I ftuar në intervistën e ditës, Kreu i Këshilltarëve të PD-së në Bashki, Dorian Teliti theksoi se, edhe pse buxheti i shtetit është dyfishuar në dekadën e fundit, qytetarët shqiptarë nuk kanë parë përmirësime të prekshme në shërbime, infrastrukturë, apo kushte jetese.
Ai theksoi se paratë publike janë shpenzuar në mënyrë të papërgjegjshme, duke krijuar një atmosferë të korrupsionit të përhapur dhe keqmenaxhimit të fondeve.Teliti kërkoi një hetim të plotë për keqmenaxhimin e fondeve dhe bëri thirrje për protesta masive që të detyrojnë qeverinë të veprojë për të ndaluar vjedhjen e parave të shqiptarëve.
'Përfundimi i kësaj situate është vetëm një: populli duhet të ngrihet në protestë për të mbrojtur interesat e tij, sepse vetëm përmes një qëndrese të fortë do të mund të ndalojmë këtë qeverisje të korruptuar", u shpreh ai.
Pjesë nga deklarata:
“E kam dyfishuar buxhetin krahasuar me 10 vite më parë,” ka thënë kryeministri. Po mirë, a janë dyfishuar shërbimet që i jep ti qytetarëve krahasuar me 10 vite më parë? Ç'do të thotë të dyfishosh buxhetin? A do të thotë që i marr paratë shqiptarëve dy herë më shumë, apo jo? A është dyfishuar, përmirësuar të paktën dyfish jetesa ime? A ka më dyfish infrastrukturë në Shqipëri? A ka më dy herë më shumë shkolla, kopshte, çerdhe? A ka më dyfishin e pensioneve? Ka më dyfishin e pagave? Jo, në asnjë prej tyre nuk ka. Ku shkuan paratë? Me keqmenaxhim të punëve.
Se ky 200 milionë euroshi, në fund të fundit, është një pikë uji në oqeanin e madh të abuzimeve. Këtu, 200 milionë euro bëhet abuzim me një rrugë siç është Rruga e Arbërit. Në vitin 2018, kur Rruga e Arbërit është programuar përafërsisht 310-320 milionë euro, sot do të kapë shifrën e 600 milionë eurove, sepse s’ka lënë prapë tunelin. Kemi dyfishim të kostove të jetesës. Kemi shumëfishim të korrupsionit. Korrupsioni i tillë, siç është në Shqipëri, që vidhet me 100% të buxhetit të shtetit, nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
Jemi në një situatë alarmante, ku të paktat janë shifra që realisht janë dhe publike, siç është rasti i faturës së arbitrazhit, e cila tregon qartë se ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Pse largohen jashtë? Po sepse nuk kanë, ke nevojë për një shërbim spitalor, o duhet të kesh para, o duhet të kesh mik.
Të gjitha këto problematika, të marra bashkë, bëjnë situatën ku jemi sot, e cila vazhdon edhe për rendin e ditës, domethënë rendin e politikës të ditëve të fundit, ku arroganca arrin kulmin maksimal. Kemi tashmë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hequr pezullimin që u mor, rendin e pezullimit që u mor nga ana e pa paraprakisht përsa i përket Ballukut. Siç e ka thënë dhe avokati në intervistë të mëparshme, ne sot jemi në një paqartësi.
Balluku nesër firmos në zyrë apo jo? Pse nga ana e mazhorancës? Nga njëra anë kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është shprehur që Balluku nuk duhet të jetë më në zyrë, ndërsa nga ana tjetër, mazhoranca thotë se do presim që të zbardhet vendimi dhe të hyjë në fuqi.
A ka moral qeverisja aktuale? Unë prisja dje që kryeministri të dilte, që në orët e para, të kërkonte ndjesë shqiptarëve pse ka lënë në detyrë... Pse e ka lënë në detyrë një zëvendëskryeministre, e cila tashmë me vendim të Gjykatës Kushtetuese duhet të largohet nga zyra? Kryeministri duhet të dilte dhe të jepte dorëheqjen.
Me largimin jashtë, çdokush zgjidh hallin e vet. Ne këtu duhet të zgjidhim hallin e Shqipërisë, e cila zgjidh dhe hallin personal njëkohësisht. Populli do të marrë fatet e veta në dorë, që me çdo mjet demokratik, e përsëris, çdo mjet demokratik, revolta popullore, protesta të qëndrueshme, të vazhdueshme, do të detyrojnë qeverisjen aktuale të largohet.
Kemi përballë një kryeministër që nuk e ka problem shumë qëndresën qytetare, as numrat që zbarkojnë në sheshet e kryeqytetit. Ne i kemi parë reagimet që ka pasur vetë kryeministri në lidhje me protestat që janë zhvilluar nga Partia Demokratike dhe opozita.
Kauza jonë është për një Shqipëri normale, një Shqipëri që zhvillohet, një Shqipëri që ecën, që punëson, ndërkohë që kauza tjetër është një Shqipëri që punëson një grusht njerëzish, që vjedh paratë e buxhetit, që jep koncesione, që largon shqiptarët, e kështu me radhë. Këto janë batuta politike që ai shqetësohet. Gazi lotsjellës kriminal i përdorur ndaj protestës, dhjetëra mijëra protestuesve të opozitës, ishte thjesht një përgjigje ose një shembull i nervozizmit që ka kapluar mazhorancën aktuale.
Kjo tregon në një farë mënyre frikën që i ka kapluar. Kryeministri gjithmonë ka folur për përgjegjësinë individuale. Pse sot e bën përgjegjësinë kolektive në rastin e Ballukut? Pse për rastin e Velisë përgjegjësia është individuale? Pse për rastin e Beqes përgjegjësia është individuale? Pse për rastin e Alqi Bllakos ishte individuale? Pse për rastin e Ahmetaj ishte individuale, për rastin e Ballukut jo? Çfarë i fshehin shqiptarëve? Çfarë zullumesh kanë bërë…
Presim protesta masive, presim qëndresë. Opozita është e vendosur në objektivin e saj. Nuk ka rrugë tjetër, janë shteruar dhe janë ezauruar të gjitha opsionet e tjera të mundshme, të cilat do ishin normale për një vend demokratik që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian, që është dialogu politik, i cili ndodh në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku aty kuptohet që kemi një problematikë, hajde ta zgjidhim si zgjidhet problematika.
Në momentin që ezauron të gjitha këto hapësira, le të themi, për hapësirat institucionale, politike, atëherë dorë është, ta marrë populli dhe për çdo mjet demokratik të protestës. Brenda kontureve ligjore, demokratike, ne jam i bindur që me protesta të qëndrueshme do të arrijmë qëllimin tonë. Ne nuk po jetojmë në një vend demokratik.
© SYRI.net