Presidenti i Këshillit Europian Antonio Kosta ka thirrur në Bruksel Kryeministrin Edi Rama pas refuzimit që mazhoranca socialiste po i bën heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut. Lajmi është konfirmuar nga Këshilli i Europës që njofton takimin e Antonio Kostës me kryeministrin shqiptar. Presioni ndërkombëtar mbi Edi Ramën ka arritur në pikat më të larta dhe pritet që të ndikojë në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga SYRI TV
Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa ka konfirmuar takimin me kryeministrin Edi Rama me një njoftim zyrtar në faqen e Këshillit të Europës.
Një ditë më parë, mediat raportuan se Kosta do të pres në një takim kryeministrin shqiptar pas presionit të shteteve anëtare që u alarmuan për pengimin që Edi Rama po i bën drejtësisë për të mbrojtur Belinda Ballukun.
Kapitali.al raportoi se këtë të hënë, kryeministri Rama do të udhëtojë drejt Brukselit ku në fokus të diskutimeve priten zhvillimet në Shqipëri. SYRI TV pyeti zyrën e shtypit të kryeministrit nëse shefi i qeverisë do të udhëtojë drejt Brukselit në fillim të javës së ardhshme, por në përgjigjen e tyre ata janë shprehur se nuk mund të jepnin as një koment mbi këtë çështje.
Ndërkohë sipas burimeve të Kapitali.al në Bruksel një nga temat e nxehta që do të preket të hënën në Bruksel është pikërisht çështja e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Ballukut. Ende nuk dihet nëse diskutimet për këtë temë do të bëhen pjesë edhe e njoftimit zyrtar, që do të nxirret pas takimit mes Antonio Costas dhe Edi Ramës.
Gjithashtu Lapsi.al raporton se pasi ka dëgjuar qëndrimet e prera të diplomatëve dhe të ekspertëve për situatën në Shqipëri, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka kontaktuar e shqetësuar kryeministrin Edi Rama për ta vënë në dijeni për klimën e diskutimeve.
Sipas burimeve të Lapsit, Marta Kos i ka përcjellë Ramës qëndrimet aspak të qeta nga përfaqësues të vendeve kyçe si Gjermania, Franca dhe Holanda kryesisht për çështjen e SPAK ndaj zv/kryeministres së pandehur Belinda Balluku e cila megjithëse përballet me akuza dhe është kapur në përgjime kompromentuese vazhdon të mbahet në detyre.
© SYRI.net