Protesta e opozitës ka përshkallëzuar tensionet në kryeqytet, teksa protestuesit janë zhvendosur nga Kryeministria drejt Kuvendit të Shqipërisë.
Nga aty, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka paralajmëruar se opozita nuk do të ndalet, duke deklaruar se skenari i vetëm është "revolta dhe përballja" deri në gjetjen e një zgjidhjeje politike.
Noka theksoi se protesta do të vazhdojë "edhe më e fortë se kurrë" dhe nuk do të ketë asnjë ndalim. "Ne nuk do të ndalemi. Revolta do vijë duke u shtuar," u shpreh ai, duke akuzuar qeverinë si një "narko-regjim i kalbur". Sipas tij, Kryeministria dhe Parlamenti janë shndërruar në "godina të krimit", ku njëra fsheh "kusarët" dhe tjetra është marrë "peng nga narko-kryeministri".
Duke folur për mediat, deputeti demokrat i bëri thirrje "policëve të ndershëm" që të mos i shërbejnë regjimit, por të bashkohen me qytetarët. "Misioni juaj është të luftoni krimin dhe kartelet e drogës dhe jo t'u nënshtroheni atyre. Bëhuni me qytetarët," deklaroi Noka. Ai gjithashtu përmendi se ka pasur dhunë nga ana e "narko-policëve" ndaj protestuesve.
Aktualisht, protesta është e ndarë në dy vatra: një grup protestuesish vazhdon të qëndrojë para Kryeministrisë, ndërsa grupi tjetër, i prirë nga deputetët e opozitës, është vendosur para Kuvendit. Forcat e rendit kanë përdorur ujë me presion ndaj turmës, edhe pse sipas raportimeve nga terreni, protestuesit nuk kanë shfaqur akte dhune apo provokime. Opozita deklaron se beteja do të vazhdojë pa afat dhe pa orar, vetëm me "qëndresë dhe përballje".
Noka:
Shqipëria duhet të mos të mos rrëshqasë në destabilitet. Edi Rama me aktet dhe veprimet e fundit që ka ndërmarrë duke mbrojtur korrupsionin me numër kartonash dhe duke paralajmëruar përshkallëzim, po rrezikon të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë.
Protesta do të vazhdojë, do të vazhdojë edhe më e fortë se kurrë, deri në gjetjen e zgjidhjes politike. Vetëm zgjidhja politike është zgjidhje për Shqipërinë.
Ne nuk do të ndalemi. Revolta do vijë duke u shtuar dhe sigurisht kur revolta vjen duke u shtuar, dihen që revoltës qytetare dhe kryengritjes qytetare nuk mund t'i përballojë asnjë regjim, jo më një narko-regjim i kalbur siç është ky.
Skenari është revoltë, përballje.
Ne kemi dy godina që janë shndërruar në godina të krimit. Narko-Kryeministria, ku fshihet kusari dhe kusarët, dhe narko-parlamenti që është i marrë peng nga narko-kryeministri. Sigurisht këto dy institucione janë të dyja nga ku buron e keqja e çdo shqiptari sot e 13 viteve.
Protesta është protestë. Ne jemi në përballje, ne nuk kemi as orare, nuk kemi as gjë tjetër përveçse përballje dhe qëndresë.
Parlamenti është i shqiptarëve, nuk mund të jetë parlamenti i kusarëve. Ne këtë po kërkojmë. Shqiptarët që janë mbledhur këtu për të protestuar, këtë kërkojnë, që parlamenti të rikthehet, të rikthehet në parlamentin e shqiptarëve dhe jo parlamentin e narko-trafikantëve dhe kusarëve.
Unë ju bëj thirrje policëve të ndershëm. Mos i shërbeni narko-regjimit. Çdo shërbim që i bëni narko-regjimit është shërbim kundër interesave tuaja, të familjeve tuaja, të ardhmes së Shqipërisë. Ju nuk mund të jeni kurrë njësh me krimin dhe me kartelet e drogës. Misioni juaj është të luftoni krimin dhe kartelet e drogës dhe jo t'i nënshtrohet atyre. Ndaj, bëhuni me qytetarët sepse duke u bërë me qytetarët i keni shërbyer Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.
Ju e patë dhunën që u ushtrua ndaj protestuesve nga narko-policët me uniformë në bulevard. Tashti atje po vazhdon beteja, por jemi spostuar dhe këtu në dy frontet, betejë kundër narko-regjimit.
Përballje, qëndresë dhe përballje. Qëndresë dhe përballje, nuk ka asnjë rrugë tjetër.
Ne jemi në betejë. Beteja varion, njëherë atje dhe këtu.
© SYRI.net