'1.1 miliardë euro dhe sfida e hapur e Ballukut ndaj drejtësisë', Hoxhaj: Një kashillëk ndaj qytetarëve dhe sistemit

20:35, 06/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ me Armela Ferko, gazetari Julian Hoxhaj foli mbi rikthimin e ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, në zyrën e saj pavarësisht pezullimit dhe shkarkimit.

Ai e cilësoi këtë veprim si një sfidë të hapur ndaj drejtësisë dhe qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që mbi të rëndojnë akuza për korrupsion, abuzime me tendera dhe menaxhim të dobët të projekteve infrastrukturore, me kosto mbi 1.1 miliardë euro.

Hoxhaj theksoi se ministria që ajo drejtoi për shtatë vite konsiderohet sot “skenë krimi”, me mbi 16 akse rrugore kombëtare të shembura, ndërsa studimi gjeologjik paralajmëronte qartë rrezikun e rrëshqitjeve në aksin Elbasan-Qafëthanë për shkak të ndërhyrjeve njerëzore dhe ndërtimit të rrugës së re pranë asaj ekzistuese. Heshtja e ish-ministrës mbi këto çështje lë të hapur debatet për fonde publike dhe sigurinë e qytetarëve.

Pjesë nga deklarata:

Po, mendimi i parë që më ka ardhur në mendje sot, dhe e kam ndjekur me shumë interes, fakt ka qenë që ishte një kashillëk i hapur ndaj drejtësisë. Ishte një lloj sfide që i bëri drejtësisë dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, jo vetëm drejtësisë, sepse drejtësia është një institucion që funksionon në bazë të ligjeve, rregullave, kodeve që janë shkruar në Kuvendin e Shqipërisë, janë miratuar aty, por mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë.

Pra, kashillëku që u bëhet qytetarëve shqiptarë kur një zyrtar i këtij shteti, jo i zgjedhur, por i emëruar pra, siç ishte rasti i ministres dhe zëvendëskryeministres pasi ka një mal me akuza, pasi ka një dosje që përmban jo vetëm, po themi, rrugët që ne kemi përmendur në emisionin Plug, por edhe një numër veprash të tjera infrastrukturore të ndërtuara gjatë periudhës që ajo ka drejtuar këto shtatë vite Ministrinë e Infrastrukturës, dhe të gjitha këto kanë një kosto prej më shumë se 1.1 miliardë eurosh, shkon dhe u thotë qytetarëve shqiptarë që: “Shikoni, se unë jam e pafajshme, unë po vazhdoj të shkel në zyrë, nuk kam bërë korrupsion, do të përballem me drejtësinë”, por nuk mund ta thoshte në zyrën e shtetit.

Në zyrën e ministrisë, sepse ajo ministri sot është skenë krimi. Ajo ministri sot është objekt i punës hetimore të SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme. Ajo ministri sot dhe gjithë ditën monitorohet dhe vëzhgohet nga agjentët e BKH-së, pikërisht për veprimin që bëri sot Belinda Balluku, që nuk duhet të shkonte, sepse është e ndaluar të shkojë, është e pezulluar nga detyra. Dhe sot është dhe e shkarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pra, po heqim shkarkimin nga Kuvendi i Shqipërisë, tha që në kushte normale, po themi, është një lloj akti ceremonial, një lloj, po themi, akti protokollar që ministri i pason detyrën pasardhësit, por në rastin e Belinda Ballukut, ajo e kishte të ndaluar të shkonte në zyrën që ka drejtuar këto shtatë vite. Unë nuk e di si do të reagojë SPAK, nuk e di si do ta vlerësojë SPAK, por nga pikëpamja morale, pa gjykuar anën juridike, për mua sot ka qenë një sfidë e hapur ndaj qytetarëve shqiptarë. Dhe mua kjo nuk më ka lënë aspak shije të mirë, sepse Belinda Balluku sot e gjithë ditën, ose pas tre muajsh që është ngritur akuza, ka folur për herë të parë duke u shfajësuar, duke mos thënë asnjë fjalë në fakt për akuzat që janë ngritur ndaj saj, për abuzimin me tendera, për korrupsionin me rrugët, për shembjen e rrugëve që kanë ndodhur dhe që ne sot kemi një bilanc: janë mbi 16 akse rrugore, vepra të mëdha infrastrukturore, të propaganduuara me daulle, me dajre, me kulaç nga kryeministri Rama, që sot disa herë në disa prej tyre…

Disa herë në disa prej tyre, për shembull Rruga e Arbërit, është inauguruar të paktën 10 herë në 10 fushata elektorale pas vitit 2014. Dhe sot këto akse kombëtare jo vetëm që nuk paraqesin siguri për qytetarët shqiptarë, por sot të gjitha këto janë me shiritë si skena krimi, për shkak se janë shembur. Dhe sot Belinda Balluku nuk na tha asnjë fjalë për këto, por zgjodhi të thotë që “Unë nuk kam asnjë lidhje me korrupsionin”. Dhe sigurisht, ne nuk i ngremë akuzë për korrupsion Belinda Ballukut deri në momentin që këtë e thotë zyrtarisht prokuroria apo gjykata, por minimalisht, një zyrtar i përgjegjshëm që pretendon se është i pastër në punën që ka bërë, duhet të na thotë se çfarë ka ndodhur pikërisht me këto rrugë. Pse janë shembur këto rrugë? Dhe minimalisht, jo nga, po themi, zyra e shtetit, e ministrisë së Infrastrukturës, por ndoshta në një konferencë, le të dilte dhe së bashku me varësit e saj që kanë bërë të gjithë këtë histori, po themi, shtatëvjeçare, të dilnin dhe të flisnin, të na tregonin pse po shemben rrugët.

Kjo nuk ndodhi; jo vetëm që kjo nuk do të ndodhte dhe nuk ka pasur vullnet për të ndodhur në fakt, por ne dimë gjithë procedurën se si është zvarritur ajo dhe deri tek çështja e heqjes së imunitetit. Po ndërkohë që kjo ndodhte, ndodhte dhe shkatërrimi i rrugëve. Dhe emisioni Plug e ka sjellë të plotë në një bilanc vetëm përsa i përket kostove të këtyre rrugëve të shkatërruara. Pra, janë futur aty vetëm kostot e 16 akseve kombëtare: 1.1 miliardë euro.

Tani, çfarë sjell, çfarë solli në vetvete ky investigim i radhës, qoftë edhe si një, nuk po them kundërpërgjigje, po po them si një fakt-çek edhe lidhur me, se gazetaria këtë bën: fakt-çek, edhe lidhur me ato deklarata që na kanë ardhur nga qeveria shqiptare, nga kryeministri Rama, lidhur me shkakun e shembjes së rrugëve e të tjera. Sot nuk kemi ende një përgjegjësi të marrë nga ndonjë prej institucioneve.

Ne e nisëm pikërisht këtë investigim lidhur me ngjarjen e fundit që ndodhi në aksin Elbasan-Qafëthanë, bllokimin e tij. Kjo ishte, po themi, ajo indicie që na çoi të bëjmë një lloj përmbledhje, pra fakt-çek, siç e thatë ju, pa i hyrë shkaqeve dhe analizave teknike që normalisht janë detyrë e ekspertëve. Gjatë punës për ndërtimin e këtij emisioni, sigurisht që na ra në dorë një dokument shumë interesant, që është studimi gjeologjik, që në këndvështrimin tonë, edhe timin personal, por edhe të gjithë stafit të emisionit, sigurisht që është një dokument i paplotë, një studim gjeologjik i paplotë dhe që nuk jep një tablo të qartë për të gjithë terrenin ku po ndërtohet gjurma e rrugës së re, por ka një element shumë të rëndësishëm: ka një detaj aty që nuk është një detaj që duhet të anashkalohet.

Në dokumentin e studimit gjeologjik, që i është bashkëngjitur të gjithë dokumentave të procedurës së prokurimit, thuhet e zeza mbi të bardhë se në zonën ku ndodhi shembja, pikërisht bllokimi i rrugës, përveç elementit të strukturës gjeologjike të tokës, në Arrat e Gurrës, në Librazhd, një element dhe faktor risku për rrëshqitjet e tokës në këtë zonë, është edhe ndërhyrja e njeriut dhe konkretisht ndërtimet civile, ndërhyrjet për ndërtimet civile.

Në rastin konkret, ne i jemi referuar inxhinierëve që i kemi intervistuar në këtë studio keni intervistuar ju, kolegë të tjerë gjithashtu të cilët kanë treguar shprehimisht se një nga shkaqet kryesore, duke parë në pamje vizive atë që ka ndodhur me ndërtimin e rrugës së re, ka qenë pikërisht ndërtimi i segmentit të ri shumë pranë rrugës ekzistuese dhe shtimi i peshës dhe bllokimi i ujërave sipërfaqësorë në atë zonë ka ndikuar që të dëmtohet struktura gjeologjike e tokës dhe kjo ka çuar në rrëshqitjen e saj dhe, si pasojë, rrëshqitjen e komplet trupit të rrugës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco