Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ 'Flamingot' e Tiranës që po mundin bandat

'Modeli kriminal i qeverisjes', Teliti: Rrugët - Nuk ka faj natyra, por trinomi, shtet, firma private dhe supervizorë

15:16, 24/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë infrastrukturore, ku dhjetëra akse rrugore të inauguruara vetëm pak muaj më parë janë shembur dhe çarë pas reshjeve të fundit të shiut. Nga veriu në jug, rrugët kombëtare janë kthyer në kurthe, duke izoluar qytete të tëra si Korça, Pogradeci, Dibra e Bulqiza dhe duke ndërprerë aksesin e qytetarëve në shërbimet më jetike. I ftura në edicionin e mesditës në Syri tv me gazetarin Arnold Kariqi, eksperti i PD  Dorian Teliti akuzoi qeverinë për një model korruptiv që ka çuar në kolapsin e infrastrukturës dhe rrezikimin e jetës së njerëzve.

Këshilltari ekonomik i Partisë Demokratike, e cilësoi situatën si një "tragjedi" dhe "shëmbëlltyrën më të mirë të shkërmoqjes së modelit qeverisës". Sipas tij, kolapsi i rrugëve nuk është pasojë e fatkeqësive natyrore, por rezultat i një skeme abuzive 13-vjeçare.

"Shqiptarët janë të bllokuar sot. Kush ka një hall shëndetësor, nuk vjen dot në Tiranë. Të sëmurët me kimioterapi apo hemodializë nuk mund të marrin shërbimin jetik," deklaroi Teliti, duke theksuar se ndërsa qytetarët janë të izoluar, kryeministri lëviz me helikopter.

Eksperti ekonomik zbuloi atë që e quajti "trinomi i famshëm" i abuzimit: një bashkëpunim mes shtetit, firmave private dhe supervizorëve. Sipas kësaj skeme, shteti kontrakton pa garë firma private, të cilat më pas kryejnë punime pa cilësi me miratimin e supervizorëve të caktuar po nga shteti. "Është vjedhur dhe abuzuar në tenderime, në punime, dhe sot shqiptarët përballen jo thjesht me rënien e infrastrukturës, por me rënien e gjithë shtetit," tha ai.

Teliti bëri një krahasim mes rrugëve të reja të shembura dhe atyre të ndërtuara dekada apo shekuj më parë. "Rruga 2500-vjeçare Egnatia nuk rrëshket, por rrëshqasin rrugët 25-mujore. Asnjë nga rrugët e ndërtuara nga qeverisja e Sali Berishës nuk është shembur," pohoi ai, duke argumentuar se kjo dëshmon cilësinë skandaloze të punimeve aktuale.

Arnold Kariqi: Do të fokusohemi tek zhvillimet aktuale të ditëve të fundit që lidhen me situatën e skandalit të infrastrukturës rrugore, pothuajse në të gjithë Shqipërinë, por konkretisht në juglindje të vendit ku duket se gjithçka është izoluar në Korçë, por dhe në të gjithë rrethinat që e lidhen atë, por jo vetëm. Tepelena, Librazhdi, Përrenjasi, Pogradeci dhe gjithçka është pothuajse e gjitha e shembur, për të mos harruar Burrelin e të tjera e të tjera rrugë në të gjithë Shqipërinë, të cilat kanë pësuar rrëshqitje dhe çarje të asfaltit, ndonëse vetëm pak muaj nga inaugurimet e tyre. Për të diskutuar të gjitha këto kam këshilltarin ekonomik në Partinë Demokratike, Dorian Teliti.

Ditën e sotme kemi bërë disa lidhje sepse raportoheshin për rrëshqitje nga njëra rrugë në tjetrën. Edhe parku që zoti Rama kishte parashikuar të bënte Formula 1, automotoparkun siç e ka quajtur kryeministri dhe ajo rrëshqiti. Çfarë po ndodh?

Dorian Teliti: Kryeministri tha ndodh në gjithë botën. Në tragjedinë e rënies së rrugëve, ironikisht i vetmi lajm i mirë që do sjelli vëmendjen e kryeministrit është që u prish kjo pista e Formula 1, atë vëmendje kishte. Shiko, Shqiptarët janë bllokuar sot. Shqiptarët nuk marrin dot shërbime. Kush ka një hall shëndetësor nuk vjen dot në Tiranë. Të pakta janë operacionet që mund të bëhen në spitalin e Korçës. Pjesa dërrmuese e tyre kanë nevojë që të trajtohen në Tiranë. Si do vijnë ata në Tiranë? Kryeministri i hipi helikopterit. Ne jemi të bllokuar të gjithë. Nuk shkojmë dot as në Korçë, as në Pogradec, asgjë fare. Korçarët, pogradecarët nuk vijnë dot këtej në qoftë se kanë hall. I vetmi që lëviz është vetëm kryeministri me helikopter. Humane do ishte që ai helikopter të vihej në dispozicion të të sëmurëve. Të shkonte atje në spitalin e Korçës dhe ata që kanë nevojë për të bërë kimio në Tiranë, ata që kanë nevojë për të bërë hemodializë në Tiranë, të shkojë, t'i sjellë këtu pacientët dhe ata që kanë nevojë të trajtohen në spitalet e Tiranës. Se nuk po flasim më për llukse për të bërë turizëm e kështu me radhë, pra ata që kanë nevojë. Shqipëria sot është e ndarë në copa-copa. Dhe shkërmoqja e rrugëve është shëmbëlltyra më e mirë e shkërmoqjes të këtij modeli qeverisës i cili i ka marrë frymën vendit, familjes, biznesit, sipërmarrjes shqiptare, të gjithë ekonomisë shqiptare në këto 13 vite. Na ka dalë goja mbrapa duke folur për këtë model të gabuar, kriminal, klientelist, korruptiv të ngritur gjatë këtyre 13 viteve. Shumë nuk na kanë besuar. Të shohin sot mediat, të shohin sot veten e tyre se si sot shkërmoqet Shqipëria nga të gjitha anët.

Arnold Kariqi: Po si është e mundur që shkërmoqet edhe rruga e Dibrës...

Dorian Teliti: Bllokohet edhe Bulqiza, po ndërkohë bllokohet edhe Pogradeci, ndërkohë edhe Librazhdi, ndërkohë edhe Himara. Ç'do të thotë? Me pesë pika shi që kanë rënë. Larg qoftë të ndodhi një fatkeqësi kombëtare e cila vjen nga një tërmet. Ajo po është e justifikueshme, ndodh në gjithë botën. Po se ra shi, kjo është thjesht shëmbëlltyrë dhe verifikim i punëve pa cilësi, punëve abuzive që janë kryer në tenderimet publike, në infrastrukturë gjatë këtyre viteve. A është ndonjë nga këto rrugëve e ndërtuara nga qeverisja e Sali Berishës? Asnjëra prej tyre. Të gjitha në këmbë i ke. Asnjë e ndërtuar nga koha e Enver Hoxhës. Dhe ironike cila është, e kemi parë dhe dje në media, autobuzët që kalojnë në rrugën Egnatia të vjetër, 2500 vjeçare, ajo nuk rrëshket. Po rrëshkasin këto rrugët 25 mujore. 2500 vjet rrugë qëndron në këmbë, këto 25 muaj rrugë, këto dështojnë të tëra.

Arnold Kariqi: 25 muaj është shumë sepse ka patur dhe rrugë që ishin gjashtë muaj apo tre muaj.

Dorian Teliti: Po pra, ka pasur aty edhe brenda garancisë. Pra çfarë tregon kjo? Është vjedhur. E dimë shumë mirë për faturat e tenderimeve që merren në dorë. Është abuzuar pastaj edhe në punime, me atë trinomin e famshëm, shtet, firmë private, supervizor. Të cilët, bashkarisht këta, shteti ja kontraktonte në mënyrë të njëanshme privatit pa garë, po shteti ka zgjedhur supervizorin duke i thënë, bie dakord ti me firmën për këto punime pa cilësi. Dhe sot shqiptarët përballen jo thjesht me rënien e infrastrukturës, por me rënien e gjithë shtetit, pasi sot nuk merren dot shërbime bazike. Kushtetuta shqiptare thotë qartë, çdokush ka të drejtë të marrë shërbime bazike kudo qoftë ai. Le të ma thotë njeri sot. Si një person nga Pogradeci vjen në Tiranë, apo një nga Korça vjen në Tiranë, apo një nga Dibra apo nga Bulqiza vjen në Tiranë për të marrë një shërbim, se në Tiranë e dimë që është metropoli ku pjesa dërrmuese e shërbimeve, sidomos atyre jetike, jepen vetëm në Tiranë.

Sot shqiptarët janë të izoluar nëpër zonat e përkatëse. Nuk po flasim për turizëm, nuk po flasim për llukse, për standart jo, po flasim për jetesë bazike. Ai që është me hemodializë që duhet të trajtohet dy herë në javë, si do vijë në Tiranë? Kanë gjetur përgjigje. Le të shkojë në Greqi, thanë. Po pse mo, shqiptari taksat për Greqinë i paguan? Paguan me qindra miliona e miliarda euro taksa vit për vit. 8 miliardë euro taksa i paguam në 2026-ën neve. 7.5 miliardë euro i paguam në 2025-ën. Për çfarë i paguajmë ne? Që të vidhet dhe të abuzohet me kontrata klienteliste dhe korruptive? Shëmbëlltyra më e qartë e një shteti i cili është i shkërmoqur, qeverisje që është e shkërmoqur, është rrugët të cilat po shkërmoqen nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe po shkërmoqen brenda një afati kohor disaditor. Dhe çdo qytetar i cili ka qenë dhe jo i bindur më përpara, të hapë televizorin ose të marrë makinën dhe të shkojë t'i aksesojë këto akse vetë, t'i shohë me sytë e tyre se ku kanë shkuar miliardat e parave e lekëve tona, qindra milionë euro vit për vit dhe se si shkojnë në xhepat e një grushti njerëzve, duke abuzuar, e përsëris, me gjakun e shqiptarëve...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco