SYRI TV/ Përkujtim për familjen Jashari në Itali, diaspora shqiptare nderon Epopenë e UÇK-së

15:47, 10/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga SYRI TV

Kujtesa e një sakrifice që ndryshoi historinë e Kosovës është përkujtuar edhe larg atdheut.

Në Itali, Federata e Shoqatave Shqiptare në bashkëpunim me Shoqatën “Adriatiku” organizoi një manifestim përkujtimor në nder të familjes Jashari, me rastin e përvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të komunitetit shqiptar, personalitete të jetës publike dhe institucioneve nga Shqipëria dhe Kosova. Përmes këtij organizimi, synohet të ruhet kujtesa historike dhe identiteti kombëtar edhe në mesin e diasporës shqiptare në Itali.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të shkollave shqipe “Adem dhe Hamëz Jashari” në Perugia dhe “Jeronim De Rada” në Firenze, si dhe Ansambli i valleve dhe këngëve nga Maqedonia e Veriut, të cilët sollën në skenë elemente të kulturës dhe traditës shqiptare.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Lulzim Jashari, i cili theksoi rëndësinë që ka kujtesa për sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës.

Manifestimi u shoqërua me një program kulturor dhe artistik me valle dhe këngë tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë përvjetor në një moment bashkimi për komunitetin shqiptar në Itali dhe një homazh për ata që sakrifikuan për lirinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco