'Rruga e Luzit në gjendje skandaloze'/ Kalaja thirrje ARSH-së: Shtroni rrugën ose përballuni me protesta...

10:00, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorët e fshatit Luz në Fushë-Krujë kanë bllokuar sërish rrugën kryesore, në shenjë proteste për gjendjen e saj tërësisht të amortizuar. Duke e cilësuar si një protestë jo politike, por një kërkesë legjitime për një të drejtë themelore, ata shprehen se janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, duke paralajmëruar deri edhe bllokimin e autostradës nëse zëri i tyre nuk dëgjohet.

Drejtuesi i Departamentit për Mbrojtjen e Familjes në Partinë Demokratike, Aulon Kalaja, në një prononcim për mediat tha se kjo rrugë, e cila i shërben jo vetëm zonës por edhe qytetit të Krujës e më gjerë, është lënë në harresë totale.

LEXO EDHE: Rruga në Luz të Fushë-Krujës, e mbushur me gropa dhe pellgje uji, kthehet në vështirësi për banorët

Ai theksoi se Luzi bëri një sakrificë duke lejuar kalimin e këtij aksi në territorin e tij dhe se braktisja e saj në këtë gjendje është një “krim”.

“Nuk kërkojmë luks, por duam asfalt cilësor. Jo të hedhin çakull që e merr shiu i parë”, u shpreh Kalaja.

Gjendja e rrugës ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për komunitetin. Bizneset lokale, si serviset e makinerive dhe lavazhet, raportohet se janë në prag të falimentimit, pasi qarkullimi është bërë thuajse i pamundur.

Një shqetësim edhe më i madh është siguria e fëmijëve të shkollës “Gjon Luka”, të cilët detyrohen të kalojnë çdo ditë mes gropave dhe kamionëve të tonazhit të rëndë, pa pasur asnjë mbikalim për këmbësorët.

Kalaja i bëri thirrje direkte Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSH) që të ndërhyjë urgjentisht, teksa njoftoi se do të dorëzojnë një shkresë zyrtare, të firmosur nga banorët, për të kërkuar informacion mbi fondet dhe afatet kohore për rikonstruksionin e rrugës.

Deklarata e plotë:

"Edhe sot jemi me banorët e Luzit. Kanë dalë për të drejtën e tyre legjitime për rrugën. Edhe javën e kaluar kanë bërë paralajmërime që do bllokohet rruga, edhe sot e kanë bllokuar rrugën, sepse janë në të drejtën e tyre. Kjo është një protestë jo politike, është një protestë vetëm për të drejtat e tyre qytetare.

Kemi parë që në gjithë Shqipërinë po bllokohet rruga, po bien masiv dheu, ndërkohë këtu është një problem tjetër. Para 15 vjetësh këta burra edhe ca të tjerë që s'janë më në jetë, kanë dalë këtu me e blloku rrugën që ky aks mos të bëhej, sepse është rrugë lagje, kjo është rrugë fshati.

Luzi ja dha këtë rrugë qytetit të Fushë-Krujës, qytetit të Krujës, po edhe të gjithë Shqipërisë. E bëni këtë sakrificë dhe ja dha rrugën dhe ta lësh Luzin në këtë lloj forme është krim.

LEXO EDHE: 'Kjo rrugë nuk është lënë kështu as në kohën e turkut ', Aulon Kalaja: Banorët e Luzit kërkojnë asfalt, jo premtime boshe

Prandaj është e drejta e këtyre banorëve jo me dalë në protestë, po me bë akte të tjera edhe më të dhunshme, sepse këtu duhet t'i përgjigje. Prandaj i bëj thirrje nga Luzi, ARSH-së,  Autoritetit Rrugor Shqiptar, se e dimë se në çfarë skandalesh është përfshirë kohët e fundit. Të vijë këtu ai drejtori edhe të shoh rrugën.

Në rast se kalon makina e atij këtu, atëherë t'ju thotë Luzjanëve që të kalojnë edhe makinat e këtyre. Se janë bërë makinat çdo ditë për servis. Të gjithë bizneset që janë në këtë zonë janë totalisht të rrënueme, të dështueme.

Kalamajtë kalojnë këtu përditë për me shku te shkolla edhe janë kamionat që rrezikojnë jetën. Nuk bëjnë dot një mbikalim hekuri nga këtu për ta nxjerrë direkt te shkolla. Këto janë kërkesa të cilat janë legjitime për këta njerëz. Çfarë po kërkojnë? Po kërkojnë luks me ja shtru me flori? Jo mor vëlla, duan asfalt edhe asfalt cilësor.

Jo me ardh këtu, me hedh çakull e granil, që me shiun e radhës e merr lumi edhe bie poshtë. E njëjta situatë është edhe te Luzi tjetër, te Luzi poshtë. Është rruga e cila është skandaloze. Prandaj u rregullua çështja e ujit atje se e kanë hapur rrugën edhe nuk e kanë mbyllur dot. Pra as aty nuk hedhin dot asfalt. Duhet asfalt i trashë, duhet asfalt me standartet europiane sepse këtu kalojnë kamionat dhe është një rrugë që do prishet.

Prandaj, ARSH-ja duhet të vijë këtu. Ne do bëjmë një shkresë, se kemi rënë dakord bashkë me banorët. Do firmosin banorët, do kërkojmë informacion se ku çaloi kjo pjesë. A është miratuar fondi për rrugën e Luzit apo jo? Në rast se nuk është miratuar, a do miratohet dhe kur do miratohet? Se nuk do vazhdojë pafund. Banorët kanë ndërmend me e përshkallëzuar protestën.

Policia sot ka bllokuar rrugën, hyrjen e fshatit Luz djathtas edhe këtej nga ana e autostradës dhe e ka devijuar trafikun, dhe ta kuptojë qyteti i Fushë-Krujës që nuk ka prurë sot përfaqësues këtu, ta kuptojë se çfarë është trafiku i Luzit. Se kanë hyrë kamionat në Fushë-Krujë sot. Sot i ke kamionat në Fushë-Krujë. Edhe është bërë super trafik. Mirë që është trafiku i mëngjesit që shkojnë nëpër punë njerëzit dhe nëpër shkolla, po kanë çuar të gjithë të gjithë kamionat për Fushë-Krujë.

I bëj thirrje dhe biznesit të madh që të futet në bisedime me bashkinë edhe të gjejë një zgjidhje. Se mund të gjendet një zgjidhje tjetër, që ta shtrojnë këto fabrikat që veprojnë këtu, që ja morën shpirtin këtyre.

Shtroni rrugën, nuk dalin në protesta, vazhdojnë punët e veta. Edhe ne kemi punë të tjera. Prandaj na kanë detyruar këtu me dalë. I bëjmë thirrje ARSH-së edhe një herë tjetër".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco