Gazetari i njohur kosovar, Augustin Palokaj, një nga reporterët më të vjetër dhe me më shumë njohje në Bruksel, paralajmëroi mbrëmë bllokimin e negociatave të integrimit me Shqipërinë.
Sipas tij, BE nuk do të miratojë raportin IBAR, i nevojshëm për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave.
“Dështimi i Kuvendit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e rrezikon rrugëtimin e Tiranës zyrtare drejt Bashkimit Evropian, kanë thënë disa diplomatë në Bruksel. Sipas tyre, shtetet anëtare presin që politika të mos e pengojë sundimin e ligjit dhe se për këtë, nuk do të jenë të gatshme të miratojnë raportin “IBAR”, i cili mundëson nisjen e mbylljes së kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë në bllokun evropian,” tha Palokaj.
Por më herët ishin gjermanët që paralajmëruan se Berlini do bëjë bllokadë duke mos miratuar raportin IBAR.
Kjo gjë u bë e ditur në një raport të Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Ndërkohë, Shqipëria do të vazhdojë të shihet poshtë pragut kritik derisa të marrë një Raport Vlerësimi të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) pozitiv nga Komisioni Evropian. Berlini po i trajton rastet e fundit të korrupsionit të profilit të lartë në Tiranë më rreptë se shumë shtete të tjera anëtare të BE-së. Ai dëshiron që ministrat e dyshuar jo vetëm të shkarkohen nga qeveria, por edhe të hetohen siç duhet nga prokurorët specialë. Por, sapo Shqipëria të kalojë këtë raport IBAR, i cili është kushti formal për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave, ajo mund t'i bashkohet Malit të Zi, së bashku me Islandën, si pjesë e një marrëveshjeje pakete zgjerimi e cila mund të përfshijë gjithashtu një status të veçantë 'para-anëtarësimi' për Ukrainën dhe Moldavinë,” thuhej në raport.
Ndërkohë ambasada gjermane në Tiranë reagoi ashpër ndaj vendimit të socialistëve për të mos lejuar arrestimin e Belinda Ballukut.
© SYRI.net