Eksperti: Mazhoranca përdor kartonët për të mbrojtur zyrtarët e akuzuar

Eksperti: Mazhoranca përdor kartonët për të mbrojtur zyrtarët e akuzuar

09:34, 13/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria shqiptare është përfshirë në një “luftë të hapur ndaj drejtësisë”, duke përdorur forcën e votave në Kuvend për të mbrojtur zyrtarët e saj nga përballja me ligjin.  Kjo qasje cilësohet si paradoksale dhe e turpshme për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

I ftuar mëngjesin e sotëm në 'Kafe Shqeto'avokati Redi Ramaj tha se, veprimet e fundit të mazhorancës në parlament kanë treguar një standart të dyfishtë në zbatimin e ligjit.

Ndërsa zyrtarë të lartë të akuzuar për shpërdorime fondesh prej qindra milionë eurosh mbrohen me dhunë politike, qytetarët e thjeshtë ndëshkohen maksimalisht për shkelje shumë më të vogla, si mospagesa e një fature energjie elektrike prej 30 mijë lekësh apo një ndërtim pa leje.

Sipas avokatit, kjo sjellje dëshmon se Reforma në Drejtësi, e nisur në vitin 2016, nuk është konceptuar për të goditur pushtetarët, por është zbatuar kryesisht mbi qytetarët e zakonshëm.

Mbrojtja e zyrtarëve me imunitet apo me votë politike shihet si një tradhti ndaj mandatit të dhënë nga populli, i cili nuk ka votuar që mazhoranca të mbrojë veten nga drejtësia.

Lidhur me rastin specifik të ish-ministres Belinda Balluku, avokati tregoj se votimi në Kuvend që refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për masë të rëndë sigurie, nuk e ndalon procesin ligjor.

Sipas tij, ky vendim thjesht pengoi zbatimin e masës “arrest në burg” apo “arrest shtëpie”. Megjithatë, SPAK ka të drejtë të vazhdojë hetimet dhe ta dërgojë çështjen për gjykim. Kjo do të thotë se zonja Balluku do të përballet me drejtësinë, por pa qenë nën një masë shtrënguese sigurie. Pritet që prokuroria të dërgojë provat në gjykatë, duke i hapur rrugë gjykimit të themelit të çështjes.

Deklarata e plotë:

"Unë u përpoqa dhe më herët që të thosha që e gjithë kjo çështje, kuptohet që kryeministri ka shpallur një luftë të hapur dhe të pastër ndaj drejtësisë.

Ai ka qenë në konflikt me pushtetin gjyqësor dhe më herët, por vazhdon dhe e elaboron dhe e shton këtë lloj lufte, këtë lloj konflikti.

Është e turpshme se si një vend i cili ka premisa apo ka interes për të shkuar drejt Bashkimit Europian, sillet me këtë lloj forme ndaj zyrtarëve të cilët kanë akuza të rënda për korrupsion.

Çdo zyrtar duhet të përballet me drejtësinë, për shkak të postit, mos të trajtohet si një  individ i cili ka një imunitet të veçantë vetëm për faktin sepse është deputet apo ministër.

Në një kohë, siç thashë, ka akuza të rënda ndaj këtyre zyrtarëve dhe përballja e vetme e tyre është me pushtetin gjyqësor.

Mund të jenë të pafajshëm dhe gjykata do ta provojë dhe do ta nxjerrë këtë fakt. Dhe kjo do ishte një fitore për Partinë Socialiste.

Por në momentin që sot që flasim, ka akuza, flasim për shpërdorime qindra miliona euro, kjo lloj sjellje në parlament kur mbrohet me dhunë, shoku i tyre, një pushtetar i rëndësishëm i Partisë Socialiste, atëherë do të thotë që e gjithë kjo çështje e reformës në drejtësi prej vitit 2016 nuk është bërë për zyrtarët, për pushtetarët, është bërë vetëm për qytetarët e thjeshtë të cilët, siç ju e dini dhe e keni trajtuar, janë dënuar për 30.000 lekë mospagim fature dritash, janë dënuar për një ndërtim, për një çati, ndërtim pa leje, apo për raste dhe më të rënda dhe janë arrestuar dhe dënuar maksimalisht.

Kjo nuk është drejtësi, kjo nuk është politikë që bën Partia Socialiste dhe të gjitha bashkë na çojnë në faktin që, jemi përpara një situate paradoksale ku mazhoranca me dhunë, me forcë kartonash, për të cilën nuk është mandatuar meqënëse po flitej këtu nga qytetarët për të mbrojtur veten e saj, bën pikërisht të kundërtën, pra mbron me anë të politikës, me anë të forcës së kartonit, mbron veten e saj nga drejtësia.

Votimi i djeshëmpërkthehet ndryshe në mosdhënien e miratimit nga Parlamenti të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për një masë sigurimi të rëndë, që ishte arrest në burg ose arrest në shtëpi.

Pra, Prokuroria e Posaçme me akuzat e saj që ka me një çështje tjetër ose me disa çështje të tjera, përtej çështjes që e ka marrë të pandehur zonjën Balluku, mundet tani që të zhvillojë hetimet pa pasur një masë sigurimi të re, të rëndë, siç e thashë, sepse këtë nuk ia ka dhënë mundësinë Parlamenti".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco