Përjashtimi i gazetares Ambrozia Meta nga Rama/ KSHM: Dëmton llogaridhënien, qasje thellësisht jo-europiane!

Përjashtimi i gazetares Ambrozia Meta nga Rama/ KSHM: Dëmton llogaridhënien, qasje thellësisht jo-europiane!

20:45, 13/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Këshilli Shqiptar i Medias ka shprehur shqetësimin, lidhur me përjashtimin e gazetares së Syri Tv, Ambrozia Meta që Kryeministri Edi Rama i bëri gjatë konferencës që po mbante këtë të premte, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetares.

Përmes një deklarate zyrtare, Këshilli Shqiptar i Medias ngre shqetësimin për incidentin e ndodhur gjatë konferencës për shtyp të Kryeministrit Edi Rama pas përplasjes verbale me gazetaren Ambrozia Meta mbi një çështje me interes publik.

Sipas KSHM, përjashtimi i gazetarëve nga aktivitetet zyrtare për shkak të pyetjeve kritike, cenon parimin e aksesit të barabartë në informacion dhe dëmton klimën e llogaridhënies publike.

Këshilli Shqiptar i Medias shpreh gjithashtu shqetësim edhe për gjuhën e përdorur ndaj mediave kritike gjatë konferencës për shtyp, ku sipas saj, përdorimi i termave përçmues për të përshkruar media të caktuara rrezikon të stigmatizojë gazetarinë kritike dhe është një qasje thellësisht jo-europiane.

DEKLARATË

Këshilli Shqiptar i Medias shpreh shqetësimin për incidentin e ndodhur gjatë konferencës për shtyp të Kryeministrit Edi Rama më 13 mars 2026 në Tiranë, pas një përplasjeje verbale me gazetaren Ambrozia Meta mbi një çështje me interes publik.

Sipas raportimeve publike, gazetares iu komunikua se nuk do të lejohet më të marrë pjesë në konferencat për shtyp të Kryeministrit. Gjatë të njëjtit episod, gazetarit Isa Myzyraj, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë dhe Kryetari i Aleancës për Media Etike, iu kërkua gjithashtu të largohej nga salla pas një shkëmbimi verbal.

Debati i fortë mes gazetarëve dhe zyrtarëve publikë është pjesë normale e jetës demokratike. Megjithatë, përjashtimi i gazetarëve nga aktivitetet zyrtare për shkak të pyetjeve kritike cenon parimin e aksesit të barabartë në informacion dhe dëmton klimën e llogaridhënies publike.

Këshilli Shqiptar i Medias shpreh gjithashtu shqetësim edhe për gjuhën e përdorur ndaj mediave kritike gjatë konferencës për shtyp. Përdorimi i termave përçmues për të përshkruar media të caktuara rrezikon të stigmatizojë gazetarinë kritike dhe është një qasje thellësisht jo-europiane.

Po ashtu, deklaratat publike që lidhin media të caktuara me aktivitete kriminale, pa paraqitur prova dhe jashtë çdo procedure institucionale, janë presion i qartë mbi median kritike. Çdo pretendim i tillë duhet të trajtohet nga institucionet kompetente dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.

Këshilli Shqiptar i Medias u bën thirrje autoriteteve publike dhe institucionit të Kryeministrisë të garantojnë akses të hapur dhe të barabartë për gazetarët në aktivitetet zyrtare dhe të ruajnë një komunikim institucional që respekton rolin thelbësor të medias në një shoqëri demokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco