Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, rrëzoi këtë të enjte padinë e ngritur nga Edi Rama ndaj liderit të Partisë Demokratike për fyerje. Sipas dosjes, kjo padi erdhi pas deklaratave të bërë nga Berisha në vitin 2018, në emision e drejtuar atë kohë nga Eni Vasili, në Top Channel.
Me padinë e ngritur, Rama kërkonte dëmshpërblim prej 1,000,000 lekësh të rinj, duke pretenduar se deklaratat e Berishës për çështje si Olsi Rama, laboratorët e drogës në Xibrakë, lidhje të pretenduara me krimin e organizuar, si dhe referencat ndaj figurave si Vangjush Dako apo grupi i Vëllezërit Avdylaj, përbënin shpifje dhe cenim të reputacionit.
Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja e Berishës paraqiti edhe një kundërpadi ndaj Ramës, lidhur me një reagim të këtij të fundit disa muaj më vonë në rrjetet sociale dhe në platformën ERTV, ku në përgjigje të një ndjekësi Rama përdorte epitete dhe ofendime ndaj Berishës. Edhe kjo kundërpadi u rrëzua nga gjykata në të njëjtin vendim.
Procesi gjyqësor zgjati afro tetë vite nga momenti i deklaratave të bëra në vitin 2018. Në përfundim, gjykata vendosi të mos pranojë as pretendimin e Ramës për shpifje dhe as kundërpadinë e Berishës.
© SYRI.net