SYRI TV/ Berisha: Kryengritja e vazhdueshme e vetmja rrugë

14:54, 31/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se kryengritja paqësore e opozitës nuk duhet të ndalet deri në përmbysjen e qeverisë së Edi Ramës. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se regjimi është në panik dhe ftoi qytetarët që të bashkojnë forcat për protestën e ardhshme kombëtare të 10 shkurtit.

Siç e patë vetë, ai nuk dorëzon dot, për asnjë rrethanë, asnjë mundësi imunitetin e Lubi Ballukut, sepse e di se duhet të dorëzojë lëkurën e tij, karrigen e tij.

Dje, ai u paraqit në Divjakë para fermerëve, me Ballukun në krah, por i tronditur deri në palcë, kërcënues dhe arrogant ndaj fermerëve që haptas shprehnin pakënaqësitë e mëdha dhe denonconin politikat e tij kundër fermerëve shqiptarë.

Pra, mund të themi se regjimi po ecën drejt agonisë dhe gjithçka varet nga ne, nga opozita shqiptare. Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë deri në përmbysjen e Edi Ramës.

Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër për datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të japim një paralajmërim më të fortë për largimin e tyre nga pushteti.

Berisha tha se janë me qindra qytetarë të cilët kërkojnë që opozita të mos largohet nga sheshi deri në largimin e qeverisë dhe theksoi se kjo është rruga më e sigurt për fitoren.

"Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti", theksoi ai.

Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh, për aq kohë sa ta largojmë regjimin, është rruga më e sigurt për fitoren tonë.

"U garantoj se drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të pandalshme."

Edi Rama mund të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, por shpresë nuk ka. Do të shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartellet e drogës, krimin dhe farsat elektorale.

Berisha argumentoi se Edi Rama ka nxirë kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

"Kombin shqiptar e nxin Edi Rama, i cili, bashkë me familjen e tij, përvetëson miliarda nga pasuritë publike të shqiptarëve. Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët vjedhin 90% të fondeve të investimit dhe shiko rrugët që ka ndërtuar me çmim 10-fish më të lartë krahasuar me Europën, rrugë që shpartallohen dhe shkatërrohen në shirat e parë."

"Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët zhysin shqiptarët nga qytetarët më të paguar në Ballkan, në qytetarët me rroga dhe pensione më të ulëta."

"Kombin shqiptar e nxijnë ata të cilët kanë përzënë nga Shqipëria, në 10 vitet e fundit, 1 milionë e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengenit."

Berisha lëshoi akuza të forta për korrupsion ndaj Edi Ramës dhe theksoi se dosja e Ballukut dhe ajo e AKSHI-t rëndojnë si gur mbi shpatullat e tij.

"Rama është i tmerruar. Ai po bën gjithçka në botë, po shpenzon dhjetëra e qindra miliona që të dalë nga rrethi i kuq, por Rama nuk del nga rrethi i kuq. Rama nuk shpëton dot nga lidhjet e tij me kartellet e drogës, të cilat tashmë janë evidentuar."

"Por duhet t’u them se dosja Balluku dhe dosja e AKSHI-t janë dy dosje që rëndojnë si gur të rëndë, si plumb mbi shpatullat dhe trupin e tij, sepse ato faktikisht janë dosja Rama."

Lidhur me tryezën e një dite më parë me partitë aleate dhe shoqërinë civile, Berisha tha se çdo njeri që ndjehet opozitar duhet të bashkohet me frontin opozitar.

"Unë mendoj se, në kuadër të kësaj nisme, çdo njeri që ndjehet opozitar dhe që nuk lejon veten të tradhtojë elektoratin që ka votuar kundër Edi Ramës, të tradhtojë elektoratin që gjen forca të shkëputet nga lidhje të tjera, duhet të rreshtohet në këtë front."

"Ky nuk është front për të qeverisur së bashku, ta marrim në këtë formë; ky është një front për të larguar së bashku një të keqe të madhe, për t’u hapur rrugën shqiptarëve për të votuar të lirë, si qytetarë të lirë europianë."

"Por duhet të jesh opozitar që të përqafosh një ide të tillë. Dhe unë kam shpresë se ata që janë ose ndjehen opozitarë të vërtetë, do ta përqafojnë."

Teksa u bëri thirrje qytetarëve që t'i bashkohen protestës së madhe kombëtare të 10 shkurtit, Berisha theksoi se Gjenerata Z duhet t’i japë fundin kësaj diktature autokratike dhe shtoi se të rinjtë shqiptarë duhet të jenë në krye të protestave deri në rrëzimin e qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco