Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 masa sigurie që kanë marrë dhe bekimin e gjykatës, lidhur me skandalin e mbetjeve të rrezikshme që nga Shqipëria u tentuan të eksportoheshin në Tajlandë. Masat e sigurisë përfshinë drejtues dhe përfaqësues të kompanisë Kurum, por dhe funksionarë të institucioneve publike, konkretisht Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe doganave.
Në listën e personave të arrestuar, emri më i lakuar është ai i ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Arta Dollani, ndaj së cilës është caktuar masa “arrest shtëpie”. Dollani njihet si bashkëpunëtore e afërt e ministres aktuale të Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila në kohën e skandalit drejtonte Ministrinë e Mjedisit. Po ashtu, nën të njëjtën masë sigurie është vendosur edhe drejtoresha aktuale e AKM-së, Marjeta Perlala, e emëruar vetëm një muaj më parë. Pjesa tjetër e të arrestuarve përbëhet kryesisht nga punonjës të nivelit të ulët të kompanive “Kurum” dhe “Sokolaj” (kompania transportuese), si dhe punonjës të doganës dhe Autoritetit Portual të Durrësit.
Ajo që bie në sy është se hetimet nuk janë shtrirë në nivelet më të larta drejtuese, të cilët mbanin përgjegjësi direkte në kohën kur ndodhi ngjarja. Jashtë hetimit ka mbetur ish-drejtori i Portit të Durrësit, Piro Vongu, aktualisht ministër i Mbrojtjes, si dhe vetë Mirela Kumbaro, e cila në atë kohë ka qenë minister e Mjedisit, ndërsa aktualisht mban postin e ministres së Arsimit.
Redaktori i Syri Tv, Elkier Bushkolaj duke analizuar ngjarjen e sotme në studion e 'Task Force' në Syri Tv, evidenton faktin që çështja hetohet nga prokuroria e Durrësit dhe jo nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pavarësisht përmasave ndërkombëtare të skandalit, duke ngritur dyshime mbi vullnetin për të hetuar më lart.
“Në gjithë këtë skandal me impakt ndërkombëtar, - që ishte rrjeti i Bazelit, - niveli më i lartë i arrestimit është një ’arrest shtëpie’ për një ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Flas në postin hierarkik, pasi pjesa tjetër ishin punonjës jo të kësaj kategorie.
Pra jemi në kushtet kur ne nuk kemi një shtrirje hetimi tek ai që asokohe ka qenë drejtor i portit të Durrësit, po flasim për Piro Vongun, që është ministër i Mbrojtjes.
Nuk kemi një shtrirje të hetimit që shkon tek ministresha e Mjedisit, një ish-ministre e Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila tani që flasim është ministre për Arsimin.
Dhe fakti që kjo i mbetet prokurorisë dhe gjykatës së Durrësit tregon që nuk ka pasur një tentativë nga ana e SPAK-ut, pavarësisht përmasave të këtij skandali, pavarësisht dëmit, se ne sot e kësaj dite ende nuk e dimë se çfarë ndodh me ato 108 kontenjerë që janë me mbetje të rrezikshme.
Mund të jenë aty në Durrës, mund të jenë groposur diku në Shqipëri.
Por ajo çfarë është e tmerrshme në gjithë këtë histori është lehtësia me të cilën kanë manovruar dhe kanë ndërvepruar të gjitha këto institucione, qoftë kompanitë private, apo qoftë institucionet shtetërore, qoftë Agjencia e Mjedisit, apo porti i Durrësit apo doganat e Durrësit, që këto mbetje të rrezikshme të kalonin pa doganë.
Të eksportoheshin lirshëm fare deri në Tajlandë. Aty një nga kompanitë e përfshira është dhe kompania Maersk e njohur për transportin ndërkombëtar kryesisht në sektorin detar.
Të bën përshtypje fakti që kemi mbetur ende në këtë kuadër.
Nuk dihet nëse do ketë ose gjatë procesit mund të dalin indicje të tjera të cilat mund ta thellojnë edhe mund ta avancojnë këtë hetim.
Duhet të kemi parasysh që para një viti ne e kemi trajtuar këtë çështje, e kemi trajtuar gjërësisht edhe këtu në Task Force, qoftë edhe me ekspertë mjedisi për rrezikun që kanë këto ngarkesa me mbetje të rrezikshme, por jemi në kushte që deri tani, pavarësisht ndoshta presionit ndërkombëtar, niveli i personave që janë nën hetim dhe niveli i personave të arrestuar nuk është në atë hierarkinë që pritej në raport me përmasat e këtij skandali.
Shqipëria, kuptohet, është përfshirë në një skandal nga i cili mund të dalin edhe të dhëna të tjera, se ne duhet të kemi parasysh që alarmi për sigurinë në portin e Durrësit ngrihet prej vitesh” tha gazetari Bushkolaj në studion e 'Task Force'.
© SYRI.net