllokuar. Marria njerëzore shkoi dëmtoi vijën bregdetare, dëmtoi cilësinë e ujit të detit. Të gjitha këto janë shoqëruese të fenomeneve që nuk trajtohen fillimisht.

Pra ka dy variante. Një variant është, thjesht është tafti bafti, po të ra tafti po të ra bafti. Varianti tjetër është kostot e riparimit të asaj do jenë jashtëzakonisht më të mëdha tani sesa po të ishin bërë në fillim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco