Në vijim të intervistës për Syri.net presidenti i Partisë së Lirisë nga qelia e paraburgimit paralajmëron se do të publikojë provat për kapjen e drejtësisë ndërsa sfidon SPAK-un të thotë ku janë hetimet për Edi Ramën?
Pjesa e tretë e intervistës dhe e fundit
Po ndryshimin e qëndrimit të Edi Ramës ndaj Drejtësisë, si e vlerësoni?
Asnjë ndryshim nuk ka në sjelljen e Edi Ramës.
Ose Drejtësi me Regji sipas kushteve të tij, ose pengim dhe poshtërim të Drejtësisë.
E harruat ju qëndrimin bllokues që mbajti ndaj kërkesës së Prokurorisë të Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit Tahiri?
Po qëndrimin e dy “buzëputhurve” të Reformës për çështjen Tahiri?
Ata flisnin për luftën kundër “peshkaqenëve” sapo morri një iniciativë prokuroria, në nivel të lartë, shprehën shqetësimin për mosrikthimin e praktikave komuniste (!).
Por jo vetëm kaq, por u kujdesën për uzurpimin e SHISH-it nga Rama.
As Rama dhe as “buzëputhurit” nuk kishin hallin e Tahirit, por hallin e tyre.
Ish-Zv/Kryeministri Ahmetaj, na sqaroi se kanabizimi i vendit kishte qenë projekt personal i Ramës.
Edhe te çështja Balluku, kudo del emri Rama që komandon tendera dhe afera.
Kapjen e Drejtësisë në mënyrë antikushtetuese e kam denoncuar publikisht në çdo moment që ka ndodhur, që nga kapja e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota (nga 84 sipas Kushtetutës) bllokimi i KED-së për 3 vite dhe lënia e vendit pa Gjykatë Kushtetuese, si dhe skenarin për kapjen totale të Gjykatës Kushtetuese, për të cilën u organizua dhe mitingu historik i 2 Marsit 2020.
I keni harruar sa kallëzime kam bërë në SPAK gjatë kohës që isha President?
Me dhjetra për ligjet me porosi që kalonte Edi Rama në Parlamentin e koorporatave.
Mos jeni kontradiktor me Drejtësinë e sidomos me SPAK-un. Pra e sulmoni kur ju hetojnë juve dhe e mbështesni kur heton njerëzit e Ramës?
Koherenca ime është e jashtëzakonshme. Edhe pse e kam bërë të qartë që në krijimin e SPAK-ut, ishte produkt i institucioneve që kapi Rama në mënyrë antikushtetuese, pra Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota dhe i KLP-së që devijoi nga ky proces, i kam dhënë mbështetje të plotë pavarësisht nga zhgënjimet e vazhdueshme për shkak të mosveprimeve të tyre për kallëzimet e mia apo të të tjerëve.
Po kështu kam qenë në dijeni të plotë të nisjes së hetimeve ndaj meje që në vitin 2018, para krijimit të SPAK-ut dhe kjo ishte presion për Çështjen e Detit me Greqinë dhe për cënimin e pavarësisë time si President.
Kisha dijeni të plotë që në javën e parë të betimit, se unë si President, edhe Z. Kraja dhe Z. Dumani, kishin marrë vet me qejf çështjen CEZ-DIA, por kurrë as jam shqetësuar për këtë dhe as t’i kem penguar apo ndërhyrë.
Kam qenë i informuar për përpjekjet e Z. Dumani për të marrë deklarime të pavërteta nga Z. Ismailaj dhe persona të tjerë si dhe vizitat e tij në Çeki kur unë isha President.
Po kështu, në të njëjtën periudhë unë isha në hetim parlamentar për shkarkim edhe nuk ju shmanga as Komisionit Parlamentar të paligjshëm.
Ashtu siç u kam treguar vendin e merituar të gjithë ambasadorëve të korruptuar që donin të bënin sekserin e Ramës te Presidenti për shkatërrimin e opozitës dhe pluralizmit.
Çuditërisht, që në momentin që kërkoi azil Z. Ahmetaj, nga zyra e Dumanit, përmes gazetarëve të besuar të tij, dilnin çdo ditë lajme se erdhi letërporosia nga Çekia, nga Anglia, Amerika e Afrika dhe do të arrestohet nesër Meta.
Shumë shpejt do të publikohen të gjitha letërporositë, që të gjithë të kuptojnë se sa të drejtë ka patur Meta kur ka folur për Drejtësi me Regji.
Z. Dumani e kam kritikuar apo sulmuar politikisht kur ai ekzekutoi publikisht pabarazinë e gjykatave me afërmendshin e njohur apo kur amnistoi publikisht Edi Ramën për aferën e inceneratorëve, duke e kualifikuar si krim intelektual një krim mizor (që cënon edhe shëndetin e qytetarëve përveç vjedhjes) dhe aq banal.
Vetëm një i marrë si Edi Rama, mund të firmosë si përfituese të bonusit 8%, një kompani që nuk ishte krijuar akoma.
Po kush ka sy ta shohë këtë firmë?
Sylidhurit?
Edhe sot që janë mbyllur hetimet, i nxis prokurorët të vazhdojnë e thellohen në hetimet e tyre për mua, por të mos harrojnë 14 miliard eurot e vjedhura nga Edi Rama.
Të vazhdojnë prapë hetimet me CEZ-DIA, afera e vetme ku shteti ka dalë me fitim, por të na thotë se ç’bëhet me padinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit për faljen e 476 milion eurove CEZ-it nga Edi Rama?
© SYRI.net