Pasi i joshi pensionistët italianë për tu zhvendosur në Shqipëri, - të cilën e shpopulloi nga të rinjtë - duke propaganduar se nuk do të taksohen Rama ndryshon qasje.
Ndryshimet e fundit në legjislacionin fiskal shqiptar kanë shkaktuar pasiguri dhe shqetësim te pensionistët italianë që kanë zgjedhur Shqipërinë si vendbanim. Heqja nga ligji i ri e një neni që parashikonte në mënyrë eksplicite përjashtimin nga taksat për pensionet e huaja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi trajtimin e tyre fiskal, duke ushqyer frikën për një taksim të mundshëm me normë rreth 15%.
Gazetarja e Syri TV, Alba Kepi, raporton se deri tani, pensionistët italianë rezidentë në Shqipëri përfitonin pensionet e tyre të ardhura nga Italia pa u tatimuar në territorin shqiptar. Ky përjashtim ishte i përcaktuar qartë në kuadrin ligjor të mëparshëm dhe konsiderohej një nga faktorët kryesorë që i shtynte pensionistët të zhvendoseshin në Shqipëri.
Me miratimin e ligjit të ri fiskal, neni që garantonte shprehimisht këtë përjashtim është hequr. Edhe pse në tekstin e ri nuk parashikohet drejtpërdrejt taksimi i pensioneve të huaja, mungesa e një reference të qartë ka krijuar një boshllëk interpretues, i cili ka nxitur shqetësime të gjera.
Referuar mediave italiane shumë pensionistë ijanë drejtuar pranë konsulentëve fiskalë dhe institucioneve përkatëse për të marrë sqarime mbi statusin e pensioneve të tyre. Disa prej tyre kanë shprehur hapur shqetësimin se një taksim i mundshëm do të cenonte ndjeshëm të ardhurat mujore, duke vënë në diskutim qëndrimin e tyre në Shqipëri.
Për pensionistët me të ardhura fikse, çdo ndryshim fiskal ka ndikim të drejtpërdrejtë në standardin e jetesës, veçanërisht kur vendimi për t’u zhvendosur është marrë mbi bazën e një regjimi tatimor të favorshëm.
Sipas interpretimeve të ekspertëve dhe burimeve informuese jozyrtare, situata aktuale nuk përfaqëson një ndryshim real në trajtimin fiskal të pensioneve italiane. Megjithëse ligji i ri nuk e përmend më shprehimisht përjashtimin, pensionet personale të huaja nuk rezultojnë të përfshira në kategoritë e të ardhurave të tatueshme në Shqipëri.
Gjithashtu, Shqipëria ka në fuqi marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë me shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë, të cilat vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje ligjore për pensionistët rezidentë.
Sipas ekspertëve, deri në këtë moment nuk ekziston asnjë vendim zyrtar, udhëzim administrativ apo akt nënligjor që të parashikojë aplikimin e një takse 15% mbi pensionet italiane. Shqetësimi buron kryesisht nga paqartësia ligjore e krijuar pas heqjes së nenit përkatës.
Megjithatë, mungesa e një deklarate zyrtare nga autoritetet shqiptare vazhdon të mbajë të gjallë pasigurinë.
© SYRI.net