Rritja e çmimeve të ilaçeve/ ‘Barra mbi qytetarët’, Alimehmeti: Po kompensojnë kolapsin financiar të FSDKSH!

17:07, 01/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një rritje e paprecedentë dhe e pashpjegueshme e çmimeve të një sërë medikamentesh, thelbësore për qytetarët ka alarmuar këta të fundit. Drejtuesi i  Departamentit të Shëndetësisë, Ilir Alimehmeti në një intervistë për Syri Tv, shprehet se rritja e çmimeve nuk ka asnjë lidhje me tregjet ndërkombëtare apo kursin e këmbimit valutor, por është një arsye e brendshme që synon të mbulojë boshllëqet financiare duke i marrë paratë direkt nga xhepat e qytetarëve.

Sipas Alimehmetit, rritja e çmimeve deri në disa dhjetëra-fish për disa ilaçe, përfshirë antibiotikë, barna kundër tumoreve, diabetit dhe sëmundjeve autoimune, fshihet një interes i brendshëm qeveritar. Ai argumenton se skema shërben për të kompensuar kolapsin financiar të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), i cili është përballur me abuzime të shumta, siç janë rimbursimet fiktive.

“Kjo hapësirë financiare, ky boshllëk i krijuar, po tentohet të mbulohet pikërisht nga xhepat tanë, duke shtuar fiktivisht çmimet e disa ilaçeve,” deklaroi ai. Rritja e çmimeve nuk sjell asnjë garanci për përmirësimin e cilësisë së barnave, përkundrazi, pasoja direkte do të jetë një barrë më e rëndë për qytetarët.

Alimehmeti vuri në dukje se vendimi duket të jetë marrë në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Shëndetësisë, pa asnjë transparencë apo proces negocimi me kompanitë farmaceutike. Kjo situatë vjen në një kohë kur shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri mbeten në nivele tejet të ulëta, vetëm 2.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shumë më poshtë se standardi i rekomanduar prej 5% nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.

Në thelb, qytetarët shqiptarë përballen me një goditje të dyfishtë: jo vetëm që do të paguajnë më shtrenjtë për medikamentet, por edhe do të kenë më pak akses te barnat e rimbursuara, duke thelluar më tej krizën e kostove të kujdesit shëndetësor që rëndon mbi familjet.

Është një arsye e brendshme, nuk ka asnjë lloj arsyeje që të jetë e tregjeve ndërkombëtare, e prodhuesve, e rritjes së barnave apo po themi e ndryshimit të valutës, lekë që mund të jetë dobësuar, përkundrazi ne e shohim që euro dhe dollari bie në mënyrë të vazhdueshme, të gjitha këto barna vijnë nga jashtë kështu që janë produkt importi. Janë barna të shumë llojeve të ndryshme të fushave shëndetësore. Pra, siç e thatë juve ka antibiotik këtu, ka barna kundër tumoreve, ka barna kundër sëmundjeve autoimune, ka barna kundër diabetit, pra nuk është asnjë fushë e caktuar. Këto çmime të rritura kaq shpejt do të thonë vetëm një diçka, do të thotë që ka një interes brenda pra qeverisë për t'i rritur çmimet, për të pasur disa përfitime ndërmjet aktorëve që janë fondi, sepse është shumë qartë, edhe lista, skema e fondit ka, është një skemë e cila është jo e suksesshme, është shumë e qartësisht nuk arrin të ofrojë dot atë çka duhet t'i ofrojë njerëzve, por është dhe në kolaps financiar për shkak të të gjitha abuzimeve që ju keni parë që ka ndodhur me rimbursime fiktive, ilaçe të cilat në fakt nuk kanë shkuar kurrë te pacienti, por paratë kanë shkuar te xhepat e një grushti njerëzve.

Dhe në këtë aspekt këtu atëherë tentohet të mbulohet kjo hapësirë financiare, ky boshllëk financiar që është krijuar, pikërisht nga xhepat tanë, duke shtuar fiktivisht çmimet e disa ilaçeve të cilat në fakt nuk kanë asnjë arsyetim për të pasur këtë rritje çmimi. Kujtoj që nga njëri krah ne kemi rritje çmimesh, nga krahu tjetër sërish ne nuk kemi garanci për cilësinë e tyre, sepse pra vazhdojmë të kemi në fuqi një ligj i cili nuk garanton dot nëse neve kemi barna të certifikuara apo jo në sistemin tonë shëndetësor. Dhe në këtë aspekt këtu nuk ka asnjë arsyetim tjetër, nuk ka asnjë lloj shpjegimi. Kanë pritur fundjavën për ta nxjerrë këtë lloj rritje dhe nuk ka arsyetim, nuk ka argumentim tjetër përveçse përfitimit të fondit nga njëri krah dhe të disa xhepave nga krahu tjetër. Të gjitha këto në kurrizin tonë.

Barnat në tregun shqiptar, çmimi i tyre, qofshin këto të rimbursuara apo të parimbursuara, rregullohen nga Ministria e Shëndetësisë, që do të thotë mbi çdo kuti ilaçesh ka një çmim. Besoj këtë e keni parë apo jo? Dhe këtë çmim do të duhet të paguajë qytetari. Se si bëhet përmes skemës së rimbursimit apo nga xhepi, ç'rëndësi ka, ky është leku që del nga qytetari, sepse mos harrojmë, edhe fondi me paratë tona i paguan këto ilaçe, nuk është se ka lekë ku di se ku, nga taksat dhe nga sigurimet shëndetësore dalin edhe këto. Do të thotë shpenzohet më shumë për ilaçe në krahasim me ç'po bënte dy javë më parë. Pra, po të njëjtat medikamente, nuk ka asnjë lloj arsyetimi që të jenë rritur në çmim, sepse do të duhej, po të ishin mjekime të reja, po të ishin patenta të reja, atëherë neve mund t'i presim që të kenë çmime të shtrenjta, po këto janë po të njëjtat ilaçe që janë prodhuar më parë. Dhe po të shihni dhe vendet e prodhimit të tyre, nuk është se janë vende, po flasim për vende si Kina, po flasim si vende si Maqedonia e Veriut, e kupton? Ka dhe ilaçe që prodhohen në Zvicër apo në Shtetet e Bashkuara. Pra, është miks e situata, nuk është një situatë unike që të justifikon rritjen e çmimeve.

Kjo rritje çmimi vjen vetëm për një arsye, që neve të paguajmë më shumë para për shëndetin tonë. Kujtoj unë që shumë qartë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nxjerrë që 60% e parave që nevojiten për sëmundjet, për problematikat shëndetësore, dalin nga xhepi i pacientëve direkt. Kujtoj që dhe 40%  nga taksat tona del. Pra të dyja rastet, ne jemi të vjedhur në këto lloj situatash. Pra çfarëdolloj mjekimi që rritet dhe nuk ka pasur këtu asnjë lloj negociate me firmat prodhuese, nuk ka pasur asnjë lloj negociate me ata që i fusin barnat brenda, është direkt një rritje që bën Ministria e Shëndetësisë dhe bën zyrtare, sepse e bën në listën e saj, që do të thotë çdo qytetar të Shqipërisë e detyron tashti të paguajë këto lloj rritjesh të cilat janë të pakuptueshme. Dhe nuk ka asnjë shpjegim, nuk ka asnjë lloj reagimi zyrtar, por ne duke e njohur shumë qartë tregun dhe se si kjo rritje e ilaçeve apo uljet e çmimeve të ilaçeve funksionojnë, mund të themi shumë qartë që këtu nuk ka asnjë argumentim për këtë përveç përfitimit të parave nga xhepat tonë. Dhe kjo është diçka që ndodh, ka ndodhur vit për vit. Po të themi të drejtën, në këtë moment këtu, një rritje kaq e lartë, kaq e përnjëhershme nuk ishte ndodhur më parë. Ka disa ilaçe që kanë arritur në 40-fish.

Po kujtoj që nga krahu tjetër fondi i rimbursimeve nuk është se ka ndryshuar. Pra, fondi ka mbetur i njëjtë në vlerë. Pra, nëse fondi ka mbetur i njëjtë në vlerë dhe çmimet e ilaçeve janë rritur, do të thotë që ky fond arrin të blejë më pak ilaçe sesa ç'blinte një vit më parë. Dhe do të kemi më pak ilaçe..., sepse në qoftë se çmimi për njësi është rritur dhe fondi total nuk është rritur, atëherë automatikisht do të thotë më pak mjekime për njerëzit, që do të thotë nuk ka ndonjë çudi që neve të shohim që shpenzimi nga xhepi i qytetarëve të Shqipërisë në rastet e e sëmundjeve të tyre do të jetë tashti më i lartë se ai që ka parë më përpara Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila e kishte kuantifikuar në 59.7%. Do të thotë, 60% po ta rrumbullakosin. Dhe kjo nuk çon në rrugë tjetër përveçse shtimit të saj, se do të thotë disa kanë për të mbetur, fondi nuk do arrijë dot t'i mbulojë të gjithë. Dhe do të duhet t'i blejnë qytetarët me paratë e tyre. Dhe ato që ka mbuluar prej tij. Po absolutisht, po në të dyja rastet nga, nga xhepat tonë merret.

Pra, thjesht një pjesë ne ia japim fondit për administrim dhe pjesën tjetër ne e paguajmë direkt nga xhepi personalisht kur kemi hallin, sepse kjo është e vërteta. Kur vjen puna tek shëndeti, nuk njerëzit nuk është se rrinë edhe mendojnë, në fund të fundit shëndeti është i pari dhe hyjnë dhe në borxhe, rëndohen edhe ekonomikisht në mënyrë që të paguajnë ato lloj faturash që u vjen. Fondi duket më i paqartë sepse merret nga taksat tona, merret nga buxheti total i shtetit. Por është një fond i cili nuk është rritur dhe vazhdojmë e kemi po njësoj, ndërkohë që kemi kërkuar, ju besoj e mbani mend, sot një vit ka qenë amendament i Partisë Demokratike. Po. Kërkesa që shpenzimi publik i shëndetësisë të shkojë në 5%. Dhe është hedhur poshtë nga Partia Socialiste.

Ndërkohë që neve sot e kemi vetëm 2.8% shpenzim të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një shifër krejtësisht e pa pamjaftueshme. Se kujtoj që çmimi, niveli dysheme i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe i Bashkimit Europian është 5% të paktën. Ne e kemi 2.8%. Tani brenda dhe këtij 2.8% mos harrojmë kemi abuzime si koncesionet e me radhë, se kemi nja katër koncesione në shëndetësi. Nga krahu tjetër, pas kemi dhe rritje të disa mjekimeve të cilat janë në treg prej shumë kohësh dhe nuk shpjegohet, nuk justifikohet dot pse rriten këto dhe pse me këto lloj shifrash. me disa-fish. Nuk, nuk ka asnjë transparencë në këtë drejtim. Thjesht janë rritur dhe kaq. Pra, pse kjo është bërë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, po po të vijë puna te kompanitë të jemi shumë të qartë, po të vijë puna te kompanitë, këto janë biznese, ato për të përfituar kanë dalë në treg. Po. Pse e kemi ne Ministrinë e Shëndetësisë? Pse kemi neve sistemin publik që negocion me ta? Këto duhet të bëjnë interesin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco