Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja nga podiumi i Foltores së Partisë Demokratike mbledhur sot para kryeministrisë bëri thirrje për bashkim të shqiptarëve për të hedhur poshtë diktaturën moderne.
"Testi i së vërtetës sot: bashkimi me opozitën nuk është thjesht një zgjedhje partiake, është testimi i vërtetimit për këdo që thotë se është kundër kësaj qeverie, nënvizoi ajo.
Fjala në foltore e Arla Merjas
Një rini që nuk dëgjohet është një komb pa zë. Pas 12 viteve në pushtet, kjo qeveri nuk ka më asnjë alibi. Justifikimet e tyre nuk pinë më ujë. Kanë shkatërruar arsimin, duke e kthyer shkollën nga një vend dijesh në një fole emigrimi.
Kanë rrënuar shëndetësinë, ku propaganda falas u shndërrua në koston më të lartë që paguajnë qytetarët me jetën dhe xhepin e tyre. Kjo qeverisje nuk ka më asnjë pikë morali duke u fshehur pas dy standardeve.
E paaftë për të konkurruar me politika të mirëqeverisjes, kjo mazhorancë zgjodhi një rrugë tjetër të rrezikshme: përdorimin e drejtësisë për të goditur kundërshtarët e saj politikë.
Kur pushteti nuk fiton dot me votë dhe me ide, ai tenton të asgjësojë opozitën përmes presioneve juridike. Por sot, maska e moralit të tyre është çjerrë përfundimisht. Koha e sovranit është sot.
Njerëzit e kanë kuptuar tashmë se kjo qeverisje, jo vetëm që shkatërroi ekonominë dhe largoi shqiptarët, por tentoi të shkatërrojë dhe familjen shqiptare, bërthamën e shoqërisë sonë.
Protesta e madhe e 24 janarit tregoi qartë se shqiptarët e dinë se kush është sovrani i vërtetë në vend.
Testi i së vërtetës sot: bashkimi me opozitën nuk është thjesht një zgjedhje partiake, është testimi i vërtetimit për këdo që thotë se është kundër kësaj qeverie.
Është vija ndarëse mes atyre që duan të mbajnë Shqipërinë peng dhe atyre që duan t'ia kthejnë atë shqiptarëve.
Nga kjo foltore dua të bëj një thirrje për të gjithë ata që duan një Shqipëri ku rrugët nuk bllokohen nga dështimi dhe kur rinia nuk ikën nga dëshpërimi. Le të bëhemi bashkë për Shqipërinë e shqiptarëve. Poshtë diktatura moderne!
© SYRI.net