Fondi Monetar Ndërkombëtar rrëzon propagandën e qeverisë për rritjen ekonomike, pasi e rendit Shqipërinë në vendet e fundit në Evropë për të ardhurat për frymë dhe të 85-tën në botë për fuqinë blerëse. Sipas FMN, zhvlerësimi i euros, ka rritur në aparencë të ardhurat për frymë, por këto të ardhura nuk kanë sjellë mirëqenie për qytetarët. Dhe sipas FMN, ndonëse Shqipëria renditet para Maqedonisë së Veriut apo vendeve të tjera për të ardhurat për frymë, fuqia blerëse e qytetarëve shqiptarë është shumë më e ulët se në vendet e rajonit për shkak të kostove të larta të jetesës.
Syri tv
Shqipëria renditet e 83-ta në botë për të ardhurat për frymë në dollarë dhe e 85-ta në treguesin tjetër më të rëndësishëm, të ardhurat për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse, për vitin 2025. Të dhënat janë bërë të ditura në data basë e FMN-së, ndërsa janë publikuar nga revista ekonomike Monitor. Për të dy treguesit, Shqipëria renditet ndër të fundit në Evropë. Treguesi i të ardhurave për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, në vitin 2025 ka arritur në 11 mijë dollarë, sipas të dhënave të FMN-së. Me këto nivele, Shqipëria ia ka kaluar Maqedonisë së Veriut (10,377 USD) dhe Bosnjë-Hercegovinës (9467), kur disa vite më parë renditej pas tyre. Ndërkohë, shteti më i varfër i Evropës vijon të mbetet Kosova (8033 USD për frymë). Por rritja e të ardhurave për frymë për shqiptarët, duket se nuk ka ardhur për shkak të rritjes ekonomike dhe këto para nuk përkthehen në mirëqenie për shqiptarët. Kleçka e rritjes së të ardhurave për frymë, lidhet drejtpërdrejtë me zhvlerësimin e valutës së huaj, Euro dhe Dollarë, me anë të të cilave FMN mat edhe nivelin e të ardhurave për frymë në vendet e botës.
Në rajon, kryesimin e të ardhurave për frymë e ka marrë Serbia, me 15.3 mijë dollarë për frymë, duke ia kaluar Malit të Zi (14.9 mijë), që për shumë vjet kishte mbajtur kryesimin. Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa 28% e mesatares së Evropës dhe 23.7% të mesatares së Bashkimit Evropian (46,804 USD). Shqipëria nuk ka arritur as mesataren globale, që është 14.6 mijë dollarë për frymë, por mbetet në 76% të saj. Në treguesin tjetër, atë të të ardhurave për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse, që matet në dollarë ndërkombëtarë, Shqipëria mbetet pas Maqedonisë së Veriut, në një tregues se paraja në vend ka më pak vlerë se në shtetin fqinjë, për shkak të kostos më të lartë të jetesës, ndonëse të ardhurat janë më të larta. Shqipëria është e 85-a në këtë renditje me një nivel prej 23.3 mijë dollarë ndërkombëtare.
© SYRI.net