Debati mbi bashkimin e frontit opozitar ka rikthyer në qendër të vëmendjes rolin e partive të vogla dhe raportin e tyre me Partinë Demokratike, mes diskutimeve për peshën reale elektorale dhe kushtet që ato mund të vendosin për bashkëpunim.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV me moderator Flavio Qarri, kryeredaktori i Syri.net, Hysni Gurra, argumentoi se sistemi elektoral i ndërtuar gjatë qeverisjes së Edi Ramës ka prodhuar mekanizma që, sipas tij, favorizojnë fragmentarizimin e opozitës.
Sipas Gurrës, një nga mekanizmat e këtij sistemi është krijimi i partive të reja, shpesh të dala nga vetë Partia Demokratike.
“Përveç marrjes së votave përmes presionit apo shantazhit, shkëputet çdo herë një copë nga PD-ja dhe krijohet një parti e re, që merr sa të marrë,” u shpreh ai.
Ai theksoi se, nëse PD-ja arrin të bashkojë rreth vetes edhe partitë e vogla, kjo do të ishte pozitive, por vetëm nëse bashkimi realizohet pa kushte. Gurra e cilësoi absurd vendosjen e kushteve ndaj një force politike që përfaqëson rreth 500 mijë vota. Ai kundërshtoi idenë që PD-ja të heqë dorë nga simbolet apo logoja si parakusht për bashkëpunim në protesta.
“Çfarë kuptimi ka ekzistenca e një partie politike, nëse ajo duhet të heqë dorë nga identiteti i saj për të dalë në protestë?” u shpreh ai.
Sipas tij, partitë e vogla nuk janë në pozicion për të diktuar kushte, veçanërisht kur peshën e tyre elektorale nuk e kanë të konsoliduar në kohë.
“Më mirë vetëm me aq vota sa ke, sesa të pranosh kushte nga parti që nuk e kanë të provuar realisht peshën e tyre,” tha Gurra.
Ai theksoi se bashkimi në protesta është i dobishëm për të shmangur krijimin e “xhepave” të veçantë të protestës, që sipas tij dobësojnë aksionin opozitar. Megjithatë, energjitë -shtoi ai - duhet të përqendrohen në masivizimin e protestave të PD-së. Gurra pranoi se figura si Adriatik Lapaj kanë marrë vota dhe kanë një elektorat të tyre, por theksoi se kjo nuk mjafton për të imponuar kushte ndaj forcës më të madhe opozitare.
Më tej, Gurra theksoi se prioritet duhet të jetë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të gjitha forcat politike. Ai solli si shembull Kosovën, ku institucionet reaguan menjëherë ndaj shkeljeve zgjedhore.
Ai kritikoi SPAK-un për mungesë veprimesh konkrete në raport me zgjedhjet në Shqipëri, duke theksuar se rezultati duhet të pranohet nga të gjithë, për sa kohë vota numërohet në mënyrë të drejtë. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të barabarta, ku fituesi të dalë nga një proces i besueshëm dhe transparent.
Gurra:
Sistemi që ka ngritur Edi Rama. sistemi elektoral ose i hyrjes në zgjedhje, një nga mekanizmat e këtij sistemi është krijimi i këtyre 'partiçkave' të reja. Pra, përveç marrjes së votave përmes presionit, shantazhit, krimit...është edhe shkëputja çdo herë që ka zgjedhje një copë nga Partia Demokratike dhe krijon një parti të re, të marrë sa të marrë.
Pra, parë në këtë kontekst, në qoftë se Partia Demokratike do arrijnë të rezonojnë, të marrë edhe mbështetjen, përkrahjen e këtyre partive të vogla, është gjë pozitive. E ka bërë edhe herë të tjera më përpara. Unë nuk di të them tani se këto parti të vogla... unë jam kundër si koncept i tyre partiçkave të vogla, pra një parti që e ka ngritur ekzistencën e vet mbi mosekzistencën e PD-së, e ka të qartë misionin e saj.
Nuk flasim këtu konkretisht për Lapajn, sepse ai ka krijuar një parti nga nga vetja e vet, po këta që ikin nga PD-ja, krijojnë një parti, pastaj shkojnë te PD-ja prapë. Shkojnë në seli si kryetar partie. Pra domethënë thjesht bëhen kryetar partie me veten e vet aty dhe. Megjithatë, po të ketë një bashkim, për të mos pasur xhepa-xhepa protestash. E kemi parë tani, Lapaj ka bërë protestë vetë, është i lavdërueshëm gjesti që ai rri atje në para kryeministrisë, por që nuk ka njerëz. E kemi parë dhe Arlind Qorin, po ashtu, kemi parë dhe Gon Shehajn.
Lëvizja vetëm në një fjalë. Interesante është edhe kjo, po ai të paktën ai nuk është se kërkon... Ai nuk do as të jetë bashkë, ka rrugën e tij. Megjithatë është përpjekje pozitive është. Nuk e di se çfarë mund të arrihet në kapitalizim vote apo në rritjen e numrit të protestuesve. Pra, deputetët e Partisë Demokratike, në qoftë se kanë për të harxhuar energji, t'i harxhojnë duke çuar njerëz te protestat e PD-së. Do ishte një gjë shumë e mirë, pra masivizojmë protestën e PD-së, si ato foltoret e përjavshme, si protestat kombëtare. Por në makro, mirë është që këta të jenë bashkë. Të jenë bashkë po pa kushte.
Sepse mua më duket absurditet t'i thuhet hajde tani Partisë Demokratike që ka 500 mijë vota, hiq logot, hiç flamurin e hajde në protestë. Ose vij unë me ty në protestë po s'i pate ti këto. Atëherë çfarë kuptimi ka ajo parti politike? Pra pse ekziston PD-ja, në qoftë se do pranojnë kushte të tilla që i vendos Lapaj, Shehaj e ku di unë gjithë me radhë, ose siç ishte rasti për zgjedhjet e Tiranës, jo po duam kandidat jopolitik, e jo po pa logo. Këta duhet t'i marrin fund këto.
Çdo njeri që del kërkon vota, bën politikë. Nuk bën çështje kombëtare. Nuk, nuk ka, nuk, domethënë çështjen kombëtare në politikë e ka djegur Kreshnik Spahiu njëherë e përgjithmonë. E mori në qafë. E ka mbaruar kjo, kjo pjesë. Domethënë pjesa tjetër është politikë, kërkohen vota. Këta kërkojnë vota me flamurin e PD-së, Shehaj me atë flamurin e vet, Lapaj me të vetin, pra të gjitha me radhë. Në këtë lloj diversiteti le të bashkohen se mirë bëhet.
Po sigurisht që jam kundër kushteve që i imponohen PD-së dhe në mendimin tim, në gjykimin tim, PD-ja nuk duhet t'i pranojë kushte të tilla. Pra më mirë vetëm me aq vota sa ke, sesa me pranuar kushte nga parti që hera e parë domethënë janë testuar në zgjedhje këto. Nuk është se janë të konsoliduara në zgjedhje, herë pas here marrin nga pesë gjashtë deputetë edhe vërtet i kanë një peshë elektorale që ne ia dimë. Ne nuk ia dimë peshën elektorale. Nuk ia dimë sa ka kushtuar deputetët e Agron Shehajt për shembull. Sa kanë kushtuar edhe kështu, në shpenzime. Pra, në këto kushte, marrëveshjet duhet të jenë pa kushte.
Po pra, sjelljet që kanë bërë ato kanë treguar domethënë gjithmonë, është treguar tendenca për të dobësuar Partinë Demokratike, që i ka shkuar gjithmonë në favor mazhorancës. Pra në këtë kontekst unë i kam parë të përdorura nga pushteti. Në politikë jemi, mund të ndryshojnë situatat dhe ata mund të reflektojnë, mund të ftillohen, ku e di unë. Dhe kjo është pozitive, pra një një bashkim, thashë një bashkim protestash, se këta s'po bëjnë koalicion parazgjedhor tani, nuk jemi në situatë të tillë. Një bashkim protestash është pozitiv. Në gjykimin tim, për mua le t'i heq, le t'i heqi Partia Demokratike të gjitha domethënë simbole me flamur se ka ekzistuar dhe pa simbole. Që atë kohë që ja mori Luli, pa simbole ishin.
Këta prapë merrnin vota, prapë merrnin vota. Pra, edhe këtë duhet ta dinë edhe ata që kërkojnë të heqin flamurin, duhet ta dinë që i njohin me fytyrë njerëzit edhe ua japin prapë këtyre. Partitë e vogla nuk janë kushtet që të vendosin kushte. Domethënë ata e kuptojnë se sa i kanë, e kanë testuar veten, se ata kanë bërë testim. Për këto protestat e tanishme kanë bërë testim për të matur peshën në elektoratin e tyre.
Sigurisht është e pamohueshme që Adriatik Lapaj ka marrë vota në zgjedhjet e fundit. Pra nuk është krejt pa vota dhe për fuqi ekonomike krahasimisht me Agron Shehajn, është më i dobët. Po gjithsesi ka marrë, pra do të thotë ka një elektorat.
Është përqafuar ajo ideja e atij, qëndrimi i atij. Se sa është kalçifikuar, që të përsëritet prapë kjo gjë, ne nuk e dimë edhe duhet të provohet dhe derisa të provohet kjo, ai s'ka pse të vëjë kushte. Pra në këto, në këto, në këto rrethana mendoj unë që është një diskutim i kotë. Do të ulen atje të merren vesh me sa vota ke ardhur ti, me sa vota kam ardhur unë. Hajde dalim bashkë në protestë, të shkojmë në zgjedhje të lira, të barabarta si për juve, si për PD-në, si për PS-në. Se dhe PS-ja ka nevojë tani që të ketë njëherë Shqipëria zgjedhje të lira, të ndershme, pavarësisht se ata nuk flasin, po brenda socialistët të pakënaqur janë.
Ne i dimë, ju i njihni socialistët dhe unë i njoh që flasim. Në një spital shkojmë të gjithë edhe edhe ata po kërkojnë një moment frymëmarrjeje, e kupton, socialistët. Pavarësisht se atë gypin ua ka lidhur dhe e mban shtrënguar presionin, po presion është rritur brenda radhëve të tyre. Të shkojë Shqipëria në zgjedhje të lira, të ndershme. Le të fitojë kushdo. Dhe thashë edhe njëherë, le të fitojë PS-ja prapë. Ose le të fitojë PD-ja, ose le të fitojnë Adriatik Lapaj. Po ta dimë që janë numëruar votat siç duhet, si në Kosovë. Dhe kemi një shembull ekzemplar dhe do e them edhe këtë se e kam me merak. Në Kosovë brenda ditës kanë arrestuar 110 veta, Prokuroria e Kosovës për zgjedhjet, për vota të brendshme, për vota të brendshme kandidatësh, pra që nuk cënojnë, që nuk kanë cënuar rezultatin e madh. Dhe SPAK-u në Shqipëri, që i ngriti gjithë propagandë, gjithë potere, një task forcë për zgjedhjet, ka arrestuar nja dy-tre veta.
© SYRI.net