Banorët e Luzit në Fushë KrujëS, të lodhur nga gjendja e mjerueshme e infrastrukturës rrugore, kanë dalë për të protestuar, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme. Shkaku i pakënaqësisë së tyre është një rrugë e cila është bërë e pakalueshme dhe po u shkakton dëme të konsiderueshme automjeteve.
Një prej protestuesve shprehet se makinat e tyre po bëhen “copë-copë” nga gropat dhe gjendja e rënduar e rrugës duke theksuar koston e lartë të mirëmbajtjes që u imponohet padrejtësisht.
Frustrimi i tyre shtohet nga fakti se ata i paguajnë rregullisht taksat shtetit, por nuk shohin asnjë investim në kthim për infrastrukturën bazë që përdorin çdo ditë. Sipas banorëve, kjo situatë alarmante nuk është e re.
LEXO EDHE: Rruga në Luz të Fushë-Krujës, e mbushur me gropa dhe pellgje uji, kthehet në vështirësi për banorët
Ata pohojnë se gjendja e rrugës vazhdon prej rreth dy vitesh. Për më tepër, ata ndihen të tradhtuar nga premtimet e pambajtura, pasi u ishte thënë se rruga do të shtrohej në tetor, gjë që nuk ndodhi kurrë.
Protestuesit insistojnë se protesta e tyre nuk ka prapavijë politike. “Ne kemi dalë vetëm për rrugën. Duam që rruga të mirëmbahet,” deklarojnë ata, duke e bërë të qartë se kërkesa e tyre e vetme është përmbushja e një nevoje themelore për komunitetin.
Deklarata e plotë:
"Ne kemi dalë për rrugën këtu. Për rrugën. A copë-copë, s'më lajnë gjë, taksat t'ia paguajmë shtetit për makinat.
Makinat vetëm nuk kanë gojë me fol se nuk hyhet këtu. Ne kemi dalë vetëm për rrugën. Me na u mirëmbajt rruga. Nuk bëjmë protestë për politikë.
Po bëhen nja dy vite që rruga është në këtë gjendje. Na premtuan në tetor, nuk e shtruan.Ne dalim vetëm për këtë punë. Vetëm për rrugën, plak. Makinat. Janë bërë makinat copë-copë. Ne duam rrugën, ta mirëmbajmë.
© SYRI.net