Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, deklaroi në emisionin “Ora 19” në SYRI TV se vendimi i mazhorancës për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut ishte i pritshëm dhe paralajmëruar prej kohësh nga opozita dhe analistët politikë.
Sipas tij, Partia Socialiste e kishte bërë të qartë qëndrimin që në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, duke mos mbështetur kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres. Kaso tha se mazhoranca u përpoq të fitonte kohë, ndoshta për negociata me SPAK-un ose faktorët ndërkombëtarë, për shkak të kostos së madhe politike.
Ai akuzoi PS-në se me “forcën e kartonit” po e kthen imunitetin parlamentar në një mburojë politike për zyrtarët e saj të lartë, ndërsa shtoi se kryeministri, sipas tij, ishte i gatshëm të merrte këtë kosto për të mbrojtur Ballukun dhe për të shmangur pasoja të mundshme politike për veten.
Kaso theksoi gjithashtu se ndryshimi i narrativës së mazhorancës ndaj reformës në drejtësi është i dukshëm, pasi sipas tij, në momentin që drejtësia iu afrua një zyrtari të lartë të qeverisë, shumica parlamentare përdori votat për të vendosur kufij ndaj SPAK-ut.
Sipas deputetit demokrat, kjo situatë përbën një sfidë jo vetëm për drejtësinë dhe partnerët ndërkombëtarë, por mbi të gjitha për qytetarët shqiptarë, të cilët kishin pritshmëri që institucionet e reja të drejtësisë të luftonin korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë në nivelet më të larta të pushtetit.
Kaso:
Është më shumë se e pritshme, jo vetëm unë e kam thënë, por një pjesë e mirë e atyre që ndjekin zhvillimet politike e kanë paralajmëruar. Tashmë ishte bërë e qartë prej kohësh ku po shkonte vendimmarrja e Partisë Socialiste, për sa kohë që jo vetëm brenda Këshillit të imunitetit dhe të mandateve ata kishin shprehur faktin që nuk bashkoheshin me qëndrimin e përfaqësuesve të opozitës të cilët ishin qartazi në mbështetje të kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, dhe u përpoqën të blinin kohë ndoshta ose për të negociuar me SPAK-un, ose për të negociuar me faktorin ndërkombëtar, pasi sigurisht kostoja politike do të ishte e madhe dhe është një kosto të cilën pamë që sot kryeministri ishte i gatshëm ta merrte, e mori, mjafton që të mos lëshonte Belinda Ballukun sot dhe të mos i hapte rrugën një goditje ndaj tij personalisht nesër. Pasi, qëndrimi le të themi ishte i qartë që Partia Socialiste me forcën e kartonit ka vendosur ta kthejë imunitetin parlamentar jo në një çështje të mbarëvajtjes së parlamentit, por në një mburojë politike për zyrtarët e lartë të saj të korruptuar, duke filluar me zëvendëskryeministren dhe qartazi duke përjashtuar dhe duke vënë mbi drejtësinë vetë kryeministrin që është koka e gjithë aferave dhe iniciatori i gjithë aferave.
Është, përmbledhja që bëtë ju ishte shumë interesante, kam parë dhe po e shoh që po bëhet tashmë virale edhe nëpër rrjetet sociale. Ky ndryshim i, i narrativës së një lideri mazhorance i cili prej 10 vjetësh betohet dhe stërbetohet që ka qenë mbështetësi më i madh i një reforme drejtësie që synonte të prodhonte institucione të pavarura, të cilat do të ishin të afta që t'i jepnin fund pandëshkueshmërisë, dhe në provën e parë të zjarrit me këtë drejtësi, pra kur drejtësia ju afrua një zyrtari, ose një eksponenti të mazhorancës të cilin ai as e kishte lëshuar, as e kishte bërë gjyqin paraprakisht siç kemi parë raste të tjera të ngjashme më përpara, atëherë i bëri të 83 mandatet e veta mburojë politike duke i treguar kufirin një drejtësie e cila po synohej, po synonte që të ngrihej në lartësinë e pritshmërive që prej të paktën 10 vitesh kanë për të shqiptarët, por dhe faktori ndërkombëtar që e ka mbështetur pa kursim, dhe që sapo guxoi të merrej seriozisht me çështjet e korrupsionit, me çështjen e pandëshkueshmërisë së atyre që kanë të gjitha pushtetet në këtë vend dhe duke konsumuar këtë pushtet prodhojnë ditë pas dite skandale, u ndal dhe ju tregua vendi me, me arrogancën e 83 mandateve të grabitura në farsën zgjedhore të 11 majit të kaluar.
Është e lehtë të thuash që doreza ju hodh drejtësisë së re, ju hodh SPAK-ut më së pari, i cilit i u tregua vendi. Ju hodh ndërkombëtarëve, të cilët shiheshin gjerësisht si garanti i reformës në drejtësi, dhe tashmë, le të themi, u sfiduan hapur në atë që, që ka për të qenë ambicia e tyre për të parë përfundimisht në Shqipëri institucione drejtësie të pakapura dhe të pavarura nga mazhoranca ose jo.
Por mbi të gjitha është e vërtetë ajo që tha kryetari i Partisë Demokratike, zoti Berisha, kur tha që doreza e sfidës sot ju hodh të gjithë shqiptarëve, për shkak se së fundmi, në kushtet kur jemi, jetojmë për fat të keq në një vend në të cilin të gjitha pushtetet kontrollohen nga një person i vetëm, ku i vetmi pushtet tjetër sipas Kushtetutës, që është pushteti legjislativ, parlamenti, do të duhej të ishte pushteti që të kontrollonte legjislativin, të kontrollonte qeverinë dhe t'i vinte një fre shpërdorimit të pushtetit nga ky i fundit, kur parlamenti nuk po e bën këtë gjë dhe e ka katandisur veten vetëm në një zgjatim të vullnetit të kryeministrit dhe një, të një noteri të shëmtuar të vendimmarrjeve të qeverisë dhe të kryeministrit, shihej gjerësisht drejtësia, veçanërisht SPAK-u, si pushteti i vetëm i cili do të arrinte që brenda limiteve që i njeh Kushtetuta, t'i vinte ndonjë fre, sadopak të vogël, shpërdorimit të çdo lloj pushteti, të çdo lloj kompetence, edhe të atyre që Kushtetuta nuk e njeh, këtij legjislativi, por këtij kryeministri mbi të gjitha, sepse kemi të bëjë me një njeri të vetëm që përmbledh edhe të mirën edhe të keqen, për fat të keq në këtë vend.
Dhe duke vepruar drejtësia, duke vepruar SPAK-u në rastin e Ballukut, jo vetëm për llogari të, të asaj vetë, por mbi të gjitha për llogari të shqiptarëve që siç e thashë, kishin një pritshmëri që ta shihnin SPAK-un dhe organet e reja të drejtësisë si një pushtet i cili do të arrinte t'i vinte një, një fre babëzisë qeveritare, sot janë sfiduar të gjithë shqiptarët, jemi sfiduar të gjithë ne. Kështu që të gjithë besoj ndihemi njësoj të prekur nga, ëh, jo vetëm vendimmarrja që u mor sot, por mbi të gjitha nga arroganca me të cilën u ndryshua narrativa me të cilën ishin ushqyer shqiptarët këto 10 vitet e fundit, dhe arroganca me të cilën ju vizatua perimetri i drejtësisë së re, duke i thënë qartazi që të mos guxojë jo vetëm Belinda Ballukun të merret më, por me asnjë zyrtar të lartë dhe aq më pak kryeministrin.
© SYRI.net