A e dinë prindërit më mirë? 3 eksperimente që u përpoqën të zëvendësonin nënat dhe baballarët

A e dinë prindërit më mirë? 3 eksperimente që u përpoqën të zëvendësonin nënat dhe baballarët

11:42, 23/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Familja mund të jetë një mënyrë e tmerrshme për të rritur fëmijë. Por është më e mira që kemi.

Nga Jonny Thomson/

Ditën e dytë, na thanë se mund të ktheheshim në shtëpi.

Futëm ushqimet, batanijet, letrat e lagura dhe pelenat në çfarëdo çante që gjetëm dhe hymë në makinë. Aty ishte ajo, një foshnjë e porsalindur me një kostum të vogël të Uini Pusë dhe një kapuç të lezetshëm, i lidhur në një ndenjëse makine që e bënte të dukej si një banor i Liliputit. Nuk kam vozitur kurrë më me kujdes dhe më ngadalë sesa atë natë. I kërkoj ndjesë kujtdo që mbeti pas meje në trafik.

Mendova atëherë, dhe vazhdoj ta mendoj edhe sot, sa e çmendur është që, të paktën në shoqërinë britanike, njerëzve thjesht u japin një foshnjë dhe shpresojnë që gjithçka të shkojë mirë. "Merreni, paçi fat, përpiquni të mos e djallosni." Merr disa faqe të zbehta me udhëzime të shtypura, katër kurse falas në mbrëmje dhe një numër telefoni për të telefonuar nëse të duhet ndihmë. Por pjesa tjetër varet nga ti.

Pak javë më parë, bisedova me filozofin David Archard për filozofinë e prindërimit. Ja si e shprehu ai:

"Çërçillika thënë shprehjen e famshme se demokracia ishte një formë e tmerrshme qeverisjeje, por më e mirë se të gjitha alternativat e tjera. Dhe mendoj se mund të thuhet se familja është një mënyrë mjaft e keqe për të rritur fëmijë, për të gjitha arsyet që kanë përmendur psikanalistët, antropologët dhe feministet. Megjithatë, ajo duket më e mirë se alternativat, nëse mendon për mënyrat e rritjes së fëmijëve."

Me fjalë të tjera, është e çuditshme që pas vetëm disa ditësh përgatitjeje simbolike, ua besojmë një fëmijë prindërve të rinj. Por alternativat janë edhe më të këqija. Prandaj, këtë javë mendova se do të ishte interesante të shihnim disa prej tyre.

Fëmijët e përbashkët të Platonit

Në librin e tij Republika, Platoni shpjegon se si mendonte ai se duhej të organizohej një shoqëri e përsosur. I gjithë libri është një lloj manifesti utopik. Pjesa më e famshme e vizionit të tij është ajo që më vonë u bë e njohur si "Mbretërit filozofë".

Platoni argumentonte se shoqëria duhej të ndahej në tri grupe: Punëtorët (që prodhojnë gjëra), Ndihmësit ose Mbrojtësit (që ruajnë gjërat) dhe Kujdestarët (që qeverisin).

Ai përshkruan cilësitë kryesore të secilit grup: Punëtorët duhet të jenë të zellshëm, Ndihmësit duhet të jenë të guximshëm, ndërsa Kujdestarët, mbi të gjitha, duhet të jenë plotësisht të paanshëm dhe të drejtë. Kujdestarët kanë të bëjnë me drejtësinë, dhe drejtësia nuk mund të ketë asnjë lloj paragjykimi.

Problemi i madh, megjithatë, janë fëmijët. Edhe Mbretërit filozofë më racionalë priren t'i duan fëmijët e tyre. Ne shpëtojmë fëmijët tanë përpara të tjerëve. Do të vdisnim, dhe ndoshta do të vrisnim, për të mbrojtur familjen tonë.

Prandaj, Platoni propozoi diçka disi drastike: Gratë dhe fëmijët duhet t'u"përkasin" të gjithëve. Fëmijët duhej të merreshin nga prindërit dhe të rriteshin në një institucion shtetëror, "në mënyrë që asnjë prind të mos njohë pasardhësin e vet dhe asnjë fëmijë prindin e vet".

Ja ku u zgjidh problemi. Pa paragjykime të bezdisshme, pa shpërthime emocionale dhe pa favorizime të padrejta. Kujdestarët mund të vazhdonin punën e tyre pa u shqetësuar për marrjen e fëmijëve nga shkolla apo për diçka kaq shpërqendruese sa dashuria prindërore.

Eksperimenti i përzgjedhjes së trashëgimisë në Komunitetin Oneida

Në fund të shekullit XIX ishte një sekt fetar radikal i njohur si Komuniteti Oneida. Oneida udhëhiqej nga një i krishterë karizmatik i quajtur John Humphrey Noyes.

Por Noyes nuk ishte një fanatik tipik ungjillor që mohonte shkencën dhe sulmonte filozofitë rivale. Përkundrazi, ai frymëzohej shumë nga leximi i "Republikës" së Platonit dhe nga shkenca e kohës së tij, veçanërisht nga puna e Çarls Darvinit.

20 para se Francis Galton të përdorte termin "eugjenikë", Noyes ishte një nga amerikanët e parë që promovoi një formë të përzgjedhjes së kontrolluar të trashëgimisë. Brenda pak dekadash, eugjenika do të fitonte popullaritet të madh në Shtetet e Bashkuara.

Eksperimenti i tij, i quajtur "stirpikulturë" ("stirps" është një term latin bujqësor që do të thotë "linjë gjaku" ose "stok"), nënkuptonte që burrat dhe gratë të përzgjidheshin si çifte sipas inteligjencës ose zhvillimit të tyre shpirtëror. Midis viteve 1869 dhe 1879, lindën 58 fëmijë sipas këtij sistemi.

Gjatë vitit të parë të jetës, foshnjat qëndronin me nënat biologjike, kryesisht për arsye praktike si ushqyerja me gji dhe kujdesi bazë. Por çdo lidhje e veçantë emocionale dekurajohej. Nënat nuk duhej të lidheshin me fëmijët e tyre më shumë sesa çdo anëtar tjetër i komunitetit.

Pastaj, kur fëmijët rriteshin pak, ata merreshin dhe dërgoheshin në Shtëpinë e Fëmijëve, ku rriteshin nga kujdestarë të trajnuar dhe nga komuniteti në përgjithësi.

Vizioni i Noyes ishte të krijonte një shoqëri ku të gjithë ishin të martuar me njëri-tjetrin. Çdo fëmijë u përkiste të gjithëve. Nuk duhej të kishte ndarje në një dashuri që përfshinte të gjithë komunitetin.

Fatkeqësisht për Noyes-in, politika e stirpikulturës u bë një nga arsyet e rënies së Oneidës. Doli se nuk mund ta fikësh lidhjen prindërore me një buton. Prindërit vazhdonin të favorizonin fëmijët e tyre biologjikë. Dhe deri në vitin 1881, Komuniteti Oneida ishte shpërbërë.

Lëvizja e trenit të jetimëve

Pothuajse të gjitha shoqëritë moderne liberale kanë një formë sistemi për mbrojtjen e fëmijëve. Nëse një prind dëmton fëmijët e tij, shteti ndërhyn dhe i largon fëmijët, ndërsa prindërit shpesh përballen me pasoja ligjore.

Shkalla e ndërhyrjes së shtetit ndryshon. Në disa kultura, kufiri për atë që konsiderohet "neglizhencë" është relativisht i ulët. Në të tjera, një prind duhet të jetë jashtëzakonisht mizor ose neglizhent për t'i humbur fëmijët.

Në mesin e shekullit XIX, shumë qytete amerikane, si New York City, përjetuan një rritje të madhe të emigracionit. Shumë prej emigrantëve ishin jashtëzakonisht të varfër, kishin ikur nga një jetë e vështirë dhe e rrezikshme për të gjetur një të ardhme më të mirë në Amerikë.

Me këtë valë emigracioni, shumë reformatorë, veçanërisht Charles Loring Brace i Children's Aid Society, besonin se të varfrit urbanë nuk ishin të aftë të rrisnin fëmijë dhe se lejimi i tyre për ta bërë këtë do të krijonte qytete të mbushura me krim dhe imoralitet.

Gjatë rreth 70 viteve të aktivitetit të saj, organizata mblodhi fëmijë jetimë, të braktisur ose thjesht të varfër, shpesh me prindër ende gjallë që nuk kishin mundësi t'i ushqenin.

Në letër, misioni paraqitej si një shpëtim humanitar: të ndihmonin fëmijët e rrugës ose ata që vuanin nga kequshqyerja. Por në praktikë, shumë prindër u detyruan t'i dorëzonin fëmijët e tyre pa diçka që sot do ta quanim pëlqim të informuar.

Këta fëmijë hipnin në trena drejt rajoneve të Miduestit amerikan dhe ajo që ndodhte më pas ndryshonte shumë. Në rastin më të mirë, një fëmijë përfundonte në një familje të dashur dhe rritej i shëndetshëm, i lumtur dhe i përkujdesur. Në rastin më të keq, përfundonte në punë të detyruar.

Megjithatë, ajo që ndodhte më shpesh ishte se këta fëmijë bëheshin pjesë e një projekti të inxhinierisë sociale. Qëllimi ishte t'u hiqej brezit të emigrantëve trashëgimia e tyre kulturore, urbane dhe fetare, duke i vendosur në familje protestante rurale që merreshin me bujqësi, në mënyrë që të asimiloheshin.

Pra, ndoshta Archard ka të drejtë. T'u japësh prindërve përgjegjësinë e jashtëzakonshme, dhe ndonjëherë të paarsyeshme, për të rritur fëmijët e tyre mund të jetë një sistem i mangët. Por, nëse shohim historinë e filozofisë dhe të politikave publike, ndoshta ky është vërtet skenari më i mirë ndër të këqijtë që kemi në dispozicion. / Big Think – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco