SYRI TV/ Pretendon se nuk ka prova për Belindën, Rama: Për ne, 'Çështja Balluku' është e mbyllur

12:19, 15/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri Edi Rama e cilësoi të mbyllur çështjen Balluku, pavarësisht presioneve të ndërkombëtarëve dhe paralajmërimeve se vendimi për të mos lejuar arrestimin e saj do të sjellë pasoja në integrimin europian të vendit. Ndërsa pretendoi se kjo çështje nuk do të pengojë rrugën e integrimit, Rama e justifikoi vendimin e tij për të mbrojtur Ballukun me numrin e lartë të të paraburgosurve që qëndrojnë në burgje, edhe pse qeveria e tij ka nxjerrë ligje për burgosjen e qytetarëve edhe për shkelje banale, siç është parkimi dysh.

Teksa përdori forcën e kartonit për të mbrojtur Belinda Ballukun, akt i cili po rrezikon seriozisht procesin e integrimit europian të vendit, Kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij, duke deklaruar se e konsideron të mbyllur çështjen Balluku. I gjendur nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve, pas reagimit të ashpër të vendeve anëtare të Bashkimit Europian që kërkuan ndjekje penale pa pengesa për zyrtarët e lartë, Rama u përpoq të bindë qytetarët se procesi i integrimit nuk rrezikohet nga kjo çështje, por pa dhënë asnjë garanci të fortë se mbrojtja ndaj Ballukut nuk do të sjellë pasoja.

Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama e justifikoi vendimin për të mos lejuar arrestimin e ish-bashkëpunëtores së ngushtë si të ndikuar nga numri i lartë i të paraburgosurve në qeli, megjithëse qeveria e tij ka miratuar ligje për burgosjen e qytetarëve edhe për shkelje banale, siç është parkimi dysh në rrugë.

Rama iu kundërvu prokurorëve dhe gjykatësve, duke thënë se nuk mund të kërkojnë burgosjen e Ballukut pa prova konkrete, megjithëse në 16 mijë faqet e dosjes Balluku ka prova flagrante, mes të cilave spikasin ato të intimidimit të dëshmitarëve përmes grupeve kriminale.

Lidhur me ndërtimin e Portit në Porto Romano, Rama është përpjekur të tjetërsojë arsyet reale të anulimit të tenderit dhe tërheqjes së kompanisë së vetme në garë, e cila është akuzuar publikisht nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj për lidhje dhe financime ruse.

Sa i përket rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës, kryeministri u shpreh se qeveria nuk do të rrijë duarkryq, por do të ngrejë një faktor shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, pa thënë se si do të funksionojë dhe kur do të hyjë në fuqi ky mekanizëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco