'Kryeqyteti në kolaps', Hoxha: 10 vite keqqeverisje, kërkohet auditim i plotë i Bashkisë Tiranë

'Kryeqyteti në kolaps', Hoxha: 10 vite keqqeverisje, kërkohet auditim i plotë i Bashkisë Tiranë

10:10, 13/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tirana po përballet me një krizë të thellë menaxhimi pas një dekade keqqeverisjeje, ku abuzimet financiare, projektet e zvarritura dhe premtimet e thyera kanë krijuar një situatë emergjente dhe kërkesa për auditim të plotë të Bashkisë. Afera si “5D” dhe punimet e papërfunduara në zona si ish-Kinostudio apo Tregu Elektrik janë dëshmi e një administrimi të dështuar dhe të investimeve pa planifikim.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, gazetari Julian Hoxha theksoi se Tirana po përballet me pasojat e një keqqeverisjeje 10-vjeçare në Bashkinë e kryeqytetit, e cila ka prodhuar abuzime financiare, projekte të zvarritura dhe taksa që rëndojnë drejtpërdrejt qytetarët.

Hoxha ngriti shqetësimin se fondet publike janë administruar në mënyrë problematike, ndërsa premtimet për strehim social, infrastrukturë, ujë të pijshëm dhe shërbime bazë kanë mbetur në letër.

Sipas tij, situata në Bashkinë e Tiranës kërkon një auditim të plotë financiar dhe transparencë të menjëhershme për mënyrën se si janë përdorur qindra miliona euro të buxhetit të qytetit.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, Tirana është… po them që vetëm disa nga projektet e 5D-së u zvarritën në mënyrë të tillë sa edhe sot e kësaj dite, po të shkosh për shembull në ish-Kinostudio apo te Liqeni i Thatë, ka disa projekte të cilat u tenderuan pikërisht nga kjo kompani, u përfituan nga kjo kompani dhe nuk përfunduan kurrë ashtu siç duhet.

Por tek pjesa politike unë dua të them që sot Tirana, për shkak të keqmenaxhimit 10-vjeçar që iu bë nga kryebashkiaku i cili ndodhet sot pas hekurave, ka pësuar një traumë për të cilën do të duhet shumë kohë që ta marrë veten.

Abuzimi financiar në bashkinë më të madhe të vendit, e cila ka pasur një buxhet mesatarisht në këto vite mbi 250 milionë euro në vit dhe që sot ka shkuar rreth 400 milionë euro në vit, sigurisht që tregon se Tirana ka pësuar trauma të cilat nuk rekuperohen lehtë.

Po të shohësh me imtësi rrugët ku janë bërë investime, infrastruktura nuk është se lë për të dëshiruar, por janë rrugë të cilave, pasi u është hedhur një shtresë asfalti elektoral, sot janë rihapur. Po të shkoni, për shembull, në një nga lagjet që e dimë mirë, ka nisur një projekt që kur Erion Veliaj ishte kryetar bashkie dhe kishte afatin e punimeve rreth tetë muaj, në lagjen në ish-zonën e Tregut Elektrik. Dhe ende sot e kësaj dite ai projekt nuk ka përfunduar.

Nuk ka përfunduar. Ka pafund probleme. Uji i pijshëm, një nga premtimet e mëdha që do të zgjidhej me miliona euro kredi që u morën gjatë kohës që Veliaj ishte kryetar bashkie, edhe sot e kësaj dite nuk është zgjidhur dhe qytetarët e Tiranës nuk kanë ujë të pijshëm, sidomos në zonat periferike.

Doni të shkojmë te kopshtet, te shkollat, te çerdhet? Jemi përsëri me mësim me dy turne. Jemi përsëri në kushte ku qytetarët e Tiranës kanë pamundësi, për shembull, të aksesojnë transportin publik, gjithashtu një nga premtimet që do të zgjidhej nga kjo administratë që është drejtuar nga Erion Veliaj.

Dhe sot unë vërej një gjë: kam vënë re që investimet në Bashkinë e Tiranës, ndoshta edhe për frikë të hetimeve që ka zhvilluar dhe zhvillon SPAK, kanë rënë në mënyrë të ndjeshme. Prokurimet publike për investime kanë rënë në mënyrë të ndjeshme dhe ndoshta këtu jemi në pikën që, ashtu siç ka kërkuar opozita në Këshillin Bashkiak, këshilltarët e opozitës, të cilët në forma nga më të ndryshmet kanë ngritur zërin dhe me shkresa kanë kërkuar auditim, sot Tirana është në kushtet e një emergjence jo vetëm për auditim, por të një emergjence më të gjerë.

Po themi auditimi financiar, sepse përmes auditimit financiar do të arrijmë të kuptojmë nivelin e abuzimit. Flavio, ne e kemi trajtuar në emisionin Plug dhe ju kujtohet vitin e kaluar që kemi bërë një emision vetëm për mbledhjen e taksës 3% për banesat sociale.

Po, e paguajmë të gjithë. Domethënë e paguajnë ndërtuesit, por ndërtuesit ua marrin qytetarëve duke rritur çmimet, duke bërë çmimet e qirave apo të shitjes së apartamenteve në nivele stratosferike. Janë mbi 100 milionë euro që janë mbledhur për këtë hapësirë që do të shkonte për strehimin social.

Sa banesa ka marrë Bashkia e Tiranës apo sa banesa ka ndërtuar? Kanë përfituar familjet e reja, çiftet e reja që kanë pamundësi për të përballuar çmimet sot në kryeqytet? Është më pak se 30 apartamente të marra.

Pra, është paguar 3% për çdo ndërtim dhe janë marrë vetëm rreth 30 apartamente, ndërkohë që janë mbledhur mbi 100 milionë euro. Nëse këto para do të ishin investuar direkt në ndërtimin e banesave sociale, apo do të jepeshin masivisht kredi të buta që të subvencionoheshin të rinjtë, familjet e reja, çiftet e reja, sot Tiranën nuk do ta kishim në këto kushte.

Por këta, përveç se i kanë zhvatur qytetarët dhe ndërtuesit, po vazhdojnë t’i zhvasin edhe në forma të tjera, sepse u kanë krijuar ndërtuesve mundësinë që të abuzojnë me çmimet e ndërtimeve në Tiranë.

Por jo vetëm kaq. Kemi emergjenca pafund në kryeqytet. Folëm për taksën e ndikimit në infrastrukturë, apo për taksën e famshme të arsimit, e cila do të duhej të shkonte për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve, një premtim i vazhdueshëm, dhe sot Tirana përsëri ka të njëjtin problem: shkolla me dy turne, kopshte dhe çerdhe që mungojnë në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe shumë histori të tjera të tilla.

Pra, nga pikëpamja politike por edhe juridike, Tirana sot, për mendimin tim, do të duhej të ishte e rrethuar me shirit. Bashkia. Qyteti është një histori më vete. Pse? Sepse ne shohim pjesën urbane të Tiranës, që është një katastrofë më vete. Por në të njëjtën situatë, ndoshta edhe më keq, është edhe pjesa rurale e kryeqytetit, sepse investimet kanë qenë pothuajse inekzistente në zonat rurale të Tiranës.

Ndaj sot në Tiranë duhet patjetër të ndodhë ajo që është kërkuar: të ngrihet një grup auditimi, ndoshta edhe një agjenci e huaj, për të audituar në mënyrë efikase të gjitha fondet.

Deri tani nuk ka asnjë të dhënë që kjo do të ndryshojë.

Edi Hoxha është nën hetim dhe me shumë probleme, të paktën sipas të dhënave të hapura nga burime dhe artikuj mediatikë. Dyshohet se ka indicie për lidhje me trafik të lëndëve narkotike.

Unë mendoj që kjo parti që është në pushtet e ka kthyer në lajtmotiv të vetin faktin që nuk mund të bëhesh pjesë e saj dhe të marrësh poste drejtuese pa pasur një precedent penal apo pa pasur një indicie të tillë. E pamë çfarë ndodhi te IKMT-ja, e kemi parë çfarë ndodhi që në vitin 2013 në parlament, se sa kërkesa për heqje imuniteti u bënë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda për arrestimin e deputetëve socialistë.

Kemi parë shumë kryebashkiakë me të njëjtat CV dhe kemi treguar, e do të tregojmë në vijim, edhe kryebashkiakë të tjerë që kanë nga katër apo pesë dënime, fshehje pasurie dhe probleme të tjera. Pra, kjo parti duket se i përzgjedh me kujdes pikërisht njerëzit që kanë të tilla probleme.

Unë nuk e di pse e bën, por kam një koment deduktiv: ndoshta i duhen sepse i përdor, i shtrydh dhe pastaj i çon pikërisht atje ku kanë habitatin e tyre natyral.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco