Në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë arritur një pikë kritike, duke mbajtur pezull gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, analiza e ekspertëve tregon se pas retorikës së ashpër fshihen negociata intensive dhe interesa strategjike që tejkalojnë thjesht çështjet e vlerave demokratike.
Sipas gazetarit Genc Burimi, strategjia aktuale e administratës Trump ndaj Iranit nuk është e bazuar te promovimi i demokracisë, por te mbrojtja e interesave amerikane, ku parësor mbetet garantimi i sigurisë së Izraelit.
Në intervistën për Syri TV me gazetarin Edvin Parruca, Burimi tha se kjo qasje pragmatiste, e cila vë interesat mbi vlerat, është bërë një tipar dallues i politikës së jashtme të Uashingtonit. Për Izraelin, Irani me programin e tij bërthamor dhe me rrjetin e aleatëve në rajon, përbën një kërcënim ekzistencial. Për këtë arsye, presioni izraelit mbi SHBA për një ndryshim regjimi në Teheran është i vazhdueshëm dhe thelbësor. Strategjia e përdorur nga SHBA-të shfaq ngjashmëri me atë të aplikuar më parë në Venezuelë. Ashtu si atëherë, kur një flotë ushtarake amerikane u pozicionua pranë vendit ndërkohë që zhvilloheshin bisedime sekrete me regjimin e Maduros, edhe sot një prani e fuqishme ushtarake amerikane në Gjirin Persik shërben si mjet presioni ndërsa kanalet diplomatike mbeten të hapura.
Genc Burimi: Nuk është e habitshme, duke marrë parasysh që administrata Trump, ndryshe nga të kaluarat, nuk vë në vijë të parë vlerat, por vë interesat amerikane. Ata s'kanë asnjë kompleks ta shprehin një gjë të tillë. Ç'do të thotë kjo? Që për ta nuk ka rëndësi demokracia, po ka rëndësi nëse interesat amerikane zbatohen ose kënaqen. Duke funksionuar me këtë ekuacion, nëse merrnim rastin e Venezuelës, cili ishte interesi amerikan? Ishte pikërisht të vinte dorën mbi naftën e Venezuelës, qoftë pikërisht për ato firma amerikane të cilat ishin shpronësuar, këtë e tha gjatë Trump në diskutimin e tij, qoftë po ashtu për ta larguar Kinën dhe Rusinë nga bashkëpunimi, lidhjet tregtare me Venezuelën. Vijmë te Irani. Cili është interesi amerikan? Interesi amerikan është siguria e Izraelit. Këtë besoj se nuk bën mister për askënd. Për këtë Trump nuk negocion asgjë, e tha edhe në Knesset ë, kur mbajti fjalimin e tij, është siguria e Izraelit. Izraeli sot, mendon, jo vetëm mendon por e provon, po shikon prej shumë vitesh, rreziku i saj kryesor për ekzistencën e Izraelit është Irani. Irani. Irani qoftë një rrezik nëpërmjet satelitëve të tij, të cilët njëri pas tjetrit janë eliminuar gjatë këtyre viteve.
Cili ishte një satelit? Ishte, ishte Siria, u eliminua. Ishte Hezbollahu, u eliminua. Ishte po ashtu dhe Hamasi. Të gjitha këto, pa folur pastaj dhe për ata që janë në Jemen. Të gjithë këta janë eliminuar, por Irani vazhdon ende reziston, sepse Irani ka programin e tij bërthamor. Pra, vjen një moment që thotë Izraeli, i rekomandon vëllait të madh të SHBA-ve, ose më mirë të themi Trump-it, që ka ardhur momenti që nëse duam ta heqim komplet rrezikun iranian, duhet të kemi një ndryshim regjimi në Iran. Në këtë pikë jemi sot. Tani, ky ndryshim regjimi sigurisht që kur filluan lëvizjet e të rinjve, e popullit iranian, sigurisht që kjo mund të kombinohej fare mirë edhe me atë mbështetje që Amerika e Madhe i jep popullit iranian për të rrëzuar regjimin e mollahve. Por e shohim fare mirë që nuk është kjo arsyeja kryesore. Pra sot, në momentin që flasim sot, jemi ekzakt në të njëjtën situatë si me Venezuelën, ku nëse ju kujtohet, kur flota amerikane qëndroi për ditë, në mos për javë të tëra, dhe pastaj një natë të bukur morëm vesh në mëngjes nëpër lajme që ishte rrëmbyer Maduro. Çfarë ndodhi gjatë atyre javëve? Është e njëjta gjë si sot në Iran. Pra kjo flotë amerikane, me luftanijet, me aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln, do rrijë aty për ditësh, gjatë kohës së negociatave. Po negociohet me Iranin, siç u negociua me Maduron.
Çfarë ishin këto negociata? Negociata është: ju lëmë aty ku jeni në pushtet, por t'ju heqim dhëmbët. Pra, pranoni që t'ju zhveshim komplet edhe nga programi bërthamor, por edhe nga programi i raketave, sepse të dyja shkojnë bashkë. Dhe këtu ngec puna. Sepse në kushte të njëjta, amerikanët sot i kërkojnë Iranit të kapitullojë. Sepse në qoftë se Irani heq dorë edhe nga bërthamorja por edhe nga raketat, Irani s'ka më asnjë mundësi fare të mbrohet. Pra, me sa shohim sot, të dyja palët fitojnë kohë. Amerikanët fitojnë kohë që Irani t'i mendojë mirë, të shohë forcën që ka përballë. Irani po ashtu fiton kohë, mendon, shpreson se mund të ketë një zgjim të aleatëve të tij, që janë Rusia dhe Kina. Sot Irani ka shpallur, do flasim bashkë më pas, manovra ushtarake në gjirin e Hormuzit. Ka ftuar Kinën dhe Rusinë, por më duket një tentativë nga ana e Iranit, një tentativë e kotë. Gjërat mund të shkojnë shumë keq për Iranin.
© SYRI.net