Rritja e çmimit të naftës vazhdon të mbetet një shqetësim madhor për qytetarët shqiptarë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ai mund të arrijë deri në 200 lekë për litër. Teliti akuzoi qeverinë se një kartel po kontrollon tregun e karburanteve, duke denoncuar edhe pasivitetin e institucioneve shtetërore, veçanërisht të Autoritetit të Konkurrencës.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Dorianeliti, Ekspert Ekonomie, ngriti shqetësimin për mënyrën se si po funksionon tregu i karburanteve në Shqipëri, duke kritikuar edhe deklaratat e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për kursimin e karburantit nga qytetarët.
Sipas Telitit, çmimi i naftës nuk po reflekton realitetin e tregjeve ndërkombëtare dhe rënien e kursit të dollarit, ndërsa paralajmëroi se në rast të një rritjeje të re të dollarit, çmimi mund t’i afrohet edhe 200 lekëve për litër.
Ai theksoi se tregu i karburanteve në vend po dominohet nga të njëjtët importues, duke ngritur dyshime për marrëveshje oligopoliste dhe duke akuzuar Autoritetin e Konkurrencës për mungesë reagimi ndaj kësaj situate.
Pjesë nga deklarata:
U saldua te 175-a, të thuhet tre vite më parë, katër vite më parë, kur dollari ishte pothuajse 95–100 ALL. Ndërkohë që dollari u ul dhe sot e ke dollarin më 81–82, kjo nuk u reflektua në ulje të çmimit. Ç’do të thotë kjo? Që në qoftë se dollari nesër do të rritet sepse do të vijë një moment që do të rritet kjo mund ta çojë automatikisht afër 200 lekëshit, apo 2000 lekëshit, litrin e naftës.
Tjetra, është shumë ironike kur dëgjon Ballukun, e cila thotë si do të kursejmë ne. Neve na bënë atë “turizmin e kursimit”: kurseni te frigoriferi, kurseni te nafta, kurseni edhe këtë. Pra gjithmonë na drejtohet se çfarë duhet të bëjmë ne. Ore, pyetja është: çfarë do të bëjë qeveria? Çfarë do të bëjë shteti? Ku janë rezervat tremujore sot të kompanive importuese të naftës? Janë apo s’janë?
Si është e mundur që nafta që ndryshoi çmimin në bursë javën e kaluar, të enjten dhe të premten, u reflektua direkt në Shqipëri? Po si është e mundur që të hënën pastaj u ul çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare, por ulja që u bë në Shqipëri nuk ishte e plotë? Ishte gjysma e efektit të uljes që ndodhi në arenën ndërkombëtare. Si është e mundur që gjithmonë rritet çmimi menjëherë, por kur vjen puna për ta ulur, nuk ulet kurrë?
Pyetja e madhe: ku është Autoriteti i Konkurrencës në këtë lojë? Pse fle gjumë? Pse nuk del në treg dhe të bëjë atë që duhet të bënte plot vite më parë: të zbardhte për publikun shqiptar aferën e oligopolit, apo marrëveshjet që kanë bërë importuesit e naftës me njëri-tjetrin, të cilët i kanë çuar me SMS njëri-tjetrit sa do të jetë çmimi i naftës ditën e nesërme, dhe të dalë para shqiptarëve e t’u bëjë një nder shqiptarëve, duke ia ulur çmimin aty, sepse ata po bëjnë marrëveshje oligopolistike; nuk po bëjnë konkurrencë në tregun e naftës.
Dhe si është e mundur që ngelën po të njëjtit importues? Si nuk ka aktorë të rinj që hyjnë në treg? Pse? Sepse kjo është bërë kartel tashmë. Është karteli i naftës, i cili nuk lejon absolutisht askënd të futet brenda. Dhe kjo bëhet me bekimin e qeverisë.
Dhe na thonë pastaj që zgjidhja është: mos ecni ju. Mirëpo njerëzit do të shkojnë në punë. Nuk kanë të gjithë helikopterë, siç ka qeveria. Nuk kanë të gjithë avion privat. Nuk kanë të gjithë eskortat atje, makinat e shtrenjta. Njerëzit do të shkojnë në punë. Disa do të përdorin transportin urban, disa transportin interurban, disa do të përdorin makinat e tyre. Po kemi fëmijë, i çojnë nëpër shkolla, nëpër kopshte. Ç’do të thotë kjo “mos e përdorni makinën”? Çfarë shpikjeje është kjo?
Na përmirësuan gjë këta neve transportin urban? Transporti urban është në pikë të hallit. Është në pikë të hallit dhe e vuan dita ditës efektin e lidhjes së çmimeve dhe kostove të tjera që ka. Çfarë bëjnë këta? Edhe po dhanë, siç bëjnë herë pas here – në qoftë se do ta bëjnë, se nuk e kanë artikuluar akoma, do të kujtohen pas nja dy-tre muajsh – ndoshta do të bëjnë një kompensim të vogël të rritjes së çmimit të naftës. Ndërkohë, transporti urban dhe interurban do të zhytet akoma dhe më tepër në krizë.
Ore, këta nuk kanë një përgjigje për detyrat që kanë. Sepse janë atje, paguhen atje dhe kanë ato privilegje për të kryer disa funksione. Këta na vijnë dhe na edukojnë, në mënyrë pa cipë fare, dhe na thonë se si duhet të sillemi ne. Mos ki merak: çdo qytetar e di si ta ruajë paranë e vet në xhepin e vet. E di si ta përdorë shumë më mirë sesa qeveria. Sepse kemi parë se kush e vjedh lekun dhe vjen pastaj zonja Balluku dhe na tregon si të kursejmë.
Çfarë të them tani… është ironi e madhe që na flet si të kursejmë ajo që nuk ka futur hekur te tuneli i Llogarasë. Është skandaloze, me thënë të drejtën.
Po e përsëris edhe një herë: ku është qeveria? Ku është Autoriteti i Konkurrencës? Ku janë inspektoriatet? Sepse na thonë gjithmonë që kanë dalë inspektoriatet. Ku janë? Le të na thonë një pikë karburanti që e ka marrë masa nga qeveria.
Shprehja popullore thotë: zjarrit, ujit dhe qeverisë s’ke çfarë t’i bësh. Qeveria, po ta ndajë mendjen që të bëjë diçka, të marrë disa masa për ta mbështetur tregun, për të mbështetur aktorët e tregut – qofshin konsumatorë familjarë apo biznese të përfshira në treg, siç është transporti urban apo transporti interurban – instrumentet sot i ka.
Nuk e rregullon gjendjen plotësisht, nuk e eliminon çdo problematikë, por problematikat kryesore mund t’i riparojë, mund t’i rregullojë. Se që ka krizë në arenën ndërkombëtare, ka. Që do të ketë efekte negative në ekonomi, do të ketë.
Tani pyetja gjithmonë është: çfarë do të bëjmë ne që këto efekte të jenë sa më të ulëta dhe sa më minimale? Në qoftë se ti e lë siç është sot, në rrjedhje të lirë, efektet do të jenë të larta. Për më tepër kur ke edhe këto kartele në sektorin e naftës, efektet janë akoma më të larta.
Tani, ti çfarë do të bësh për të çbërë kartelin që ke ndërtuar vetë në sektorin e naftës, e para? Dhe e dyta, çfarë do të bësh për të kompensuar apo për t’i ardhur disi në ndihmë aktorëve të tregut? Këtë duhet ta sqarojmë.
Pse e bën Serbia diskutimin e uljes së akcizës? Pse e bën Kosova marrjen e masave përkatëse dhe nuk e bëjmë asnjëherë ne? Pse? Për cilën arsye? Sepse këtu ka kartele; atje, me sa duket, nuk paska. Këtu ka marrëveshje oligopoli; atje, me sa duket, nuk paska. Këtu nuk na dhëmb për qytetarët; atje, me sa duket, u dhëmbka për qytetarët e vendeve të tyre.
Është shumë e thjeshtë: sa dëshirë dhe sa vullnet politik ke ti për të kryer detyrën tënde. Të gjithë ata ministra, zëvendësministra, drejtorë e sekretarë e kanë një funksion. A po e kryejnë sot apo s’po e kryejnë?
Ku është Ministria e Ekonomisë? Ku janë inspektoriatet përkatëse? Se nuk do të hyj te cilësia e naftës, sepse ajo është një problematikë më vete; është skandaloze. Kalon kufirin dhe e ke naftën tre herë më cilësore sesa në Shqipëri. Punon makina ndryshe kur ke naftë në Mal të Zi apo në Maqedoni, krahasuar me naftën shqiptare.
Por mos të hyjmë te ky diskurs. Flasim sot vetëm për çmimin. Ndërkohë që këta flenë gjumë. Ka ardhur një lajm, por këta flenë gjumë 13 vjet që flenë gjumë.
Ndoshta ne e kemi denoncuar. Pastaj shohim deputetë që bëjnë këto konstatime, si ato që u bënë edhe nga deputeti Braçe, i vetmi që flet të drejtën nga ana e mazhorancës për problematikat reale të njerëzve. Por ama, zoti Braçe, me gjithë respektin që kam, duhet edhe të reagojë edhe me karton, me kartonin që ka.
© SYRI.net