Rama përjashtoi nga konferenca gazetaren e SYRI TV, Vata: Po sulmon median për të mbrojtur pushtetin

Rama përjashtoi nga konferenca gazetaren e SYRI TV, Vata: Po sulmon median për të mbrojtur pushtetin

14:08, 13/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i qeverisë Edi Rama humbi kontrollin kur gazetarja e Syri TV i bëri një pyetje për të burgosurit për drita dhe ujë dhe mbrojtjen solide që Rilindja i bëri Belinda Ballukut, edhe pse SPAK kërkonte arrestimin e saj. Kjo solli edhe përjashtimin e gazetares Ambrozia Meta nga të gjitha konferencat e ardhshme për shtyp.

Në një reagim në rrjetet sociale, deputetja e PD-së Denisa Vata, e dënoi këtë sjellje, duke e cilësuar si presion ndaj medias dhe shmangie nga përgjigjja për një çështje që, sipas saj, prek drejtpërdrejt barazinë para ligjit.

Sipas Vatës, reagimi i kryeministrit dhe përjashtimi i gazetares nga konferenca për shtyp tregojnë një tendencë të pushtetit për të sulmuar median kur përballet me pyetje të pakëndshme politike.

Ajo thekson se pyetja e bërë nga gazetarja ishte një shqetësim që e ndajnë shumë qytetarë: pse shteti tregohet i ashpër ndaj njerëzve të zakonshëm për shkelje të vogla, ndërsa politika duket se gjen mënyra për të mbrojtur veten kur përballet me drejtësinë.

Postimi:

Sulmi i sotëm i Edi Rama ndaj Syri TV dhe gazetares Ambrozia Meta nuk ishte thjesht një moment nervozizmi në një konferencë shtypi,por reagimi i një pushteti që nuk pranon të përballet me një pyetje shumë të thjeshtë, por shumë të rëndë politikisht.

Pyetja e gazetares nuk ishte provokim,por një paralelizëm që shumë qytetarë e bëjnë çdo ditë:
si është e mundur që në këtë vend njerëz janë arrestuar për mospagimin e energjisë elektrike, për një ndërtim pa leje të një kasolleje për bagëtitë apo për shkelje të vogla administrative, ndërsa dje shumica parlamentare refuzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku?

Në vend që t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, Kryeministri zgjodhi një tjetër rrugë: sulmin ndaj medias që e bëri pyetjen.
Ai akuzoi Syri TV për pastrim parash dhe tha se televizioni është i denoncuar në prokurori. Por është po aq fakt se ish-zëvendëskryeministri i tij, Arben Ahmetaj, sot në arrati dhe me azil politik në Zvicër, ka deklaruar publikisht pikërisht në studion e këtij televizioni se një dosje që i ishte paraqitur nga Edi Rama për këtë çështje nuk përmbante prova për pastrim parash.

Por presioni nuk u ndal me kaq.
Gazetarja Ambrozia Meta u përjashtua nga konferenca për shtyp bashke me disa kolegë që u sensibilizuan dhe iu ndalua hyrja në Kryeministri.
Rama ose i blen mediat ose i zhduk.

Dhe kjo nuk është hera e parë.
Sulmet ndaj mediave si Ora News, News24, Agon Channel apo mediave të tjera janë bërë pothuajse rutinë.

Edhe më shqetësuese ishte gjuha e përdorur ndaj partnerëve ndërkombëtarë, pas reagimeve të ambasadave për zhvillimet e djeshme. Deklarata se “të mos guxojnë të më shohin nga lart poshtë” nuk është gjuhë që i shërben një vendi që aspiron integrimin europian.

Sepse në thelb pyetja ishte kjo:

si është e mundur që shteti mund të jetë kaq i ashpër me qytetarët e zakonshëm për shkelje minimale, ndërsa politika duket se ka mekanizma për të mbrojtur veten kur përballet me drejtësinë?

Sepse ndonjëherë një pyetje e thjeshtë zbulon një problem shumë më të madh sesa çdo akuzë politike.

Dhe problemi që u prek sot është pikërisht ai që shqetëson gjithnjë e më shumë qytetarët:

a është drejtësia e njëjtë për të gjithë, apo ndryshon kur bëhet fjalë për pushtetin?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco