Banori Isuf Idrizi denoncon prishje selektive të shtëpive në Durrës nga projekti TID, akuzon favorizimin e oligarkëve dhe paralajmëron se do ta mbrojë pronën e tij me çdo kusht.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Isuf Idrizi, banor i Durrësit dhe protestues i vendosur kundër projektit TID, i cili prej vitesh jeton në Itali, por erdhi për të mbrojtur pronën e tij, denoncoi një proces të padrejtë dhe selektiv prishjesh, ku favorizohen pronat e oligarkëve të lidhur me pushtetin ndërsa qytetarët e thjeshtë detyrohen të shohin banesat e tyre të shkatërruara.
Idrizi tregoi se në një moment i hoqi nga dora dosjen kreut të IMT-së, Ilir Ngresit, duke treguar revoltën e tij të drejtë ndaj një sistemi që, sipas tij, sillet në shërbim të interesave të politikës dhe jo qytetarëve.
Ai paralajmëroi me vendosmëri se nuk do ta dorëzojë pronën: “Do ta mbroj me gjak. Kush të vijë i pari, ai do ta pësojë”, duke dërguar një mesazh të qartë paralajmërues për autoritetet dhe projektin TID.
Pjesë nga deklarata:
Këtu zhvillohet një projekt i ri, i cili prek me të padrejtë edhe shtëpitë tona. Shtëpitë tona janë në qendër të Durrësit, siç dihet nga të gjithë, edhe kryetarja e din. E di mirë këtë punë, se ka ardhur, ka marrë pjesë, dhe e falënderoj për pjesëmarrjen dhe për veprimet që ka marrë në Këshillin Bashkiak. Megjithatë, shtëpitë tona po prishen me të padrejtë dhe në mënyrë selektive. Kjo është më e rëndësishmja: në mënyrë selektive.
Unë dal në ballkon, e kam cilësuar edhe herë të tjera, dhe i jap dorën atij komshiut tim, atij oligarkut të Partisë Socialiste, të Edi Ramës me shokë. I jap dorën nga ballkoni. Atij s’i prishet, mua më prishet. Komshinjve të mi u prishet. Kovaçit, e kam përmendur me emër dhe do ta përmend prapë, nuk kam problem fare: Kovaçit nuk i prishet, komshijes time atje, Kazazit i prishet, që ka ndërtuar në oborrin e saj. Prandaj them që është selektive, dhe ne për këtë na vjen.
E dyta, është kjo: kjo parti e çelbur, edhe këta oligarkë të çelbur, i heqin nga një vend dhe i vendosin në një vend tjetër për interesat e tyre, sepse i votojnë. Ai Ilir Ngresi ishte kryetar njësie bashkiake; e hoqën nga atje dhe e vunë kryetar të IKMT-së, se aty ai bën punën më mirë. Ilir Ngresi me shokë. Edhe kryetari, Land Çelini, edhe kryetari Lan Xhelini, mos të thotë që unë jam këtu për politikë. Për politikë në kurriz të popullit, në kurrizin tim. E qartë. Kjo është një prishje e padrejtë.
E treta, dakord, unë nuk jam kundër zhvillimit; as unë, asnjë nga banorët nuk jemi kundër zhvillimit. Le të zhvillohet Durrësi edhe më tej, edhe më tej. Po problemi është ky: deri tani nuk kam biseduar një herë me ta. Më kanë caktuar atë shumën e lekëve; le të zëmë që do vijë puna për prishje. Unë dua të bie në kontakt me ta, t’i them, t’i jap numrin e llogarisë, të më fusin lekët që më kanë caktuar. Pastaj jam në gjyq; unë jam në gjyq, le të bëjnë çfarë të duan.
Këta janë, po të them, shfrytëzuesit më të mëdhenj të popullit. Nuk kam as shprehje, nuk më vijnë, edhe nga nervat, kur jam prej pozicionit. Edhe unë këtë ndërtesë që e kam ndërtuar me gjak, me mundime, se unë jam në emigracion me gjithë familjen time. Kam ardhur kastile për këtë punë këtu. Do ta mbroj me gjak, po të them. Me gjak, me gjak. Deri atje sipër do hipi, do vëj dy këmbësh; po e gjeta, ja po ua them këtu, ta marrin vesh të gjithë. Dy këmbësh, dhe kush të vijë i pari, ai do ta pësojë.
© SYRI.net