Zhvillimet e fundit politike dhe qasja e Partisë Socialiste ndaj kërkesave të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për çështjen “Balluku”, u trajtua gjerësisht në emisionin “Trialog” në RTSH, ku analisti Arion Sulo ofroi një këndvështrim mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe ndikimet gjeopolitike.
Gjatë fjalës së tij, Sulo vlerësoi fillimisht vullnetin politik të Kryeministrit Edi Rama në nisjen e reformës në drejtësi, duke kujtuar se ai rrezikoi madje edhe koalicionin e atëhershëm qeverisës me LSI-në. Megjithatë, analisti theksoi se ky proces do të ishte i pamundur pa trysninë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Ai ngriti gjithashtu pretendime mbi mënyrën se si u zbatua procesi i pastrimit të drejtësisë. Sipas Sulos, Vettingu u realizua me juristë të afërt me mazhorancën, duke lënë në sistem gjyqtarë që kishin afërsi me pushtetin.
Kreu i ri i SPAK dhe dinamikat me SHBA-në
Pika e vërtetë e kthesës në marrëdhëniet mes qeverisë dhe institucionit të akuzës, sipas Sulos, zë fill me zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK-ut.
Analisti rikujtoi garën e ngushtë për kreun e SPAK, ku kandidati që perceptohej si i preferuar i qeverisë mori 5 vota, përballë Altin Dumanit, i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, i cili siguroi 6 vota.
Sulo analizoi se Kryeministri kishte qenë në një pozicion komod gjatë viteve 2019-2025, periudhë që ai e lidh me administratën e kaluar në SHBA. Gjatë kësaj kohe, sipas tij, goditjet e drejtësisë ishin të drejtuara ekskluzivisht ndaj opozitës.
Kthimi te rasti “Balluku”
Situata ndryshoi kur hetimet filluan të preknin nivelet e larta të mazhorancës. Lidhur me qëndrimin e Kryeministrit në mbrojtje të zyrtarëve të tij në Kuvend, Sulo e konsideroi një hap të gabuar.
“Rama u fut te provat në rastin Balluku dhe kjo nuk ishte gjëja e duhur,”, deklaroi analisti, duke theksuar se periudha e goditjes vetëm në një krah ishte bërë shumë e dukshme dhe kishte nisur të dëmtonte imazhin e paanësisë së procesit.
© SYRI.net