Rruga në Luz të Fushë-Krujës, e mbushur me gropa dhe pellgje uji, kthehet në vështirësi për banorët

09:48, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rruga kryesore e fshatit Luz, vetëm disa kilometra larg qendrës së Fushë-Krujës, është kthyer në një pengesë serioze për banorët. Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe reshjeve të fundit, rruga është e mbushur me gropa të mëdha, baltë dhe pellgje uji, të cilat e bëjnë të pamundur kalimin me automjete pa dëmtime.

LEXO EDHE: 'Kjo rrugë nuk është lënë kështu as në kohën e turkut ', Aulon Kalaja: Banorët e Luzit kërkojnë asfalt, jo premtime boshe

Pamjet e dërguara në redaksinë e Syri Televizion nga banorët tregojnë gjendjen alarmante të rrugës, ku uji ka mbushur pothuajse çdo gropë, duke krijuar një peizazh të ngjashëm me atë të kohës mesjetare.

Fëmijët që shkojnë në shkollë, por edhe qytetarët që duhet të kryejnë punët e përditshme, përballen me rrezik dhe vështirësi të vazhdueshme.

Banorët shprehen se kanë kërkuar prej kohësh ndërhyrje nga pushteti vendor, por përpjekjet e tyre kanë hasur në premtime të pambajtura.

Përveç vështirësive të lëvizjes, gjendja e rrugës ka ndikim edhe në shëndetin e banorëve, pasi pluhuri në verë dhe balta e lagur në dimër krijojnë kushte të papërshtatshme për jetesë.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të rikthyer rrugën në funksion të sigurt dhe për të përmirësuar jetën e përditshme në fshat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco