Partia Demokratike në Shkodër ka mbajtur zgjedhjet për kryetarin e ri të degës, një proces i cili u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë, me 1781 anëtarë që shprehën vullnetin e tyre përmes votës.
Drejtuesi politik i PD-së për qarkun, Luçiano Boçi, në një lidhje direkte me edicionin qendror në Syri Tv, e cilësoi procesin si të qetë dhe të rregullt, ndërsa theksoi se pjesëmarrja masive është tregues i pritshmërive të larta që qytetarët kanë ndaj forcës opozitare.
Sipas Boçit, ky interes i shtuar nuk vjen vetëm nga anëtarësia, por nga i gjithë qyteti i Shkodrës. "Kjo pritshmëri ka të bëjë me atë shpresë dhe besimin që qytetarët duan të gjejnë brenda Partisë Demokratike, specifikisht këtu në Shkodër, por edhe në gjithë Shqipërinë," deklaroi ai, duke shtuar se pjesëmarrja është reflektim i kësaj shprese.
Zgjedhjet e brendshme shihen si një hap themelor në përgatitjen e Partisë Demokratike për sfidat e ardhshme, veçanërisht për zgjedhjet lokale që do të mbahen pas rreth një viti.
Megjithatë, ambiciet shkojnë përtej nivelit lokal, ku Boçi përmendi si synim madhor arritjen e një qeverie teknike, një qëllim që, sipas tij, kërkon "më shumë angazhim, më shumë pjesëmarrje në protesta dhe më shumë organizim e afërsi me qytetarët".
Ajo që bën përshtypje është pjesëmarrja e lartë e anëtarëve të Partisë Demokratike me dëshirën për të shprehur vullnetin e tyre për të zgjedhur kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike në Shkodër. Dhe tanimë jemi në momentin e numërimit, siç e shihni, dhe numërimi është i qetë. Komisioni është i përqendruar në numërim, pjesa tjetër po pret rezultatin. Ka pritshmëri të lartë në fakt, jo vetëm nga anëtarët e Partisë Demokratike, por këtë lloj pritshmërie e kam ndjerë përgjatë gjithë kohës edhe në qytetin e Shkodrës. Është një ngjarje që ka valencën e duhur dhe kjo pritshmëri ka të bëjë dhe me atë shpresë dhe besimin që qytetarët duan të gjejnë brenda Partisë Demokratike, specifikisht këtu në Shkodër, por edhe në gjithë Shqipërinë. Dhe kjo gjë është reflektuar në fakt edhe në me pjesëmarrjen që theksuam që është relativisht e lartë.
Patjetër, çdo zgjedhje brenda partisë i shërben fushatave zgjedhore apo zgjedhjeve që vijnë, qofshin këto lokale ose qofshin politike. Dhe puna nis sapo zgjidhet kryetari i ri. Mos harrojmë që kemi dhe një proces tjetër zgjedhor. Pas zgjedhjes së kryetarit, dega hyn në zgjedhjen e pjesës drejtuese të strukturave, duke nisur nga kryetari i seksionit dhe më pas me kryetarët e grup-seksioneve dhe të pjesës së kryesisë në periudhën që hapen zgjedhjet edhe në Partinë Demokratike në gjithë Shqipërinë. Është një moment shumë i rëndësishëm i cili është përcjellë me këtë lloj serioziteti dhe që krijon një bazë të shëndoshë që të kemi një realizim të atyre qëllimeve që Partia Demokratike ka vënë vetes, bëhet fjalë këtu në Shkodër, për të marrë drejtimin e bashkisë. Jo vetëm kaq, por për të realizuar dhe qëllimet e tjera që janë më të afërta, të ketë një angazhim më të fortë në të gjithë proceset politike të Partisë Demokratike për të arritur synimin e një qeverie teknike. Kjo do të thotë më shumë angazhim, më shumë pjesëmarrje në protesta, dhe më shumë organizim, sikurse shumë më shumë afërsi me qytetarin dhe me strukturat e Partisë Demokratike.
Po, sigurisht që e realizoi, jo vetëm në Shkodër, por normal unë përshtypjet i jap drejtpërdrejta. Procesi jo vetëm në atë që ne theksuam dhe po e përsërisim që procesi ishte i qetë. Procesi ishte serioz edhe në mënyrën se si u përcoll fushata e kandidatëve të propozuar nga strukturat e Partisë Demokratike. Dhe pati normal dhe tërheqje nga gara, pati dhe sjellje të emrave nga qendra, në dy kandidatë dhe kjo krijoi një atmosferë edhe paqtimi midis dy kandidatëve që kanë bërë një fushatë krejtësisht qytetare. Sigurisht me lobimet e tyre, duke paraqitur dhe alternativën e tyre në takime, në grupe të caktuara dhe takime individuale. Dhe serioziteti i punës së tyre u pasqyrua dhe përgjatë ditës së sotme, ku thashë, procesi kishte seriozitetin e duhur, anën ceremoniale politike të duhur, angazhimin e duhur dhe ta shohim pastaj rezultati do tregojë se ku do shkojë përkrahja apo mbështetja më e shumtë dhe cili nga kandidatët do jetë kryetari i ri i PD-së në Shkodër.
© SYRI.net