Opozita do të zhvillojë protestën e radhës kundër qeverisë Rama më 10 shkurt, në orën 17:00. Deputeti demokrat Klevis Balliu e cilëson protestën si një përgjigje ndaj kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve dhe si një 'mision për të çliruar vendin nga ata që kanë vjedhur pasuritë publike."
Në një intervistë në studion e Syri TV me gazetarin Bled Marku, Balliu u shpreh se dosja e AKSHI-t ka faktuar akuzat e opozitës për lidhjet mes pushtetit dhe krimit të organizuar.
“Ka dalë dosja e AKSHI-t, ku janë faktuar të gjitha akuzat e opozitës. Është faktuar lidhja e karteleve me institucionet e shtetit, ku karteli i Çopjave kishte të dhënat personale të të gjithë qytetarëve. Është faktuar se biznesmenë dhe punonjës të administratës dhunohen për llogari të pushtetit, merren peng, çohen tek Suel Çela, në bodrumet e tij, dhe torturohen që të tërhiqen nga ankimimet, në mënyrë që tenderat t’i marrë baxhanaku i kryeministrit”, deklaroi Balliu.
Në çdo vend perëndimor këto fakte do të çonin menjëherë në dorëheqjen e qeverisë dhe në hapjen e rrugës për një qeveri teknike që do të organizonte zgjedhjet.
Deputeti demokrat theksoi se protesta është mjeti i vetëm i mbetur për të rikthyer legjitimitetin dhe për t’i hapur rrugë një qeverie teknike apo tranzitore, e cila do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa ndikimin e bandave dhe parave të pista.
“Ne po kërkojmë një qeveri teknike apo tranzitore, cilado të jetë ajo, të qeverisi vendin për një kohë të mjaftueshme që t'i japi mundësinë kësaj qeverie të re për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të prodhonin një garë reale programesh dhe llogaridhënie nga qeveria. Qytetarët do të votonin të lirë për programe që u japin zgjidhje halleve të tyre, dhe jo halleve të Ballukut”, u shpreh Balliu.
Në vijim, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se gjithë aktivitetin e tij publik e ka përqendruar në mbrojtjen e zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Edi Rama nga mëngjesi deri në darkë bën takime vetëm për të rifreskuar figurën e Ballukut, sepse ajo ia ka bërë të qartë: ‘O djalë, po ika unë, ti vjen me mua’”, komentoi Balliu.
© SYRI.net