Në diskutimin për përfshirjen e individëve të ndryshëm në tryezën e dialogut politik, Berisha ka theksuar se është e rëndësishme të bëhet një dallim i qartë mes intelektualëve të vërtetë dhe atyre që ai i konsideron pseudointelektualë.
Sipas tij, individë si Bamir Topi, Lulzim Basha dhe të tjerë, kanë pasur mundësi të shumta për të kontribuar për mirëqenien e Shqipërisë, por, në vend që të shfrytëzonin mundësitë që u janë ofruar, ata kanë vepruar për interesat e tyre personale, duke krijuar pasuri dhe përkeqësuar gjendjen politike të vendit.
Berisha theksoi se pseudointelektualët janë një "fatkeqësi" për Shqipërinë dhe se është më mirë të bëhet dallimi midis tyre dhe intelektualëve të vërtetë, për të mos ngatërruar këto dy kategori.
Pjesë nga deklarata:
Pyetje: Në kuadër të tryezës së dialogut politik, a mendoni se intelektualët duhet të ftojnë dhe Bamir Topin, Lulzim Bashën, Alibeajn, Patozin etj.
Sali Berisha: A po flet për intelektualë apo pseudointelekual. Më fal, të lutem. Unë e di që ndofta kjo nuk të vjen për shtat, por unë ta them me sinqeritet dhe më del nga zemra. Dhe të lutem shumë, për t’u bindur për këtë, ktheu pak në vitin 1990 dhe lexo, një intervistë që i kam dhënë gazetës ‘Drita’ dhe mund të jesh i pari njeri që i them lexo diçka timen, se nuk është kurrë në zakonin tim, në të cilin unë bëj dallimin në intelektual dhe pseudointelektual.
E kisha problem shumë këtë, sepse kishte intelektual të vërtetë, kishte të tjerë, pastaj që quheshin intelektual dhe silleshin si pseudointelektual. Tani këta janë fatkeqësia, pseudointelektualët janë fatkeqësia e kombit, janë mjerimi kombëtar, kështu që unë them, që më mirë të mos i ngatërrojmë.
A të bëj një pyetje tani ty. A nuk patën rastin ata për të qenë në të mirë të Shqipërisë? Kjo parti a nuk u dha atyre çdo mundësi? Të lutem, a nuk u dha tyre çdo mundësi, dhe çfarë e përdorën? Mirësitë e Bamir Topit ishin pronat e tij, të Lulzim Bashës, pasurimi i tij dhe shkatërrimi. Për atë tjetrin shko e pyet ata që u drejtojnë fushatën se çfarë të thonë. Prandaj, mos bëjmë fjalë me pseudointelektual.
Më gjej intelektual të vërtetë dhe unë, ç’është e vërteta kam nderimin më të madh.
© SYRI.net