Dumanin e mbron Garda me VKM të posaçme e jo KLP - Historia e rreme me kërcënime që prodhoi lajmin e rradhës

Dumanin e mbron Garda me VKM të posaçme e jo KLP - Historia e rreme me kërcënime që prodhoi lajmin e rradhës

18:10, 31/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

'Kjo historia me kërcënime dhe shantazhe është një metodë e mirë për të marrë vëmëndje mediatike dhe në shumë raste kjo histori me kërcënime i ka ndodhur vetëm, Altin Dumanin"

Nga Syri.net

Një lajm se ish-kreu i SPAK Altin Dumani, gjatë kësaj kohe është kërcënuar, u përhap me shumë shpejtësi sot ditën e shtunë (31 janar 2026)  në mediat online dhe ato vizive.

Dhe sipas raportimit mediatik, për t’i paraprirë ndonjë situate të pakëndshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me kërkesë të drejtuesit të ri, Klodian Braho, ka kërkuar shtimin e masave të sigurisë për Dumanin dhe një prokuror tjetër, siç është Dritan Prençi.

Por tashmë këto histori me kërcënime po kthehen më shumë për të kapur audiencën mediatike se sa ka diçka reale. Së pari Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk ka asnjë tagër dhe kompetencë ligjore për të miratuar mbrojtje apo masa shtesë sigurie për Altin Dumanin.

Altin Dumani, është në mbrojtje nga Garda e Republikës dhe këto masa ndaj tij, janë të përcaktuara qartë në ligj dhe në VKM-në Nr.478 të datës 10 korrik 2019, e cila u ndryshua në muajin Tetor 2025, pas ngjarjes së vrasjes së gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja.

Në Tetor, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në vendimin nr.478, datë 10.07.2019, lidhur me procedurat e sigurisë për gjyqtarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkohë sipas kësaj VKM-je, mbrojtja personale e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme do të sigurohet me truprojë të nivelit bazë dhe të nivelit të mesëm gjatë mandatit dhe për një afat deri në tre vjet pas përfundimit të tij.

Qartazi siguria e Dumanit edhe pas ikjes nga detyra e kreut të SPAK, varet direkt nga Garda e Republikës dhe jo nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Garda e Republikës, është e detyruar të zbatojë VKM-në e vitit 2019, e cila u ndryshua në muajin Tetor 2025. Ndërsa KLP nuk ka asnjë artificë për të vendosur mbrojtje shtesë ndaj Altin Dumanit.

E vetmja kërkesë që KLP ka miratuar është zgjatja e masave të sigurisë për familjarët e Dumanit, për të cilët ky i fundit pretendon se janë kërcënuar dhe shantazhuar.

Që nga dita kur është larguar nga posti i drejtuesit të prokurorisë SPAK e deri më sot, Altin Dumanit, nuk i ka munguar asnjë ditë mbrojtja fizike.

Dumani, vijon të transportohet me “Audin” e blinduar të Bechetit, i cili u konfiskua nga prokuroria e Tiranës dhe pjesë eskortës së tij ka dhe një makinë policie. Në Tiranë, eskorta e Altin Dumanit vijon të thyejë të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor, duke hyrë dhe me semafor të kuq në shumë kryqëzime.

Por nëse Altin Dumani e ka bërë shumë mirë punën e tij hetimore, nuk ka pse të ketë frikë nga kërcënimet apo diçka tjetër. Nga kush trembet Dumani, kur ka zbatuar ligjin dhe ka bërë punën e tij në përputhje me ligjin?

Dumani duhet të jetë në rregull me punën e tij hetimore, pavarësisht se ka dezertuar thuajse të gjitha dosjet gjyqësore në Gjykatën e Posaçme. Nuk shkon fare në gjyq për të mbrojtur akuzën në pjesën më të madhe të dosjeve që ka hetuar.

Kjo historia me kërcënime dhe shantazhe është një metodë e mirë për të marrë vëmëndje mediatike dhe në shumë raste kjo histori me kërcënime i ka ndodhur vetëm, Altin Dumanin.

Ndërkohë që realisht që nga krijimi i SPAK e deri më sot, Prokuroria e Posaçme njeh vetëm dy raste serioze për kërcënim ndaj jetës të prokurorëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco