Shoqata e Gazetarëve të Vlorës është solidarizuar me gazetaren e Syri Tv, Ambrozia Meta, teksa kjo e fundit u përjashtua nga Kryeministri Edi Rama ndërsa mbante konferencë me gazetarët në institucionin e qeverisë.
Përmes një reagimi zyrtar Shoqata e Gazetarëve të Vlorës, (SHGV), thekson se aksesi i barabartë i gazetarëve në aktivitetet publike, është një element i rëndësishëm për garantimin e transparencës dhe informimit të publikut.
Sipas SHGV, përdorimi i gjuhës me tone denigruese apo etiketimet ndaj mediave mund të ndikojnë negativisht në klimën e dialogut publik dhe në marrëdhëniet mes institucioneve dhe gazetarëve.
Shoqata e Gazetarëve të Vlorës bën thirrje që çdo pretendim për shkelje ligjore nga ana e mediave duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse, në përputhje me ligjin dhe procedurat e përcaktuara.
Reagim i Shoqatës së Gazetarëve të Vlorës
Shoqata e Gazetarëve të Vlorës (SHGV) ka ndjekur me vëmendje konferencën për shtyp të zhvilluar nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë së cilës u evidentuan disa situata që kanë ngjallur shqetësim në komunitetin e gazetarëve lidhur me standardet e komunikimit institucional me median.
Në këtë kuadër, SHGV shpreh rezervat e saj për vendimin për përjashtimin e gazetares Ambrozia Meta nga konferencat për shtyp, duke theksuar se akses i barabartë i gazetarëve në aktivitetet publike është një element i rëndësishëm për garantimin e transparencës dhe informimit të publikut.
Po ashtu, Shoqata vlerëson se situata e krijuar gjatë ndërveprimit me gazetarin Isa Myzyraj nuk kontribuon në një klimë të qetë dhe konstruktive komunikimi mes institucioneve dhe medias, e cila është e domosdoshme në një shoqëri demokratike.
SHGV gjithashtu nënvizon se përdorimi i gjuhës me tone denigruese apo etiketimet ndaj mediave mund të ndikojnë negativisht në klimën e dialogut publik dhe në marrëdhëniet mes institucioneve dhe gazetarëve.
Çdo pretendim për shkelje ligjore nga ana e mediave duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse, në përputhje me ligjin dhe procedurat e përcaktuara.
Shoqata e Gazetarëve të Vlorës rithekson se liria e medias dhe e shprehjes janë parime themelore të një shoqërie demokratike, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në këtë frymë, SHGV inkurajon një komunikim institucional të matur, të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës me median, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së një dialogu profesional dhe konstruktiv në interes të informimit të publikut.
© SYRI.net