‘E ka kthyer Shqipërinë në Republikën e Korrupsionit’, Këlliçi: Rama nuk mbrojti Ballukun por veten nga prangat

12:57, 12/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës socialiste pas seancës parlamentare ku u rrëzua kërkesa e SPAK. Gjatë një interviste për Syri tv Këlliçi tha se kryeministri nuk mbrojti zëvendësen e tij Belinda Balluku, por mbrojti veten "nga prangat" dhe e ka kthyer Shqipërinë në "Republikën e korrupsionit". Ai paralajmëroi një përshkallëzim të aksionit opozitar, duke ftuar qytetarët në protestën kombëtare të 22 marsit.

Votimi në Kuvend ishte pjesë e një "skenari të përgatitur" nga mazhoranca për të provokuar opozitën dhe për të kaluar me shpejtësi vendimin pa debat. Ai i cilësoi 82 votat pro rrëzimit të kërkesës si "votat e turpit", duke shtuar se Kuvendi i Shqipërisë është kthyer zyrtarisht në një "bunker dhe mburojë të korrupsionit". Në këtë kontekst, ai përgëzoi tre deputetë të Partisë Socialiste, duke përmendur Spiropalin, Xhafën dhe Gonxhën, që nuk iu bashkuan asaj që ai e quajti "maskaradë dhe atentat ndaj Republikës".

Më tej, deputeti demokrat deklaroi se me këtë vendim, kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij kanë fituar një "imunitet të veçantë për të vjedhur qytetarët". "Nga sot Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij janë mbi ligjin," u shpreh ai, duke pretenduar se u është dhënë një mesazh i qartë të gjithë keqbërësve se ata janë të mbrojtur nën qeverisjen aktuale.

Këlliçi theksoi se vendimi i Kuvendit ka "shkallmuar zyrtarisht" procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shtuar se kryeministri Rama nuk e dëshiron integrimin. "Një Europë e cila ka dhe Shqipërinë brenda, është një Europë e cila ka të gjithë mekanizmat e kontrollit, transparencës dhe të imponon ato standarde që kanë demokracitë funksionale," argumentoi ai, duke shtuar se Rama si "kryeministri më i korruptuar në Europë" nuk mund t'i mbijetojë një sistemi të tillë.

Marsi Korreshi: Jam me deputetin e Partisë Demokratike, zotin Belind Këlliçi, i cili ishte pjesë edhe e protestës brenda kuvendit, por edhe në atë jashtë kuvendit. Pas asaj që ndodhi, ku mazhoranca, ashtu siç pritej, me fuqinë e kardhonit rrëzoi kërkesën e SPAK-ut. Çfarë do të thotë kjo për parlamentin? Ju ishit prezent, protestuat, madje ishit edhe nga ata deputetë që kërkuat që të mos provokoheshit nga mazhoranca...

Belind Këlliçi: Shumë e vërtetë, pasi ka patur një skenar 24 orët e fundit, të përgatitur nga mazhoranca dhe nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, deputeti 0900, për të provokuar deputetët e opozitës, për të inskenuar një incident, për të patur një sherr, në mënyrë që ata të mbyllin seancën menjëherë, se ju e patë që kaluan direkt në votim dhe në mënyrë që qytetarët të mos kishin mundësi të dëgjonin argumentat se përse nga dita e sotme, Kuvendi i Shqipërisë zyrtarisht është kthyer në një bunker dhe mburojë të korrupsionit dhe Edi Rama e ka kthyer Republikën e Shqipërisë në Republikën e korrupsionit. Ato 82 votat e sotme, në të cilat në fakt aty unë do të doja sinqerisht dhe këtë e them pa asnjë kompleks, të përshëndes të paktën tre deputetë të Partisë Socialiste, duke nisur nga Spiropali, që hera e parë që e përmend emrin e Xhafës për mirë në këtë rast, por dhe Blendi Gonxhën, për faktin që nuk i janë bashkuar kësaj maskarade dhe këtij atentati që është bërë sot Republikës së Shqipërisë, procesit të integrimit europian të vendit tonë dhe kërkesave që vijnë nga perëndimi në mënyrë specifike nga Brukseli.

Ajo që ka ndodhur sot me 82 votat e turpit, është një rast i paprecedent, është një moment reflektimi për çdo qytetar shqiptar me apo pa parti politike për të kuptuar se sot Edi Rama ka kaluar çdo vijë të kuqe çdo limit. Nga dita e sotme, pra zyrtarisht, kabineti i kryeministrit, bashkëpunëtorët e tij kanë një imunitet të veçantë për të vjedhur qytetarët. Nga sot ne nuk kemi më një prokurori speciale apo të posaçme, por kemi një prokurori të zakonshme dhe kemi një qeveri speciale. Që do të thotë, nga sot Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij janë mbi ligjin, i kanë dhënë një mesazh të qartë të gjithë keqbërësve, të gjithë banditëve, të gjithë hajdutëve, të gjithë kleptomanëve, të gjithë atyre njerëzve të cilët ushtrojnë funksione publike dhe nuk shkojnë aty për të garantuar buxhetin e qytetarëve apo për të mirëmenaxhuar buxhetin e qytetarëve, por shkojnë për t'i vjedhur qytetarët. U kanë dhënë kurajo dhe u kanë dhënë një mesazh të qartë se me Edi Ramën në krye të qeverisë, çdo hajdut në Republikën e Shqipërisë ka imunitet tashmë. Kjo që ka ndodhur është tërësisht e papranueshme, nuk është e papranueshme vetëm për Partinë Demokratike, është e papranueshme për çdo qytetar shqiptar. E keni parë që është e papranueshme edhe për deputetët e vet. Edhe njëherë po e them. Treshja Spiropali, Xhafa dhe Gonxhja, sot do të duhet të paktën të kenë një vlerësim, pavarësisht se janë pjesë e bandës, pavarësisht se janë pjesë e keqbërësve, pa diskutim ka një moment reflektimi ku mjaft është mjaft. Është është çmenduri kjo që ka ndodhur.

Marsi Korreshi: Po mungesën e Ballukut si e cilësoni?

Belind Këlliçi: Nuk mundet, ajo të përballet dhe të ballafaqohet me faktet dhe me deputetët e opozitës. Balluku kishte rastin sot që të vinte në seancë, i takonte në fillim të mbante fjalën e saj, të paraqiste argumentat e saj, të krenohej me investimet e saj, të krenohej me punën e saj gjashtë vite në dikasterin më të rëndësishëm, në Ministrinë e infrastrukturës, të krenohej për veprat e saj infrastrukturore, dhe t'i thonte qytetarëve shqiptarë se pse mendon se ajo në këtë moment do të duhej të vijonte të gëzonte imunitetin dhe do të duhet që të mos shkojë para drejtësisë siç e kërkon në fakt dhe organi i akuzës. Por këtë nuk e bën dot. Një zëvendës kryeministre e kapur në flagrancë, e akuzuar për shpërdorimin e të paktën 1.1 miliardë eurove, pra këta kanë kaluar në miliardë tashmë. Këta nuk flasin më me miliona, flasin me miliardë dhe këtë standart e ka vendosur e para Balluku, sigurisht që nuk mund të dalë para qytetarëve, nuk mund të dalë para parlamentit, nuk mund të dalë para opozitës. Kjo që bëri Balluku pritej dhe sigurisht pengmarrja që Balluku i ka bërë Edi Ramës nuk është vetëm në aspektin e marrëdhënies së tyre personale, por ka të bëjë me faktin se në këtë aferë është për herë të parë i kapur në flagrancë drejtpërdrejt vetë Edi Rama. Sot Edi Rama, dhe dua t'ia jap mesazh të qartë për ata që na ndjekin, nuk ka mbrojtur Belinda Ballukun. Sot Edi Rama ka mbrojtur Edi Ramën nga prangat dhe nga drejtësia që shumë shpejt do t'i trokasë edhe atij në zyrë dhe unë për këtë jam i bindur 100%. Por unë do të gjeja rastin t'i bëj një thirrje çdo qytetari që na ndjek, çdo qytetari shqiptar brenda dhe jashtë vendit, ta shfrytëzojë datën 22 mars. Datën në të cilën ne kemi thërritur protestën kombëtare që jua garantoj do të jetë një protestë jashtëzakonisht ndryshe dhe shumë shumë shumë e fortë, të vijnë në Tiranë për t'iu bashkuar thirrjes së opozitës, jo për një protestë partiake, por për një protestë pa diskutim politike, për një protestë mbi të gjitha kombëtare që bëhet për flamurin kombëtar. Nuk bëhet për flamurin e PD-së, nuk bëhet për partitë politike, bëhet për çdo qytetar shqiptar. Edi Rama çdo ditë që shkon në zyrë, çdo ditë që qëndron në zyrë, është një rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por mbi të gjitha për paratë publike dhe për fondet publike të qytetarëve shqiptarë…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco