Opozita ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke deklaruar se mazhoranca po i vendos "bllokadë" SPAK-ut dhe se institucioni i drejtësisë së re "teorikisht dhe praktikisht ka vdekur".
Në një prononcim për gazetaren e Syri Tv, Marsi Korreshi, deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, u shpreh se SPAK tashmë lejohet të përdoret vetëm kundër liderëve të opozitës, por jo kundër aferave korruptive ku, sipas tij, është i përfshirë edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas Xhaferrit, Parlamenti aktual është ilegjitim dhe ka shkelur premtimet elektorale që ishin kusht edhe nga partnerët ndërkombëtarë për integrimin europian, siç ishte mbrojtja e SPAK dhe mosbërja pengesë për kërkesat e drejtësisë.
Ai theksoi se kjo lëvizje e mazhorancës është një hap më tej drejt autokracisë, të cilën "sot Edi Rama e zyrtarizoi".
Në përgjigje të kësaj situate, opozita ka paralajmëruar protesta të fuqishme, duke nisur me atë të datës 22 mars, ku Xhaferri konfirmoi se aksioni opozitar do të intensifikohet dhe përshkallëzohet më tej.
"Partia Demokratike është duke bërë detyrën e saj, tashmë është dhe koha që populli shqiptar të bëjë detyrën e tij," përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se hapat e mëtejshëm organizativë do të vendosen së shpejti nga strukturat drejtuese të partisë.
Është një parlament i legjitim tashmë edhe në premtimet e saj elektorale që ishin fasada e farsës elektorale, të cilat ishin që do jemi, do shkojmë në Bashkimin Europian, pra do mbyllim negociatat dhe patjetër që partnerët ndërkombëtarë këtë e vunë kusht që parlamenti nuk duhet të bërë pengesë për çfarëdo lloj kërkese që do ketë drejtësia.
Sot, SPAK-u është bërë teorikisht dhe praktikisht ka vdekur, sepse është vetëm një SPAK që lejohet të përdoret kundër liderëve të opozitës, sidomos në vite elektorale dhe edhe ajo është një krim elektoral më vete dhe nuk lejohet të përdoret kundër aferave korruptive që ku dhe vetë Edi Rama është i përfshirë.
Kësaj do t'i përgjigjemi me protesta, me protesta shumë të fuqishme, ku do mobilizohemi dhe do ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë që të reagojnë, por mbi të gjitha tashmë ka ardhur koha të reagojnë dhe qytetarët që në sondazhe mbështesnin reformën në drejtësi dhe SPAK-un në nivele 90% të frikshme, të cilat tashmë duhet të tregohen në sheshet e Shqipërisë. Ose përndryshe edhe ajo ka qenë një manipulim i radhës i kohës së kaluar të kësaj mazhorance të korruptuar.
Mendoj që trupat diplomatike duhet të kishte qenë në atë seancë, siç ka qenë edhe në 2016-ën për votimin e kësaj reforme në drejtësi. Pra, bojkoti nuk është, mendoj, reagimi i duhur, por tashmë nuk duhet të rrimë vetëm në kuadrin e disa deklaratave publike, të cilat akoma nuk po jepen shumë të qarta, por duhet të kalojmë në akte të vërteta politike nga partnerët tanë ndërkombëtarë për të mbrojtur pikërisht atë investim që ata kanë bërë. Por mbi të gjitha, për të ndaluar këtë autokraci, të cilën sot Edi Rama e zyrtarizoi dhe në një hap akoma dhe më tej.
Opozita e ka intensifikuar, e ka përshkallëzuar dhe do vazhdojë ta përshkallëzojë akoma më tej. Hapat organizativ se si kjo do bëhet, patjetër do vendosen në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, mbledhjen e grupit parlamentar, të cilat do jenë shumë të shpejta dhe ne do dalim në aksionin tonë të radhës opozitar. Por Partia Demokratike është duke bërë detyrën e saj, tashmë është dhe koha që populli shqiptar të bëjë detyrën e tij.
© SYRI.net