Në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mes festimeve dhe urimeve të shumta, spikasin reflektimet mbi rrugëtimin historik dhe sfidat e së tashmes.
Sheshet e Kosovës, si ai “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, u mbushën nga mijëra qytetarë që festonin me flamuj kombëtarë, një zë i rëndësishëm i atij akti historik ndau një perspektivë të veçantë.
Drita Kadriu, ish-deputete dhe një nga firmëtaret e Deklaratës së Pavarësisë, e cilësoi ndjesinë e asaj dite si një peshë që rëndohet dhe bëhet më e rëndësishme me kalimin e çdo viti.
“Ajo ditë ka sublimuar historinë e të gjithë brezave të kombit tonë për liri, pavarësi, për shtet, për demokraci,” deklaroi Kadriu, duke theksuar se pavarësia ishte kulmi i një sakrifice të gjatë historike.
Megjithatë, reflektimi i saj mori një kthesë serioze kur u pyet për sfidat aktuale, veçanërisht për procesin gjyqësor ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Kadriu pranoi se një zhvillim i tillë ishte i paimagjinueshëm 18 vite më parë.
“Nuk e kishim menduar deri në këtë shkallë. Padrejtësisht po i mbajnë të izoluar në burgun e Hagës liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” tha ajo. Sipas saj, ky zhvillim, ku po tentohet të vendoset një shenjë barazimi mes viktimës dhe agresorit, kërkon një punë edhe më të madhe për të dëshmuar para botës pastërtinë e luftës së UÇK-së.
Kadriu:
Çdo ditë e më shumë, çdo vit e më shumë, ndjesia për momentin historik, nënshkrimin e deklaratës së pavarësisë, bëhet më e rëndë nga pesha më e rëndësishme, nga momenti, historia dhe çdo vit e më shumë e ndjej atë moment edhe peshën e momentit.
Ajo ditë sigurisht është e veçantë për arsye të momentit i cili ka sublimuar historinë e të gjithë brezave të kombit tonë për liri, pavarësi, për shtet, për demokraci. Dhe falë gjakut të derdhur historikisht, falë brezave të kombit tonë, të gjitha brezave, ne sublimuam me 17 shkurt të vitit 2008 momentin e shpalljes, në nënshkrimin mbi deklaratën e pavarësisë të gjithë deputetët e asaj legjislature.
Po nuk është, nuk është se unë ose dikush e ka menduar deri në këtë shkallë ngjarjet, të cilat veç janë duke ndodhur dhe të cilat ngjarje padrejtësisht po i mbajnë të izoluar në burgun e Hagës liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk e kishim menduar kështu, por nuk duhet, është dashur dhe duhet që të punojmë më shumë për t'i dëshmuar botës, përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për të drejtën e Kosovës në shpalljen e pavarësisë, duhet të punojmë edhe më tutje që përmes këtij gjyqi, ndoshta politik më shumë sesa i drejtësisë, ta dëshmojmë çiltërsinë dhe pastërtinë e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mos të harrojmë se ne kemi obligim si popull që brezave të rinj t'ua mbajmë ndërmend përmes historisë tonë se ngjarjet, rruga, jeta jonë ka qenë shumë e vështirë. Ne jemi breza që duhet t'i kujtojmë vazhdimisht këto. Sa kam arritur me i përcjellë ngjarjet në shoqëri.
© SYRI.net