‘S’jemi më demokraci’, Kedhi: BE s’e pranon Shqipërinë, përbën kërcënim serioz për vendet e Unionit!

17:16, 19/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria është klasifikuar si një “autokraci elektorale” në raportin më të fundit të institutit prestigjioz suedez V-Dem, një vlerësim që sinjalizon një goditje të rëndë për kredencialet demokratike të vendit dhe ngrin më tej aspiratat për integrimin europian.

Ky përcaktim vjen në një kohë kur procesi i anëtarësimit në BE është tashmë i bllokuar, duke reflektuar një realitet të zymtë politik dhe institucional.

Sipas drejtorit ekzekutiv i Institutit Konservator Shqiptar, kjo etiketë nuk është thjesht një term teknik, pasi ajo përshkruan një sistem ku, ndonëse zgjedhjet mbahen formalisht, ato nuk çojnë në rotacion pushteti.

“Ne jemi përballë shtetit,” shpjegoi Kedhi, duke theksuar se partia në pushtet kontrollon të gjitha burimet shtetërore, administratën publike dhe ushtron presion mbi median, shpesh përmes vetë-censurës së gazetarëve.

Vlerësime të ngjashme janë bërë edhe nga raporte të tjera ndërkombëtare, si ato të OSBE-ODIHR dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, theksoi Kedhi, duke shtuar se bllokimi i raportit të ndërmjetëm (IBAR) nga BE-ja është një pasojë direkte e këtyre shqetësimeve.

Kedhi solli në vëmendje deklaratën e kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, i cili e cilësoi çështjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku si një “test kritik” për Shqipërinë.

Fakti që qeveria mori në mbrojtje një zyrtare të lartë të akuzuar për korrupsion masiv, tregon se drejtësia ka “vija të kuqe” që nuk mund t'i kalojë, veçanërisht kur bëhet fjalë për kryeministrin dhe rrethin e tij të ngushtë.

Në këtë sfond të errët qeverisjeje, pasojat ekonomike për qytetarët bëhen edhe më të rënda. Kedhi argumenton se një qeveri serioze do të ndërtonte një model ekonomik të qëndrueshëm, bazuar te prodhimi vendas dhe pavarësia energjetike, për t'i mbrojtur qytetarët nga krizat globale.

Në vend të kësaj, theksoi Kedhi, varësia e plotë nga importet e bën ekonominë shqiptare dhe konsumatorin tejet vulnerabël ndaj çdo tronditjeje të jashtme, siç është rritja aktuale e çmimit të karburanteve për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Lajmi i sotëm në rankimin e këtij viti për Shqipërinë, që e klasifikon vendin tonë si një autokraci elektorale, është një lajm i keq, pa diskutim. Ne rreshtohemi në rajon krahas Serbisë, si dy autokracitë elektorale të rajonit dhe krahasohemi me vende të tjera të Azisë apo të Afrikës si Zambia apo vende të tjera, të cilat në thelb kanë zgjedhje, bëjnë pra votime, por ato nuk janë, nuk çojnë në rotacion pushteti. Mund të lejohesh të garosh, ndryshe nga autokracitë e tjera ku ti pengohesh dhe për të garuar në Rusi për shembull. Që nuk është një gjë shumë ndryshe, të thuash të vërtetën, nga çfarë ka ndodhur në Shqipëri, ku liderit të opozitës nuk ju lejua emri në fletën e votimit, u bë çmos që të pengohej e të tjerë me radhë, nuk i jepej vula e të tjera. Por përgjithësisht në autokracitë elektorale ti lejohesh të marrësh pjesë, por je përballë shtetit efektivisht. Janë disa parti të cilat garojnë përballë partisë që është në pushtet, që kontrollon të gjithë shtetin, kontrollon burimet e shtetërore, administratën publike e kështu me radhë.

Mediat censurohen ose gazetarët vetë-censurohen dhe të gjithë këto elementë që na i thotë ky rankim i sotëm nga V-DEM, nuk është se janë të panjohura, është një realitet që ne e prekim përditë. Por gjithashtu dhe organizata apo institucione të tjera ndërkombëtare kanë thënë pak a shumë të njëjtat gjëra. Në raportin e OSBE-ODIHR-it thuhet tekstualisht që në Shqipëri u vu re që ishte mjegulluar vija ndarëse mes partisë në pushtet dhe shtetit. Pra, partia në pushtet kontrollonte gjithë shtetin dhe e përdorte për qëllimet e veta elektorale. Nga ana tjetër raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut thotë, dhe këtu sërish citoj, që në Shqipëri është problem vetë-censurimi i gazetarëve e të tjerë problematika për përdorimin e administratës, presionin mbi administratën, ndikimin e krimit të organizuar, janë të gjithë elementë të cilët plotësojnë këtë tablonë e autokracive elektorale.

Ne kemi pasur dy misione në vendin tonë faktmbledhëse nga Parlamenti Europian dhe nga Partitë Popullore Europiane që qeverisin pjesën më të madhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, dhe janë në një farë mënyre në një linjë konkluzionet e të dy misioneve faktmbledhëse. Mjaft të kujtojmë David McAllister-in, kryetarin e komisionit për marrëdhëniet me jashtë në Parlamentin Europian, që tha, çështja Balluku e imunitetit të Belinda Ballukut, është një test kritik për Shqipërinë. Pse ishte një test kritik? Sepse bëhej fjalë për marrjen në mbrojtje të një funksionare shtetërore të akuzuar për korrupsion masiv nga ana e qeverisë dhe e kryeministrit. Dhe ky është një test kritik natyrisht, sepse ata kanë investuar tek drejtësia dhe shikojnë që drejtësia me sa duket paska vija të kuqe, të cilat nuk duhet t'i kalojë dhe bëhet fjalë për kryeministrin apo njerëzit që e rrethojnë, veprat e të cilëve të çojnë direkt tek kryeministri, se ky është dallimi mes rastit Balluku dhe rasteve të tjera që kryeministri ka dorëzuar.

Nga ana tjetër shikohet niveli i korrupsionit, Transparency International neve na zbrit me 11 vende në rankimin e fundit për sa i përket korrupsionit. Shikohet modeli ekonomik që është ndërtuar në Shqipëri dhe ata nuk duan, komuniteti europian nuk do një barrë shtesë, po do një një aleat, do një partner, do një vlerë të shtuar për unionin edhe në aspektet ekonomike. Ndërkohë në Shqipëri ne kemi bujqësinë në recesion prej pesë vitesh, industrinë në recesion prej tre vitesh, prodhimi është, produktiviteti është në rënie vit pas viti dhe ekonomia shqiptare ata shikojnë që mbahet me paratë e pista të cilat kanalizohen në ndërtim dhe shohin Shqipërinë sipas raporteve të Departamentit të Shtetit që është kthyer në një korridor të rëndësishëm, që nuk ka qenë më përpara, të trafikimit të kokainës dhe të heroinës apo dhe të drogave të tjera sintetike si metamfetamina e të tjerë.

Dhe gjithë kjo drogë që kalon këtu natyrisht shpërndahet në vendet e Bashkimit Europian dhe më pas në Amerikën Latine dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por prek sigurinë e tyre. Nga ana tjetër kemi një cenim jo vetëm të sigurisë në Shqipëri, por kemi një cënim të sigurisë së vendeve të Bashkimit Europian, një cënim të sigurisë së NATO-s gjithashtu me çështjen e AKSHI-t me futjen e një kompanie ruse, me lidhje ruse në portin e në Porto Romano, për të cilin amerikanët ngritën gjithashtu shqetësim dhe natyrisht dhe partnerët tanë europianë, specifikisht Gjermania. Ndaj janë të gjithë këto aspekte të cilat kanë dalë në dritë dhe shikojnë që Shqipëria jo vetëm që nuk është një kandidat i gatshëm për t'u futur në Bashkimin Europian, por qenka një kërcënim serioz për vendet e për vendet e Unionit. Përveç se natyrisht një një vend që ose një shtet po themi që cenon sigurinë e qytetarëve të vet. Dhe për këtë arsye, duke qenë se Shqipëria ngeli në klasë për sa i përket testit kritik që ishte Balluku dhe të gjithë këtyre elementeve të tjerë, ka një ngrirje të procesit të integrimit dhe dhe një një reagim të përshkallëzuar të partnerëve tanë.

Një qeveri serioze, çdo qeveri serioze, ndërton një strategji bazuar mbi një vizion të caktuar që ka për vendin dhe për zhvillimin e vendit, zhvillimin ekonomik. Në qoftë se ne në Shqipëri do kishim një qeveri serioze, të përgjegjshme, patriotike po të doni, që do kishte një vizion të caktuar se si zhvillohet ky vend në mënyrë të qëndrueshme, nuk do ishim në këtë situatë ku në çdo krizë që ndodh në çdo vend të botës ne mendojmë se si do ndikojë tek qytetari shqiptar dhe sa i pambrojtur është qytetari shqiptar, konsumatori shqiptar përballë këtyre presioneve të jashtme. Se në qoftë se ti ndërton një model ekonomik bazuar mbi rritjen e prodhimit, mbi ndihmën dhe forcimin e fermerëve, të Made in Albania, të produktit vendas, të jesh sa më i pavarur energjitikisht, të shfrytëzosh burimet natyrore në mënyrë sa më të mirë të mundshme. Dhe Shqipëria është një një vend që i ka të gjithë burimet natyrore, pozicionin gjeografik e të tjerë me radhë, në mënyrë që të ketë një një model ekonomik që të mbrojë qytetarin shqiptar, ta forcojë atë dhe ta rrisë sa më shumë mundësinë që ai të përballojë dhe këto krizat që vijnë nga jashtë. Por në qoftë se ti nuk prodhon asgjë, varesh nga importi për çdo gjë, për produktet ushqimore, për produktet e tjera, për karburantin, natyrisht që presioni që është mbi qytetarin shqiptar me çdo krizë që ndodh jashtë, është dhe më i madh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco