Balliu: Hajdutët në pushtet po vjedhin qytetarët, koha për ndryshim është tani

Balliu: Hajdutët në pushtet po vjedhin qytetarët, koha për ndryshim është tani

11:19, 12/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës që po mbahet jashtë Kuvendit, tha se qytetarët shqiptarë janë të detyruar të reagojnë kundër një qeverie që prej 14 vitesh ka përfituar nga paratë e tyre dhe ka larguar 1.4 milionë shqiptarë nga vendi.

Balliu u shpreh se vetëm largimi i “hajdutëve” nga pushteti mund të sigurojë drejtësi dhe transparencë, duke vënë në pah rolin e dështuar të institucioneve që duhet të mbronin qytetarët.

Gjatë fjalës së tij, deputeti theksoi se qeveria dhe kryeministri Edi Rama janë përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë, për pengimin e drejtësisë dhe për kërcënimin e integritetit të gjyqësorit, ndërsa efektivët e Policisë së Shtetit janë përdorur për të penguar protestuesit dhe jo për të ndjekur hajdutët.

Balliu bëri thirrje që policia të bashkohet me qytetarët për të mbrojtur të drejtat e tyre, ndërsa nënvizoi se vendi nuk mund të qëndrojë më nën pushtetin e “narkokryeministrit” dhe administratës së tij.

Sipas Balliut, kjo qeveri ka mbi kurriz lotët e familjeve të ndara nga kurbeti, gjakun e viktimave të përplasjeve të bandave dhe boshllëkun e xhepeve të qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në pengimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Deklarata e plotë:

“Qytetarët kanë luftuar dhe kanë punuar që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë. Nuk mundet që të ketë burg për ata që protestojnë kundër korrupsionit dhe amnisti për ata që i vjedhin qytetarët.

Të nderuar miq! Sot, demokracia, pluralizmi, Shqipëria na thërret si shoqëri që të reagojmë, të reagojmë kundër një pushteti që prej 14 viteve ka larguar 1.4 milionë shqiptarë vetëm për të mbushur xhepat e veta me paratë tuaja.

 Ka vetëm një formë, ka vetëm një mënyrë se si mundet që paratë e qytetarëve të shërbejnë për qytetarët: të largohen hajdutët!

Hajdutët që janë sot në atë sallë, hajdutët që janë në kryeministri, hajdutët që janë në çdo drejtori.

Të gjithë ata që dëgjoni analistat e pavarur të qeverisë që dalin sot nëpër ekrane dhe kërkojnë të justifikojnë, kërkojnë të justifikojnë një akt kriminal.

Një akt i cili po bën kurban Shqipërinë dhe integrimin tonë në Bashkimin Europian.

Një akt i cili përbën kërcënimin më të madh për pavarësinë e gjyqësorit.

Një akt i cili përbën kërcënimin më të madh për jetën e çdo qytetari dhe për jetën e çdo dëshmitari që me kurajo ka treguar se Lubi Balluku dhe Edi Rama janë përgjegjësit për vjedhjen e parave të qytetarëve shqiptarë.

 Sot ata mendojnë, sot ata mendojnë se me ata efektivë policie që i ka lënë aty, do mund të ndalojnë revoltën shpirtërore, morale që ka sot çdo qytetar që do Shqipërinë, që i do drejtësinë, që do demokracinë.

Absolutisht jo! Këtu na kanë sot, këtu na kanë nesër dhe çdo ditë në përballje me narkoshtetin.

 Çdo ditë në përballje me narkokryeministrin. Shikoni, sot një thirrje e kam edhe për Policinë e Shtetit. Jemi i vetmi vend në botë, gjykata, drejtësia, efektivë të nderuar, ju ka thënë shkoni në atë sallë dhe arrestoni Lubi Ballukun.

 Është detyra juaj! Jemi i vetmi vend në botë që policia në vend të arrestojë hajdutët, vjen dhe pengon protestuesit.

 Një polici e cila i shërben hajdutit nuk është polici e shtetit, por është polici e pushtetit. Dhe ndaj policisë së pushtetit nuk mund të kemi absolutisht asnjë rezervë me denoncimet tona.

Unë i them policëve sot, bashkohuni me protestuesit edhe për të drejtat tuaja. Bashkohuni me protestuesit edhe për familjet tuaja.

Sot, jo vetëm qytetarët shqiptarë, po e gjithë Europa dhe e gjithë bota e ka parë se çfarë qeverie është kjo.

Kjo është qeveria e cila në kurrizin e vet ka lotët e nënave që janë ndarë nga familjet, nga fëmijët e tyre, sepse kanë marrë kurbetin. Kjo është qeveria që në kurrizin e vet ka gjakun e Ardit Gjoklajt.

Kjo është qeveria që në kurrizin e vet ka gjakun e atyre qytetarëve që kanë mbetur viktima nga përplasjet e bandave, të bandave që mbajnë këta në pushtet, nga përplasjet e kriminelëve, kriminelëve që mbajnë këta në pushtet.

Kjo është qeveria përgjegjëse pse sot xhepat e qytetarëve shqiptarë janë bosh. Kjo është qeveria përgjegjëse që pse sot Shqipëria nuk është në Europë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco