Deputetja e PD, Albana Vokshi, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Syri TV nga Spitali i Traumës ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të deputetit Bledion Nallbati.
Sipas Vokshit, Nallbati është futur në sallë, pasi ka dëmtime si pasojë e gazit të hedhur nga një distancë e afërt por dhe goditjes në kokë.
Albana Vokshi: Po, kemi ardhur disa deputetë, unë, kryetari i grupit parlamentar, zoti Gazment Bardhi dhe disa deputetë të Partisë Demokratike për të shoqëruar zotin Bledion Nallbati, deputetin Nallbati, i cili është, rezulton që është goxha i dëmtuar, qoftë nga djegiet që ka pësuar, nga përdorimi i gazit, përdorimi shumë i madh në fakt dhe nga shumë afër i gazit dhe po ashtu, rezulton që ka një goditje në kokë.
Është i goditur në ndërkohë që me sa zoti Nallbati na tha, ishte duke ndihmuar një qytetar. Policia e ka goditur në kokë.
E kanë futur menjëherë në sallë për t'i bërë një larje të syve dhe të fytyrës, pasi ka djegie, por edhe për të bërë një skaner për të parë nëse ka pasur goditje, domethënë të brendshme në kokë.
© SYRI.net