Nga SYRI TV
Gjatë udhëtimit me helikopter nga Tirana në Korçë, duke kaluar mbi zonën e shkatërruar të Librazhdit, kryeministri Edi Rama u justifikua se shkatërrimi i rrugës kryesore, që ka shkëputur tërësisht juglindjen nga kryeqyteti, është si pasojë e kushteve atmosferike. Madje, për ta bërë më të besueshëm argumentin e tij, Rama deklaroi se një gjë e tillë ka ndodhur së fundmi edhe në Itali dhe se askush nuk e ka kritikuar qeverinë.
“Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigant që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend, parti politike jo e jo, që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë”, shkroi ai në rrjetin X.
Rama qartësisht i referohet rrëshqitjeve të tokës në zonën e Niscemit, në Italinë Jugore. Masive të mëdha dheu rrëshqitën pas reshjeve të shiut që shoqëruan stuhinë Harry. Opozita, nga Partia Demokratike te Lëvizja Sociale Italiane dhe Lëvizja Pesë Yje, po sulmon qeverinë, duke e akuzuar atë se po kryen shpenzime të kota në atë zonë, ndërkohë që të gjitha paratë publike të disponueshme duhet të përdoren për të adresuar paqëndrueshmërinë hidrogjeologjike dhe për të mbrojtur tokën. Ekspertë të shumtë italianë, të cituar në mediat e vendit, deklaruan se shkatërrimi i tokës në zonën e Siçilisë, pas reshjeve të shiut, ishte pasojë e mungesës së punimeve mirëmbajtëse. Këtë e dyshon edhe Prokuroria e rajonit të Gelës, e cila deklaroi më 28 janar 2026 se ka nisur hetimet penale për “shkatërrim me dashje”. Paralelisht, edhe Prokuroria e Elbasanit deklaroi të dielën e kësaj jave se ka nisur hetimet për shkatërrimin e rrugës Librazhd–Prrenjas.
Por kryeministri Edi Rama, në një përpjekje për të shuar akuzat ndaj tij dhe qeverisë për shpenzime abuzive, tentoi në mënyrë të dështuar të mbrohet me rastin në Itali, i cili nuk është aspak siç e prezantoi ai. Qeveria e Melonit po përballet me kritika të forta nga opozita për shkatërrimin në Niscemi, ndërkohë që Prokuroria e Gelës ka nisur së fundmi të thërrasë zyrtarët e parë lokalë për të zbuluar përgjegjësitë reale mbi ngjarjen e rëndë.
© SYRI.net