'Toka ju dha me qira investitorit', banorët e Gurrasit: Kemi punuar gjithë jetën me të dhe na e morën

11:34, 04/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rreth 40 familje nga fshati Gurras u ngritën sot në protestë para Bashkisë së Pogradecit, duke kundërshtuar dhënien me qira të sipërfaqeve të tokës që i kanë pasur në përdorim prej vitesh.

Banorët pretendojnë se tokat të ndara me ligjin 7501, janë dhënë një investitori privat.

Sipas protestuesve, tokat janë punuar ndër vite, janë mbjellë me pemë frutore dhe taksat janë paguar rregullisht, por ato janë zaptuar pa njoftim dhe pemët janë prerë.

Ata akuzojnë mungesën e transparencës dhe konsultimit me komunitetin.

Kryeplaku i fshatit dhe banorë të zonës kërkojnë sqarime nga Bashkia e Pogradecit, ndërsa theksojnë se konflikti i pronësisë nuk është zgjidhur ende.

Në protestë ishte i pranishëm edhe këshilltari i pavarur Arbër Male, i cili deklaroi se çdo dhënie me qira e tokave shtetërore duhet të kalojë me vendim të Këshillit Bashkiak, përndryshe bëhet fjalë për shkelje të ligjit.

Banorët kërkojnë anulimin e kontratës dhe rikthimin e tokave në përdorimin e tyre dhe paralajmërojnë për përshkallëzim të protestave nëse nuk marrin një përgjigje zyrtare nga institucionet.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco