'Fragmentimi favorizon Ramën'/ Xhaferri: Shtab i përbashkët opozitar, kjo qeveri duhet të largohet, do rrisim presionin popullor

10:07, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pjesëmarrja e politikanit të Partisë Demokratike, Besar Xhaferri, në protestën e organizuar nga Adriatik Lapaj, ngjalli debate nëse ky ishte një veprim individual apo i miratuar.

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, vetë Xhaferri ka hedhur dritë mbi prapaskenat, duke konfirmuar se pjesëmarrja e tij ishte e koordinuar me kryesinë e partisë dhe kishte si qëllim dhënien e një sinjali të qartë për bashkimin e frontit opozitar.

Sipas Xhaferrit, ai dhe një grup të rinjsh iu bashkuan protestës “pa flamur e pa logo partie”, për të treguar se Partia Demokratike nuk është e “kompleksuar” dhe mbështet çdo nismë që i bën opozitë kryeministrit Edi Rama.

"Qëllimi është t’i bëhet opozitë Edi Ramës, jo opozitë opozitës," theksoi ai, duke qartësuar se veprimi ishte një hap drejt ndërtimit të një bashkëpunimi më të gjerë opozitar. I pyetur se kush përfshihet në këtë front të përbashkët, Xhaferri dha një përkufizim të thjeshtë: të gjitha forcat politike që duan rrëzimin e Edi Ramës dhe kërkojnë një garë të barabartë elektorale. Sipas tij, kjo është kauza e përbashkët që duhet të bashkojë të gjithë spektrin opozitar në Shqipëri.

Politikani demokrat artikuloi edhe tre shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të ngrihet kjo kauzë e përbashkët. Së pari, krijimi i një qeverie teknike ose tranzitore për të garantuar kushte të barabarta në zgjedhje. Së dyti, një reformë elektorale që t'i japë fund fenomenit të "djegies së votave" dhe të sigurojë përfaqësim të drejtë. Dhe së treti, një reformë territoriale që të prodhojë shërbime më të mira për qytetarët, në vend të avantazheve elektorale për partinë në pushtet.

Megjithatë, Xhaferri sqaroi se ky bashkim nuk nënkupton një koalicion politik, të cilin e konsideroi një fazë "shumë të hershme" apo "primitive". Fokusi aktual, sipas tij, mbetet lufta kundër "sistemit që Edi Rama ka ngritur", një sistem që avantazhon vetëm atë dhe jo aktorët e tjerë politikë.

Sipas tij, opozita ka një plan të qartë dhe një afat kohor të prerë: rrëzimin e qeverisë Rama brenda dy deri në tre muajve të ardhshëm.

Xhaferri theksoi se vullneti aktual politik është i përqendruar në largimin e kryeministrit, duke argumentuar se çdo ditë më shumë në pushtet normalizon skandalet dhe kapjen e shtetit. Strategjia e opozitës mbështetet në dy shtylla kryesore: rritja e presionit të brendshëm popullor dhe mobilizimi i faktorit ndërkombëtar. Për arritjen e objektivit të parë, parashikohen mekanizma të fuqishëm presioni, duke përfshirë protesta masive e të vazhdueshme, zaptimin simbolik të bulevardit dhe rrethimin e ndërtesave qeveritare si Kryeministria.

Sipas Xhaferrit, fragmentimi aktual i protestave konsiderohet një favor për qeverinë, ndaj synohet një bashkim i plotë i të gjithë faktorëve opozitarë dhe shoqërorë në një kauzë të përbashkët. Për të arritur këtë unitet, propozohet krijimi i një shtabi të përbashkët operacional dhe logjistik për menaxhimin e protestave, i cili do të funksiononte pa praninë e drejtpërdrejtë të kryetarëve të partive. Kjo lëvizje taktike shihet si një lëshim i nevojshëm për të arritur një bashkim më të gjerë dhe më efektiv. Shtylla e dytë e planit ka të bëjë me angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Xhaferri beson se një front i unifikuar, ku kërkesat nuk vijnë vetëm nga një parti e vetme por nga një bllok prej dhjetëra subjektesh politike, do ta bënte kauzën e tyre më legjitime në sytë e ambasadave, Brukselit dhe Uashingtonit. Kjo, sipas tij, do të krijonte një "psikozë pozitive" dhe do t’i inkurajonte ndërkombëtarët të ushtronin një presion më të fortë dhe më "agresiv" ndaj qeverisë.

Xhaferri:

Asnjë urdhër partie nuk u thye. Besoj se ftesa e protestës së zotit Lapaj i kishte ardhur në Partinë Demokratike dhe patjetër me lejen dhe koordinimin e kryetarit të Partisë Demokratike, unë dhe një grup të rinjsh ju bashkuam asaj proteste pa flamur, pa logon tonë, po thjesht me dhënë, me dhënë sinjalin që Partia Demokratike nuk është aspak e kompleksuar për për të mbështetur çdo lloj proteste ku i bëhet opozitë Edi Ramës dhe jo opozitë opozitës, pra. Ky është koncepti. Pastaj normalisht në protestat e ardhshme duhet një bashkëpunim me të gjitha partitë opozitare që të bashkohen në protestat. Ato që duan të rrëzojnë Edi Ramën.

Po besoj të gjitha ato parti që duan një garë të barabartë elektorale në zgjedhjet e ardhshme. Pra kjo është kauza e përbashkët, që këtu të ketë një qeveri teknike, një qeveri tranzitore që do krijojë kushte të barabarta për të gjitha forcat politike, po në të njëjtën kohë edhe një reformë elektorale që do i japi mundësinë çdo partie të prodhojë mandat dhe jo të digjen votat dhe t'i shkojnë mandatet Partisë Socialiste dhe po ashtu dhe një reformë territoriale që do prodhojë shërbime më të mira për qytetarët dhe jo avantazhe elektorale për për subjektet si Partia Socialiste.

Pra këto janë. Pastaj për koalicion politik, ajo nuk është, sepse është një fazë shumë primitive, pra shumë e hershme. Ëh ne nuk do të thotë se duhet të na bashkojë mendësia jonë politike, programi jonë politik. Ne dhe mund të jemi përballë njëri-tjetrit në garën e ardhshme të barabartë elektorale, por tani kuptohet që problemi kryesor për të gjitha partitë sot është sistemi që Edi Rama ka ngritur me të cilin avantazhohet ai dhe aspak të tjerët.

Kushtet ata mund t'i vendosin, pastaj është në dorën e kryetarit të Partisë Demokratike, i pranon ose cilin kusht pranon ose s'pranon asnjë kusht. Megjithatë, vullneti jo politik, po vullneti momental, pra që është si të thuash jetësor, është që Edi Rama këto dy-tre muaj duhet të rrëzohet. Pra nuk ka mënyrë tjetër. Nëse ai mbijeton dhe këto skandale të cilat pra kjo qeveri është kapur në flagrancë të vjedhjen.

Tani normalizimi nuk mund të vazhdojë më i situatës. Dhe për këtë arsye duhet krijuar mekanizma që do e ngrejnë presionin shumë të madh si në aspektin kombëtar, pra le të themi protestat apo zaptimi i bulevardit apo rrethimi i kryeministrisë dhe çdo gjë tjetër që po mendohet deri në komunikimin me partnerët ndërkombëtarë që të vijnë presione të tjera edhe nga jashtë.

Normalisht, ne jemi në një situatë ku duhet të përdorim çdo mekanizëm për të rrëzuar Edi Ramën dhe nuk është i parrëzueshëm. Nuk është i vaksinuar regjimi i tij nga mosrrëzimi. Çdo regjim rrëzohet. Por rrëzohet kur ka protesta të vazhdueshme, kur ka presion të lartë dhe në të njëjtën kohë dhe një nga komponentët kryesorë është kur shohim të gjithë faktorin shoqëror që kërkon largimin e tij.

Dhe fragmentizimi i protestës siç është në këtë moment, i bën më shumë favorizim Edi Ramës sesa kauzës tonë. Megjithatë dhe unë bie dakord që ne jemi partia më e madhe dhe ne nuk duhet të pranojmë kushtet e vendosura jo proporcionale nga këto forca të reja politike, por nuk duhet të kemi as kompleksitetin që dhe të lëshojmë diçka taktike që mund t'i duhet bashkimit tonë. Pra nëse propozohet që të ketë një shtab, le të themi të përbashkët, ku asnjë kryetar partie mos të jetë pjesë e atij shtabi dhe është thjesht një shtab operacional logjistik për protestën, unë nuk e shoh ndonjë gjë shumë të paarritshme për këtë gjë.

Dhe në të njëjtën kohë edhe për reformën elektorale, unë mendoj që kjo shkon paralel edhe me tërheqjen nga komisioni i opozitës që ne mos të dukemi sikur prodhojmë një reformë elektorale dypalëshe, por një reformë elektorale që do jetë afatgjate dhe e propozuar nga të gjithë faktorët opozitarë.

Sepse nëse ne kemi për shembull koalicionin parazgjedhor, nuk ka më problem pastaj se fragmentizimi pra le të themi, nëse futen në atë koalicion dhe rreshtohen me frontin opozitar, secila parti kërkon votat e saj, por votat nuk digjen. Votat shkojnë përsëri tek fronti opozitar.

Shiko, ajo do ishte një psikozë pozitive dhe për ndërkombëtarët, kur kuptohet që kërkesat nuk do vinin nga vetëm një parti, pra që patjetër opozita 90% është Partia Demokratike, por nuk do vinin kërkesat nga një subjekt politik, por do vinin kërkesat nga 10 subjekte politike, të gjitha në opozitë, atëherë kjo kërkesë bëhet më legjitime dhe për ndërkombëtarët për t'i mbështetur. Pra është thjesht psikozë pozitive në komunikimin edhe ndoshta edhe në shfaqësimin e këtyre ndërkombëtarëve për t'u bërë pak më, më agresiv ndaj ndaj këtij regjimi, sepse kur kur vjen vetëm nga një subjekt politik, atëherë e shohin pak më me dyshim. Pra nuk ka të bëjë meritat e e secilit apo kontaktet e tyre. Është thjesht kauza që duhet të jetë më e përbashkët sesa vetëm e një subjekti apo e një individi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco